☀️
Tiranë 28°C · Kthjellët 09 September 2026
S&P 500 7,631 ▼0.55%
DOW 52,384 ▼0.76%
NASDAQ 26,214 ▼0.79%
NAFTA 96.39 ▲3.61%
ARI 4,439 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1624 EUR/GBP 0.8583 EUR/CHF 0.9412 EUR/ALL 92.1457 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3355 EUR/TRY 56.3514 EUR/JPY 178.81 EUR/CAD 1.6024 EUR/USD 1.1624 EUR/GBP 0.8583 EUR/CHF 0.9412 EUR/ALL 92.1457 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3355 EUR/TRY 56.3514 EUR/JPY 178.81 EUR/CAD 1.6024
₿ CRYPTO
BTC $78,688 ▲ +0.08% ETH $2,493 ▲ +0.11% XRP $1.4174 ▼ -0.62% SOL $103.1400 ▼ -0.68%
S&P 500 7,631 ▼0.55 % DOW 52,384 ▼0.76 % NASDAQ 26,214 ▼0.79 % NAFTA 96.39 ▲3.61 % ARI 4,439 ▲0 % S&P 500 7,631 ▼0.55 % DOW 52,384 ▼0.76 % NASDAQ 26,214 ▼0.79 % NAFTA 96.39 ▲3.61 % ARI 4,439 ▲0 %
EUR/USD 1.1624 EUR/GBP 0.8583 EUR/CHF 0.9412 EUR/ALL 92.1457 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3355 EUR/TRY 56.3514 EUR/JPY 178.81 EUR/CAD 1.6024 EUR/USD 1.1624 EUR/GBP 0.8583 EUR/CHF 0.9412 EUR/ALL 92.1457 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3355 EUR/TRY 56.3514 EUR/JPY 178.81 EUR/CAD 1.6024
09 Sep 2026
Breaking
Opinion

Letër nga Brukseli: Glorifikimi i Mlladiçit vë në provë qëndrimin e BE-së ndaj Vuçiçit

Ursula Von Der Leyen me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Nga: Gjeraqina Tuhina

Aleksandër Vuçiç mund të ketë gjetur pa dashje mesazhin e fushatës së tij, dhe ai nuk është aspak i kamufluar: Bashkimi Evropian nuk na do. Presidenti serb e ka hedhur në qarkullim këtë pretendim prej disa javësh, por vdekja dhe varrimi i Ratko Mlladiçit i kanë dhënë atij një skenë që asnjë strateg politik nuk do të mund ta kishte sajuar më mirë.

Mlladiçi vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në Hagë, ku vitet e fundit të jetës i kaloi duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës së Bosnjës, më 1992–1995. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i cilësoi këto mizori si “ndër më të rëndat që ka njohur njerëzimi”.

Trupi i tij u kthye në Serbi me një avion të qeverisë serbe dhe u vendos për homazhe në Kishën e Shën Lukës në Beograd. Më 7 shtator, Mlladiçi u varros me nderime ushtarake. Arkivoli i tij ishte mbështjellë me flamurin serb, ndërsa mbi të ishin vendosur kapela dhe shpata e tij ushtarake. Ceremonia u drejtua nga Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe.

Vuçiçi nuk mori pjesë. Në atë kohë, homologu i tij nga Uzbekistani ndodhej për vizitë në Serbi. Ishte një shembull i përsosur i një koreografie të kujdesshme: arkivoli mbërriti në Beograd më 3 shtator, ndërsa familja “vendosi” që funerali të zhvillohej pikërisht në ditën kur Vuçiçi nuk mund të ishte aty. Megjithatë, presidenti ishte i përfaqësuar – nga i biri dhe nga ministra të kabinetit të Partisë Progresive Serbe, forcës në pushtet.

Ndërkohë, pas kësaj koreografie, diplomacia e Brukselit po lëvizte në heshtje.

Sipas burimeve në dijeni të kontakteve, zyrtarët e BE-së punuan fort – larg kamerave – në ditët para funeralit, me synimin për ta mbajtur Vuçiçin larg arkivolit.

