KosovaSporti

Lamtumirë Fadil Vokrri! Homazhe në Prishtinë për legjendën e futbollit. Në kujtim të Fadil Vokrrit

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lartë punë dhe veprën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

Zyrtarët e lartë në një mbledhje komemorative që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës, theksuan se falë punës se Fadil Vokrri, Kosova është futur në familjen e futbollit botëror.

Kryetari i Kuvendi te Kosovës, Kadri Vesel tha se Vokrri ishte sinonim i gëzimeve dhe lajmeve të mira për Kosovën.

“Ai ka qenë sinonim i gëzimeve tona, sinonim për gjërat e bukura në vendin tonë. Kemi humbur legjendën kur në këtë kohën kërkohet më së shumti profesionalizmi i tij. Do të vazhdojmë ëndrrën e tij, që të rinjtë të luajnë në Kampionatet Botërore”, tha pos tjerash Veseli.

Ekipi futbollistik “Llapi” bën homazhe para arkivolit të Fadil Vokrrit. Vokrri kishte nisur karrierën futbollistike në këtë ekip.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramuash Haradinaj tha se Vokrri ishte i të gjithëve. Ai tha po ashtu se Vokrri e ka mbijetuar një krenarie të sportit edhe në kohëra jo të lehta për shqiptarët.

Haradinaj tha se Vokrri edhe në momentet më të rënda, më të vështira, i mbeti besnik Kosovës.

“Ai e mbajti gjallë frymën sportit edhe në mes të 90′ dhe 99’s. Ai u kthyer për t’i dhënë edhe njëhere përkrahjen sportit e sportistëve, jo vetëm Federatës së Futbollit, por Kosovës edhe në ketë periudhën e re të shtet ndërtimit. Falë tij Kosova është kthyer në familje e sportit në familjen e futbollit ne FIFA dhe falë tij, Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare “, tha Haradinaj.

Kurse, Eroll Salihu Sekretari i Federatës se Futbollit tha se tha se Vokrri ka bërë gjëra shumë të mëdha për Kosovën dhe ka arritur që të bëjë një vend të veçantë për sportin kosovar në gjithë arenën sportive.

“Trashëgimia e Fadil Vokrrit në futboll është e jashtëzakonshme, pranimi i Kosova është UEFA dhe FIFA me të drejtë i atribuohet Fadilit me shokë dhe për këtë ai zuri vendin e tij, të përjetësisë në historinë e Kosovës. Emri i tij ka hapur rrugë edhe pa prezence fizike të tij”, tha Salihu.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka tha se Vokrri e ka merituar përjetësinë me punën e madhe që ka bërë për futbollin kosovar.

“Fadili ka kontribuar shumë në Federatës së Kosovës. Fadili ka qenë mik i mirë dhe e vlerësoj shumë, ai ishte i vërtet këto i them nga zemra. Fadili e ka merituar përjetësinë me atë që e ka bërë me futbollin me familjen dhe më vjen keq që sot ndahemi fizikisht”, tha Duka.

Gramoz Vokrri, djali i Fadil Vokrri, tha se babai i tij ishte i gjithë Kosovës dhe se është shumë e vështirë të përshkruhet një person si ai.

“Është e vështirë me përshkruaj babain tim sepse besoj që vepra e tij flet vetë”, tha Vokrri.

Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, janë mbajtur ceremonia e homazheve dhe mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit.

Homazhe për Fadil Vokrrin

Fadil Vokrri, 57-vjeçar, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes, pas një sulmi në zemër. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit të Prishtinës, në orën 17:00.

Kush ishte Fadil Vokrri?

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola.

Vokrri ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984,derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti në edicionet 1990-1992.Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës. Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe e arriti që nën udhëheqjen e tij, FFK të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA.

Vokrri ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button