Kush e fitoi garën e bankave në 2016-n
Pjesa më e madhe e bankave i janë gëzuar rritjes së depozitave gjatë vitit të kaluar. Vetëm dy banka kanë përjetuar rënie të kursimeve, ndërsa tre të tjera kanë parë rritje dyshifrore. Në vlerë absolute, rritjen më të madhe e kanë shënuar BKT, Credins, Banka Amerikane e Investimeve, Intesa Sanpaolo, Societe Generale, Alpha Bank, Union Bank.
Por, bankat nuk kanë qenë kaq aktive në kahun e kredisë, ku pesë prej tyre kanë reduktuar portofolin e kredisë, kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Rënien më të madhe e kanë shënuar Tirana Bank, Veneto Bank, Raiffeisen, ProCredit.
Bankat që kanë mbajtur peshën kryesore në rritjen e huadhënies përgjatë 2016-s kanë qenë BKT, Credins, Societe Generale, Union Bank.
Ka vijuar edhe gjatë 2016-s ulja e peshës së bankave me kapital grek, që po vazhdon prej disa vitesh. Alpha Bank, Tirana Bank, NBG, zinin 13.7% të totalit të aktiveve, nga 14.1% në fund të 2015-s, me një rënie të ndjeshme në raport me disa vjet më parë, kur pesha e tyre arrinte në gati 25% të totalit (përfshirë dhe ish-bankën Emporiki, që më pas u shit te francezët e Credit Agricole dhe aktualisht është Banka Amerikane e Investimeve).
Prej vitesh, bankat greke nuk janë shumë aktive në treg, ndryshe nga periudha deri në vitin 2008, kur ato zunë një peshë të konsiderueshme në kredidhënie. Të gjendur nën “hijen” e krizës greke dhe në barrën e kredive të këqija, ato po reduktojnë vazhdimisht portofolat e tyre të huasë. Të tria bankat me kapital grek zinin 16% të totalit të stokut të huasë në fund të 2016-s, nga 35% që ishte në vitin 2008.
Sipas origjinës së kapitalit, sistemi bankar paraqitet mjaft i diversifikuar, një zhvillim pozitiv ky, që e bën atë më pak të varur nga goditjet që mund të vijnë nga një vend në krizë. Peshën kryesore e mbajnë turqit, përmes BKT-së, të ndjekur nga austriakët, përmes Raiffeisen. Bankat me kapital shqiptar renditen në vend të tretë, duke ua kaluar dhe bankave me kapital grek (shiko grafikun Aktivet, sipas vendit të origjinës). Më pas vijnë bankat italiane e franceze.
-BKT ka vijuar të jetë banka më e madhe në sistem për sa u përket aktiveve, depozitave e kredive. BKT ka vijuar rritjen e shpejtë edhe në 2016-n, duke zënë 27% të totalit të aktiveve, me një rritje prej 1.6 pikë përqindjeje në raport me një vit më parë. BKT ka deklaruar dhe një fitim të lartë prej 7.5 miliardë lekësh, sipas standardeve ndërkombëtare IFRS.
-Raiffeisen, dikur banka më e madhe në sistem, ka vijuar me strategjinë e saj të tkurrjes, që në fakt grupi i Vjenës po ndjek për të gjitha filialet në Europën Lindore. Ajo ka shënuar një rënie të peshës së aktiveve nga 21.5% në 18.8%, ndërsa ka “larguar” depozituesit përmes normave shumë të ulëta të interesit. Në 2016-n, banka u godit dhe nga falimentimi i Kurum, ku ajo kishte një ekspozim prej 21 milionë eurosh, sipas të dhënave nga Gjykata.
-Credins, një nga bankat më aktive në sistem vitet e fundit, e ka vijuar edhe në 2016-n një prirje pozitive. Ajo ka konsoliduar vendin e tretë, duke zënë 11.6% të totalit të aktiveve, me një rritje pothuajse me 1 pikë përqindjeje të peshës së tregut. Banka ka qenë aktive në kredidhënie dhe në tërheqjen e depozitave.
–Intesa Sanpaolo Bank Albania është treguar e kujdesshme dhe ka rezultuar me aktivitet të qëndrueshëm. Banka e katërt më e madhe në sistem pa një rritje të aktiveve me 5%, ndërsa huadhënia u zgjerua me 1% dhe depozitat me 6%.
– Tirana Bank nuk ka shënuar rrije të aktiveve në 2016-n, ndërsa ka reduktuar stokun e huasë me rreth 17%. Ajo ka arritur të reduktojë ndjeshëm humbjet, në raport me vitin e mëparshëm.
-Societe Generale ka pasur një vit të kënaqshëm, me rritje prej 11% të aktiveve. Banka ka qenë aktive dhe në kredidhënie, duke e zgjeruar stokun e huasë me 6 miliardë lekë, apo rreth 15%. Edhe në kahun e depozitave, zgjerimi ka qenë 8%.
-Alpha Bank ka arritur të rrisë aktivet me 7%, ndërsa ka qenë më e tërhequr me kreditë, stoku i së cilës është reduktuar me 2%. 2016-a ishte pozitiv për depozitat, që u zgjeruan me 7%.
–Edhe NBG ka pasur një sjelle të ngjashme, me rritje të aktiveve me 7% dhe reduktim të stokut të kredisë me 2%. Ndërsa depozitat janë shtuar ndjeshëm me 17%.
-Union Bank ka vijuar me rritjen e qëndrueshme, teksa ka parë një rritje të aktiveve me 9%. Banka ka rezultuar aktive në kredidhënie, duke e rritur stokun me 1.4 miliardë lekë, ose 9%. E kënaqshme ka qenë dhe rritja e depozitave me 9%.
-Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI), në vitin e parë të plotë të menaxhimit të ri të saj, pas ndryshimit të pronësisë nga francezët e Credit Agricole te NCH Capital, ka shënuar një rritje të fortë. Aktivet janë zgjeruar me 40%, ndërsa depozitat me 38%, si rrjedhojë e agresivitetit të bankës për të tërhequr depozitues përmes reklamave dhe ofertave. Por,ABI ka qenë më e kujdesshme në huadhënie, duke e rritur stokun me 7%.
-ProCredit ka vijuar me reduktimin e aktiveve, që janë ulur me 5%. Stoku i kredisë ka shënuar rënie më të fortë me 11% dhe depozitat janë tkurrur me 4%.
-Veneto Bank ka shënuar një vit në stanjacion, ku aktivet u rritën me vetëm 1%. Stoku i kredive shënoi një rënie të fortë me 31%, ndërsa depozitat u zgjeruan me 6%.
-Banka e Parë e Investimeve (FIB) ka pasur një vit pozitiv, me një rritje të aktiveve me 11%. Kreditimi u zgjerua me 14% dhe depozitat me 9%.
Tre bankat e tjera, Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB), Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe Banka e Kreditit (CBA) prej vitesh janë pothuajse inekzistente dhe kanë një peshë shumë të vogël në sistemin bankar shqiptar.