Por ia vlen të jemi të sinqertë për atë që synonte në të vërtetë kjo përpjekje: nuk bëhej fjalë për një vijë të kuqe, por më tepër për një operacion shpëtimi. Më pak për mbrojtjen e vlerave evropiane dhe më shumë për një përpjekje për t’ia zbutur dhe pastruar imazhin një lideri për të cilin Brukseli ende ka nevojë, duke e mbajtur fytyrën e tij larg asaj fotografie të vetme që do ta kishte bërë të pamohueshme lidhjen.

(Jo) një funeral shtetëror

Në vitin 2007, kur ishte ende pjesë e Partisë Radikale Serbe, ultranacionaliste, Vuçiçi kishte ndihmuar në vendosjen e një tabele me emrin “Bulevardi Ratko Mlladiç” në një nga rrugët kryesore të Beogradit. Atëherë nuk mund ta kishte imagjinuar kurrë se idhulli i tij i dikurshëm do të shndërrohej në dhimbjen më të madhe të kokës për të.

Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, priti tetë ditë për të thënë diçka për gjithë këtë.

Nga vdekja e Mlladiçit më 27 gusht deri te deklarata e saj më 4 shtator, ku njoftoi anulimin e vizitës në Beograd, Kos iu përmbajt agjendës së saj të publikuar, përfshirë edhe ditën kur ai vdiq.

Vetëm kur glorifikimi arriti kulmin, pak ditë para vetë varrimit, ajo reagoi. Ajo paralajmëroi se nderimi i arkitektit të dënuar të gjenocidit të Srebrenicës ishte “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga drejt BE-së” dhe do të ishte “një test shumë i rëndësishëm” për përpjekjen e Serbisë për anëtarësim.

Fjalët ishin të duhura. Por koha e zgjedhur për t’i thënë ato sugjeronte se pas tyre fshihej diçka tjetër përveç parimit: ky ishte një anulim i bërë nën presion, jo një vendim i marrë me bindje.

Udhëheqësit e BE-së heshtën për ditë me radhë. Kontradikta u bë edhe më e dukshme kur, ditën e varrimit të Mlladiçit, një zëdhënëse e qeverisë këmbënguli se ajo që po ndodhte në Beograd nuk ishte një funeral shtetëror.

Gazetarët në sallën e shtypit vunë re se ajo po lexonte nga shënime që i ishin dërguar njëkohësisht “nga lart”. Në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, konferencat e mesditës janë një ritual që ndiqet fjalë për fjalë nga pothuajse të gjithë në ndërtesë.

Kati i 13-të, siç njihet në zhargon kabineti i presidentes së Komisionit, ka një interes të veçantë për këtë ngjarje. Dhe nuk bëhet fjalë për kureshtje, por për kontroll. Kur vjen puna te “I dashur Aleksandër” i Ursula von der Leyen-it, sytë dhe veshët shtohen, ndërsa askush nuk thotë asgjë përtej asaj që është e domosdoshme.

Megjithatë, ky ishte një nga ato raste të rralla kur “I dashur Aleksandër” nuk mund të shpëtohej.

Të nesërmen e funeralit, Komisioni e lexoi situatën ndryshe.

“Pamjet nga funerali i Ratko Mlladiçit dje në Beograd ishin tronditëse”, thuhej në një postim të përbashkët në X nga von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

“Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral janë thellësisht për të ardhur keq. Ato tregojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së afërt të Evropës dhe bien ndesh me vlerat që qëndrojnë në themel të rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian.”

Në bisedat jozyrtare, Brukseli thotë se përdori gjuhë të ashpër. Diplomatët thonë se Vuçiçi u paralajmërua për pasojat. E megjithatë, zyrtarisht, qëndrimi i Komisionit mbeti i njëjtë: “Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidate për anëtarësim në BE.”

Tani vjen testi i vërtetë për Brukselin: a është ai i gatshëm të dëshmojë se do ta mbrojë parimin që e ka përsëritur vazhdimisht?

Ta anashkalojë Beogradin?

Atëherë, si do të tërhiqet “I dashur Aleksandër” nga kjo situatë? Dhe si do ta pastrojë aleatja e tij më e afërt në BE nga kjo njollë e veçantë?

