Ekonomia

Kush po e fiton betejën për ajrin shqiptar

Sa shqiptarë dhe të huaj udhëtojnë përmes Aeroportit të Rinasit.
Cilat janë kompanitë ajrore kryesore dhe si ndahet tregu mes tyre.
Cilat janë destinacionet kryesore ku udhëtojnë shqiptarët në Itali dhe shtete të tjera?

 

Nga Ornela Liperi

Janë rreth 2.2 milionë pasagjerë, që kanë udhëtuar nga dhe për në Aeroportin e Rinasit gjatë vitit të kaluar, një nivel rekord ky, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me 11%.
Shqiptarët që udhëtojnë tek të afërmit, apo për qëllime turistike, apo dhe të huajt që vizitojnë vendin e më pas kthehen në shtëpitë e tyre, e kanë mbajtur mjaft të zënë aeroportin e vetëm në vend.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë vitit 2016, shtetasit shqiptarë kanë përbërë gati 60% të totalit të pasagjerëve dhe pjesa tjetër janë të huaj. Lëvizjet si të shtetasve të huaj, ashtu dhe atyre vendas, kanë shënuar një rritje të ndjeshme që pas vitit 2012.
Rreth 460 mijë të huaj kanë hyrë përmes rrugëve ajrore në Shqipëri në vitin 2016 (14% rritje), nga 4.7 milionë të huaj që rezultojnë të kenë vizituar gjithsej Shqipërinë në 2016-n.

Ndërsa numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit përmes Aeroportit të Rinasit gjatë vitit të kaluar ka arritur në 643 mijë, apo gati 9% më shumë se një vit më parë.

 

monitor 777.indd

monitor 777.indd

Gara e kompanive ajrore

Në vitin 2002, rreth 50% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve, e zinte kompania Belle Air, që kishte fluturime të shumta direkte drejt qyteteve italiane. Por, pas falimentimit të saj në fund të vitit 2013, tregu u rikonfigurua.

Në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga TIA, Blue Panorama, operatori italian që zëvendësoi Belle Air, kishte 30% të tregut total të fluturimeve, nga 25% vitin e mëparshëm. Pas saj renditet AlItalia, me 21% të tregut. AlItalia ka lëshuar terren në 2016-n, pasi aplikoi rritje të çmimeve, si dhe shkurtoi numrin e destinacioneve direkte me disa qytete të Italisë. Në vitin 2015, kjo kompani zinte 31% të tregut.
Më pas renditen Austrian Airlines dhe Turkish Airlines, të cilat në vite kanë pasur një pjesë tregu të qëndrueshme prej 7-8% secila.
Listën e vijojnë Adria Airways, me 5% të tregut, Aegean Airlines me 4% dhe më pas me nga 3% secila janë Mistral Air, British Airways, Lufthansa, Pegasus Airlines.

Në tre muajt e parë të vitit 2017, të dhënat e TIA-s tregojnë se Blu Panorama ka vijuar të fitojë terren, duke e rritur pjesën e tregut në gati 34%. Ndërsa AlItalia ka vijuar të humbë terren, dy operatorë të rinj po rriten në tregun e Italisë, Mistral Air (Fly Ernest) me 8% të tregut dhe Albawings, me rreth 12% të tij.
Operatorët e tjerë kanë mbajtur pothuajse të njëjtat pozicione.

 

monitor 777.indd

monitor 777.indd

 

 

monitor 777.inddTë gjitha rrugët të çojnë në Romë

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit është Roma, me 300 mijë pasagjerë, me rënie prej 5% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.

Destinacioni i dytë është Milano, me 209 mijë pasagjerë, me rritje 23% në raport me një vit më parë.
Stambolli është në vend të tretë, me 203 mijë pasagjerë (3% rritje). Edhe Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht drejt SHBA-së, por edhe vendeve aziatike.

Vjena mbetet pika kryesore e kalimit drejt gjithë Europës e jashtë saj. Në vitin 2016, nga dhe drejt Aeroportit të Vjenës udhëtuan rreth 160 mijë pasagjerë, me një rritje prej 11% në krahasim me 2015-n.

Më pas renditen qytetet e Italisë, si Piza, Bergamo, Bolonja, Verona, ku jetojnë e punojnë shumë emigrantë.
Me Athinën udhëtuan rreth 80 mijë pasagjerë, teksa qytetet e Greqisë janë përgjithësisht të arritshme përmes kufirit tokësor.

Ka pasur një rritje të ndjeshme të pasagjerëve për në Frankfurt, me 75 mijë pasagjerë, trefishim në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe nga dhe drejt Londrës udhëtuan 73 mijë pasagjerë, një rritje 17%.
Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.3 milionë në vitin 2016, ose 58% e totalit.

 

Bilanci i udhëtimeve, shqiptarët shpenzuan jashtë 1.1 miliardë euro në 2016-n

Ndonëse të varfër, shqiptarët janë mjaft të dhënë pas udhëtimeve. Për turizëm, tek të afërmit emigrantë, apo për qëllime biznesi, shqiptarët rezultojnë të kenë shpenzuar jashtë 1.1 miliardë euro në vitin 2016, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e kaluar. Kjo shumë është sa gati 10% e asaj që prodhon ekonomia shqiptare në një vit.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka Shqipërisë, në bilancin e udhëtimeve, që publikon shifrat e shpenzimeve të shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit dhe në kahun tjetër ato të të huajve në Shqipëri.

Periudha kur shqiptarët shpenzojnë më shumë para jashtë është në tremujorin e tretë, që përkon edhe me pushimet e verës. Në verën e 2016-s, turistët dhe udhëtarët shqiptarë shpenzuan gati 370 milionë euro. Ndonëse vendi ka plazhe të bukura e të larmishme, shumë pushues zgjedhin plazhet e Turqisë apo dhemonitor 777.inddGreqisë e të tjera, për shkak të komoditetit të tyre dhe raportit cilësi-çmim.

Në kahun e kundërt, shpenzimet e të huajve në Shqipëri, kanë shënuar një rritje të ndjeshme në 2016-n, duke arritur në 1.5 miliardë lekë, me një rritje prej 13% në raport me vitin e kaluar. Rekordi i të ardhurave është arritur në verë, me 521 milionë euro. Vitet e fundit është rritur dukshëm interesi i të huajve për Shqipërinë dhe mediat e huaja nuk pushojnë së shkruari për bukuritë e vendit.

Gjithsesi, pavarësisht prurjeve të larta të turistëve prej 1.5 miliardë eurosh, bilanci neto i të ardhurave nga turizmi është rreth 390 milionë euro, për shkak të shpenzimeve të mëdha jashtë. Por, në krahasim me vite më parë, kur bilanci ishte negativ (shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin më të larta se ato të turistëve në Shqipëri), kemi një përmirësim të dukshëm.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2016, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri arritën një rekord prej 4.7 milionë udhëtarësh, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Edhe daljet e shtetasve shqiptarë u zgjeruan me 8%, për të arritur në 4.7 milionë pasagjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button