Ligjvënësit tanë, BE-ja dhe Marksi
Nga Ben Andoni
Është fakt që Shqipëria ka gjasa t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030. I bindur për këtë realitet, kryeministri ynë e futi në sloganin zgjedhor duke e personalizuar deri edhe me emrin e tij: “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”! Por, e ka një justifikim nga konjukturat evropiane. ”Shqipëria është një kandidate për anëtarësim qysh nga viti 2014, koha kur erdhi në pushtet deri sa të dojë të qëndrojë vetë, sipas tij. Prej atëherë, kryetari i qeverisë shqiptare, Rama, e ka kryefjalë të politikës dhe retorikës së tij të brendshme dhe të jashtme. Nuk kupton asgjë, madje as nga lëvizjet e tij, sepse në mëngjes është në një qytet lokal, pasdite jashtë vendit dhe në mbrëmje, diku sërish nëpër Shqipëri!! Ndërkohë që opozita me një sens të vazhdueshëm kritik i kujton se reformat e pretenduara nuk kanë fare qasje me përditmërinë e shqiptarëve. Indikacionet e ndryshme ekonomike dhe sidomos bjerrja e vendit, i jep të drejtë.
Në këtë vazhdë BE-je, retorika ndryshon mes politikës. Maxhoranca përmes emisarëve të saj, që nuk po e njohin shumë transparencën sa i përket integrimit, i kërkojnë BE-së përfshirje hap pas hapi në programe dhe hartim politikash; kurse opozita e shikon gati si kurth retorik për të hequr vëmendjen nga përditmëria e Shqipërisë. Të enjten, Kuvendi përfshiu në rend të ditës votimin e një rezolute parlamentare mbështetëse për procesin, votuar me konsensus me 114 vota nga Mazhoranca dhe Opozita. Veçse, para kësaj, opozita e kritikoi se ndërsa ai është më shumë teknik, i gjithë procesi është kthyer në politik dhe lidhet me vlerat e standardet demokratike.
Po e sjellim këtë argument, sepse para debatit u përcoll një raport nga qeveria (përpiluar qartësisht nga burokratët punëtorë që u takon merita e punës së vështirë në terren), ku bëhej një tablo teknike e negociatave për secilin kapitull me radhë dhe masave të marra deri më tani për përmbushjen e kritereve dhe hendeqeve jo të pakta të konstatuara nga Brukseli.
Larg kësaj gjuhe teknike, e vetmja gjë që duket është se shumica e ligjvënësve tanë nuk e njohin fare procesin dhe kjo nuk duket vetëm nga fjalët patetike të tyre dhe diskutimet, por më shumë se çdo gjë tjetër nga padituria. Me të drejtë, deputetja veterane e PD-së, Jozefina Topalli, ish kryetare e Kuvendit, e shprehu pak kohë më parë këtë shqetësim publik për deputetët e PS-së, por i njëjti shqetësim shtrohet dhe nga pak njerëzit e PS-së (për kundërshtarët) që tashmë ndjejnë përmasat e kësaj legjislature. Po vallë ky është niveli i njerëzve që bëjnë ligjet tona!? Kjo është pyetja që shtrohet vazhdimisht, anipse përgjigja dihet. Paccka se kjo kohë e bën të duket normale edhe këtë përbërje. Viti 2008 e ka dërrmuar cilësinë e parlamentit dhe jo vetëm.
Ndërkohë nga maxhoranca nuk duan ose më saktë mbase bëjnë sikur nuk e kuptojnë se përtej urdhrave duhet transparencë dhe mbi të gjitha publiku dhe vetë politika duhet të emancipohet për të kuptuar e folur me teknikalitetet dhe retorikën e BE-së. Për fatin e keq nuk ndodh për një sërë arsyesh, kurse media lë hapësirë sqarimi për individë që jo vetëm nuk e kuptojnë në thelb, por nuk dinë deri strukturat bazë dhe vetë funksionimin e BE-së. Nuk do shumë mundim ta këqyrësh si pasojë këtë në parlamentin tonë, bashkë me kënaqësitë cinike që lodrojnë në buzëqeshjet Rama-Berisha për detashmentet e tyre. Edhe pse sot parlamenti është i kritikuar dhe jo pak herë i anatemuar tek ne dhe jo pa arsye, ai është institucioni epror që mbetet në vëmendje dhe ndiqet me kujdes. Anipse për mënyrën sesi u mor dhe si u zhvillua si strukturë, qoftë në Lindje dhe në Perëndim, shpesh të zhgënjen. Dikur ishte një filozof që parapa se institucioni demokratik do bjerrej ngado në Evropë. Mendimi teorik i tij vazhdon të jetë pjesë e debateve dhe referimeve të mendimit. Në esenë e tij “Tetëmbëdhjetë Brymeri i Lui Bonapartit” ( Data i referohet 9 nëntorit 1799 në Kalendarin Republikan Francez), Karl Marksi do shprehej hidhur: “Kretinizmi parlamentar: ajo sëmundje e veçantë që nga viti 1848 ka përhapur të gjithë Kontinentin, e cila i mban ata të infektuar prej tij të mbyllur në një botë imagjinare dhe i grabit ata nga çdo ndjenjë, çdo kujtesë, çdo kuptim të botës së jashtme të vrazhdë”. E megjithatë, Shqipëria me gjasë do të jetë në BE në vitin 2030, po arriti të mbyllë këtë vit (2026), dhjetë kapituj, falë dhe këtyre ligjvënësve, paçka dhe konstatimit të Marksit, leximi i gabuar i të cilit e çoi gati në batak Shqipërinë!! (Javanews)




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.