Dy gjëra ia vlen të ndiqen me vëmendje.

E para është turi tradicional i Ursula von der Leyen-it në Ballkanin Perëndimor, i cili pritet të nisë në fillim të tetorit. Komisioni e ka konfirmuar vizitën, por ende jo itinerarin. Për herë të parë, nuk është vendosur ende nëse Beogradi do të jetë pjesë e tij.

Serbia është tepër e madhe dhe tepër qendrore për rajonin që të anashkalohet thjesht për shkak të perceptimit publik. Nëse vizita zhvillohet, ajo do të bëhet në sfondin e tensioneve më të thella shoqërore që Serbia ka përjetuar prej dekadash, në kulmin e një fushate zgjedhore, ndërsa figura të opozitës janë vënë në shënjestër me spyëare dhe një kriminel lufte i dënuar sapo është ngritur në piedestalin e heroit kombëtar.

Von der Leyen mund të heqë dorë këtë herë nga ngrohtësia e “I dashur Aleksandër”. Mund ta ashpërsojë ndjeshëm tonin. Por kjo nuk do të ketë shumë rëndësi, sepse është hera e parë pas një dekade e gjysmë që pushteti i Vuçiçit po sfidohet dhe zyrtarët në Beograd do ta shfrytëzojnë vizitën pavarësisht gjithçkaje.

Megjithatë, vizita është e kalkuluar: në Beograd do të paraqitet si bekimi i Brukselit për ish-kryeministrin, presidentin së shpejti në largim dhe kryeministrin e ardhshëm të ardhshëm.

I vetmi skenar që do të dërgonte vërtet një mesazh do të ishte që pjesa tjetër e turit të zhvillohej sipas planit, ndërsa ndalesa në Beograd të hiqej.

Duke pasur parasysh afërsinë mes mikpritësit dhe të ftuarës, kjo duket e pamundur.

Në vend të kësaj, kam frikë se një tjetër vend i rajonit mund të përfundojë si “dash për kurban”, thjesht që turi të mos prodhojë tituj të rinj nga Serbia. Le të jemi të sinqertë: anashkalimi i Beogradit nga von der Leyen do të ishte një titull shumë më tërheqës sesa vizita e saj në pesë vende të tjera dhe premtimi, sërish e sërish, se vendi i tyre është në Evropë. Ky është një bast që presidentja e Komisionit nuk është e gatshme ta marrë.

Sinjali më i fortë që Brukseli mund të dërgojë për Beogradin mund të jetë heshtja, jo një fjalim. Lënia e Beogradit jashtë agjendës do të thoshte më shumë se çdo fjalim. Zyrtarët e Komisionit e përmendin në heshtje këtë si një nga opsionet që po diskutohen. Unë do ta besoj kur ta shoh.

E dyta gjë për t’u vëzhguar janë paratë.

Qasja e Serbisë në fondet e Planit të Rritjes së BE-së ka qenë gjithmonë, të paktën në retorikë, e lidhur me marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe pajtimin – i njëjti kusht që vlen për çdo vend të rajonit.

Por tani, më shumë se kurrë, kjo lidhje është gati të vihet realisht në provë. Ndiqni me vëmendje vendimin e ardhshëm për disbursimin e fondeve. Ai do t’ju tregojë shumë më tepër se ku qëndron realisht Brukseli përballë glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit historik sesa çdo deklaratë për shtyp.

Ka edhe një gjë tjetër, sepse duhet thënë qartë dhe jo lënë të nënkuptohet: Ratko Mlladiçi vdiq në shtratin e tij, pasi kishte arritur një moshë të thyer. 8 mijë burrat dhe djemtë boshnjakë të masakruar nga forcat e tij në korrik 1995 nuk iu afruan kurrë një moshe të tillë. Ata nuk vdiqën në shtretërit e tyre dhe nuk patën as flamur, as arkivol.

“Kasapi i Bosnjës” mori nderime shtetërore. Nënat e disa prej viktimave të tij, edhe 30 vjet më pas, vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre. Kjo pabarazi është e gjithë historia.

Gjeraqina Tuhina është gazetare në Bruksel.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë qëndrimet e BIRN.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.