Legjislacioni evropian: Fund standardit të dyfishtë të ushqimeve deri në pranverën e vitit 2019
Cilësia e ushqimeve, të cilat konsumohen tek ne vazhdon të jetë e ndryshme nga ajo e ofruar në tregun evropian. Këtë e tregon analiza e fundit e Ministrisë së bujqësisë, ushqimeve dhe pyjeve.
Në të janë përfshirë 53 produkte – ushqime dhe pije, me të njëjtat marka tregtare, të cilat mund të blihen në dyqanet tek ne, në Gjermani, Austri, Çeki dhe Itali. Përveç për nga cilësia ato ndryshohen edhe për nga çmimi. Më se 40% prej mallrave të kontrolluara ofrohen me çmime më të larta në Bullgari në krahasim me shtetet e tjera evropiane. Mospërputhje të tilla ka edhe në detergjentet për larjen e rrobave dhe në produktet kozmetike. Ky problem vëzhgohet në tërë Evropën Lindore dhe tregon se çfarë do të bëhej, në se BE-ja pranonte idenë për zhvillim me dy shpejtësi. Politika e ndarjes së njerëzve në dy kategori në bazë të cilësisë së ushqimeve, e mbajtur nga zinxhirët tregtarë, duhet të mbeten në të kaluarën. Ky ishte pozita, rreth së cilës u bashkuan pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare “Standardi i dyfishtë i ushqimeve në BE – le ta shtrojmë problemin në tavolinën e bisedimeve”. Ngjarja u zhvillua nën patronazhin e Kryeministrit Bojko Borisov dhe në të morën pjesë komisionerja evropiane për çështjet e drejtësisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve Vera Jourova, avokatja e popullit Maja Manollova, ministra dhe ambasadorët e shteteve-abnëtare të BE-së dhe deputetë evropianë nga grupet e ndryshme politike në Parlamentin Evropian. Sipas Maja Manollovës forumi i ka arritur objektivat e tij sepse:
„Deklaruam se jemi kundër standardeve të dyfishta të ushqimeve në BE. Ky është një sukses i madh, sepse deri para pak kohe vetë ekzistenca e standardeve të dyfishta vihej në pyetje. Tani jo vetëm se e afirmuam qëllimin tonë, por treguam rrugën, në të cilën do ta arrijmë atë. Në vend të parë ka nevojë për ndryshimin e Direktivës për praktikat tregtare jo të drejta, e cila duhet të ndalojë sheitjen e mallrave të së njëjtës marke tregtare me përmbajtje të ndryshme. Ka nevojë për metodikë të përbashkët evropiane për përkrahjen e organeve përgjegjëse në zbulimin e shkeljeve. Ideja është të mbrojmë diversitetin e shijeve në Evropë. Dhe kur bëhet fjalë për një shije specifike kombëtare, prodhuesit do të kenë lirinë ta respektojnë atë, por pasi e tregojnë shprehimisht këtë në etiketë. Kështu konsumatori do të dijë se ky nuk është produkti origjinal.”
Komisionerja evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve Vera Jourova deklaroi se ekziston rreziku që prodhuesit të shesin një apo disa lloje të ndryshme të një produkti dhe kështu të vazhdojnë të ofrojnë cilësi më të ulët. Por kjo gjithashtu duhet të shihet qartë në përshkrimin e ingredientëve, sepse konsumatori nuk mund të mashtrohet.
Në fjalimin e tij kryeministri Borisov tha se pret që legjislacioni i ri evropian për standardet e dyfishta të ushqimeve do të pranohet deri në pranverën e vitit 2019 , sepse është e papranueshme gjithnjë e më shumë qytetarë bullgarë dhe evropianë të mendojnë se blejnë ushqime të padëmshme apo pak të dëmshme, konsumimi i të cilave shkakton kancer apo sëmundje të tjera që kërcënojnë jetën. Ai nënvizoi se para 10 vjetësh shpenzimet e shtetit për shëndetësi kanë qenë rreth 1 miliard leva për shëndetësi, derisa tani ato janë 5 miliardë leva. Dhe pavarësisht nga kjo pacientët jo gjithmonë fitojnë betejën me sëmundjet e tyre, të shkaktuara nga produktet jocilësore që i konsumojnë dhe nga jeta pa aktivitet fizik.
Ministri i bujqësisë Rumen Porozhanov shtoi se Bullgaria tashmë i rishikon kërkesat e saj për cilësinë e ushqimeve, sepse për zgjidhjen e problemit tek ne ka nevojë në vend të parë për kontroll më të ashpër të ushtruar nga ana e shtetit.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova