Haradinaj: TC “Kosova e Re” do të ishte projekt strategjik për energjinë dhe ekonominë e Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar një analizë të gjatë ku argumenton se realizimi i projektit të Termocentralit “Kosova e Re” do të kishte pasur ndikim të madh në sigurinë energjetike, ekonominë dhe zhvillimin industrial të vendit.
Në shkrimin e titulluar “Çfarë do të fitonte Kosova nga realizimi i projektit TC Kosova e Re?”, Haradinaj e cilëson projektin si një nga investimet më të mëdha strategjike të planifikuara ndonjëherë në Kosovë, me potencial për të ndryshuar ndjeshëm bilancin energjetik të vendit.
Sipas tij, termocentrali me kapacitet të instaluar rreth 500 MW dhe kapacitet neto rreth 450 MW do të prodhonte rreth 3.35 TWh energji elektrike në vit, duke mbuluar deri në 40–50% të konsumit vjetor të Kosovës në periudhën kur projekti ishte planifikuar.
Haradinaj thekson se ky kapacitet do të kishte reduktuar ndjeshëm nevojën për import të energjisë elektrike, të cilat në vitet e fundit, sipas tij, kanë kushtuar qindra milionë euro.
Ai vlerëson se projekti do të sillte një investim prej rreth 1.3 miliard euro, që do të përbënte një nga investimet më të mëdha të huaja direkte në historinë e Kosovës.
Sipas tij, gjatë ndërtimit do të krijoheshin deri në 10,000 vende pune, ndërsa në fazën operative do të mbështeteshin qindra vende pune në sektorin energjetik dhe minerar.
Në analizë përmendet se TC “Kosova e Re” do të kishte efikasitet më të lartë krahasuar me kapacitetet ekzistuese, duke konsumuar më pak linjit dhe ujë, si dhe duke reduktuar emetimet ndotëse.
Haradinaj shton se projekti do të kishte përdorur teknologji moderne superkritike, me reduktime të ndjeshme të emetimeve të SO₂, NOx dhe pluhurit, sipas dokumentacionit të projektit.
Në shkrim, ish-kryeministri thekson se mungesa e realizimit të këtij projekti ka rritur varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike, duke përmendur se vendi ka shpenzuar qindra milionë euro për energji të importuar në periudhën 2023–2025.
Haradinaj në fund e ka cilësuar TC “Kosova e Re” si projekt që, sipas tij, do të kishte siguruar stabilitet energjetik afatgjatë, zhvillim ekonomik dhe shfrytëzim më efikas të resurseve vendore të linjitit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.