LDK-AAK-NISMA: Administrata publike të sillet me profesionalizëm dhe përgjegjësi
Koalicioni LDK-AAK-NISMA, konsideron se vakumi institucional që tani një kohë është prezent në institucionet e Kosovës, pas tërë këtyre viteve të keqqeverisjes po i dëmton edhe më tepër institucionet dhe vetë Kosovën. Praktikat korruptive, sipas koalicionit, po vazhdojnë edhe në këto ditët e fundit të kësaj qeverie.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma vlerëson se dërgimi i lëndës në Gjykatën Kushtetuese nga PDK dhe dëshira që përmes kësaj gjykate e jo shumicës parlamentare të sigurohet pushteti, është edhe një dëshmi se sa e papërgjegjshme është qeveria në ikje.
“Administrata publike pavarësisht procesit juridik në të cilën gjendemi, obligohet që ta rrisë funksionimin komform hierarkisë organizative dhe të sillet me profesionalizëm dhe përgjegjësi. Të gjitha punët e parapara qoftë në përshkrimin e punës qoftë në aktivitetet rutinore duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë. Ftojmë sekretarët e përhershëm dhe drejtorët kompetent që të rrisin dinamikën e menaxhimit dhe të kujdesen që ky vakum institucional të mos reflektohet në jetën e qytetarëve”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të koalicionit LDK-AAK-Nisma.
Pas takimit të përbashkët, në një kumtesë nga takimi i liderëve të shumicës parlamentare janë bërë të ditur edhe disa detaje rreth programit të këtij koalicioni qeveritar.
Në këtë kontekst është vlerësuar që do të jetë shumë e rëndësishme që të ndalet keqqeverisja dhe të bëhet ndërrimi i pushtetit. Megjithatë, koalicioni vlerëson se nevojat e qytetarëve të Kosovës shkojnë përtej ndaljes së keqqeverisjes.
“Qytetari i Kosovës ka nevojë për rend dhe ligj, zhvillim ekonomik, arsim më të mirë dhe shërbime shëndetësore të duhura. Praktikat korruptive duhet dhe do të ndalen me çdo kusht dhe menjëherë”, thuhet në kumtesën e koalicionit LDK-AAK-NISMA.
Ndër tjerash, koalicioni ka bërë të ditur se si prioritet e ka edhe integrimin e Kosovës në struktura euroatlantike.
“Kauza jonë është Kosova e integruar në të gjithë mekanizmat euroatlantik. I gjithë programi ynë do të jetë i fokusuar në arritjen e kësaj kauze. Nuk do të fajësojmë të tjerët për mos punën tonë. Të gjithë mekanizmat shtetëror do të vihen në funksion të plotë të anëtarësimit dhe realizimit të qëllimit për një Kosovë evropiane”, përfundon kumtesa e lëshuar nga koalicioni LDK-AAK-NISMA.