Llalla: “Të luftojmë rryshfetet e të forcojmë besimin e publikut”
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, ndodhet për vizitë pune në Gjermani. Për DW ai flet për bashkëpunimin Shqipëri – Gjermani në fushën e drejtësisë dhe sfidat e prokurorisë në Shqipëri.
Deutsche Welle: Z. Llalla, agjenda e një prokurori të përgjithshëm është rëndom e ngjeshur, por nisur nga realiteti aktualisht në Shqipëri agjenda juaj duket të jetë veçanërisht e ngarkuar. Si e menaxhoni ju këtë sfidë?
Adriatik Llalla: Axhenda e Prokurorit të Përgjithshëm është ajo e menaxherit të një prej institucioneve më të rëndësishëm në një shtet. Pra, si një menaxher, Prokurori i Përgjithshëm ka detyrë kryesore menaxhimin e burimeve njerëzore e hetimore brenda strukturës dhe koordinimin me institucionet e tjera kombëtare e ndërkombëtare në luftën kundër kriminalitetit.
Në fakt, duhet pranuar se aktiviteti kundër krimit nga viti në vit vjen duke u shtuar dhe kjo falë angazhimit të të gjithë strukturave ligjzbatuese në Shqipëri, por edhe mbështetjes e bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare. Shqipëria ka një demokraci të re, e cila vijon të përballet me sfidat e vazhdueshme drejt forcimit të demokracisë. Korrupsioni është një sfidë që kërkon shumë energji për t’u përballuar, pasi është i shtrirë në thuajse të gjithë sektorët dhe nivelet publikë. Ky përfundim është rrjedhojë e rezultateve të hetimeve që prokuroria ka zhvilluar dhe po zhvillon. Kultura e korrektesës në shërbimet publike në Shqipëri ka ende shumë punë për t’u afruar me standartet e Bashkimit Europian. Po ashtu, edhe grupet kriminale, kryesisht ato që operojnë në fushën e trafikut të narkotikut, kanë pasur për vite me radhë një hapësirë të konsiderueshme për të krijuar dhe forcuar aktivitetin e tyre kriminal.
Sot, sfida e shtetit shqiptar, përfshirë edhe Prokurorinë, është përballimi dhe çmontimi i strukturave kriminale dhe korruptive të krijuara për vite me radhë. Nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Në Shqipëri ka vullnet për të forcuar shtetin ligjor. Prokuroria ka mbështetjen e faktorit politik parlamentar për të forcuar rolin e saj dhe, në një vend ku shoqëria është e politizuar, kjo është një vlerë pozitive në punën e institucioneve të pavarura. Gjithashtu, kemi fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë, pasi po dëshmojmë se jemi partnerë seriozë në luftën kundër krimit të organizuar. Por, sërish duhet theksuar se kemi shumë punë për të bërë.
Një ndër kushtet kryesore që BE-ja i ka vënë Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit në këtë union është lufta efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një rol kyç në këtë drejtim luan pikërisht institucioni që ju drejtoni. Përse ka ngecje Shqipëria në këtë drejtim, pra ku çalon puna?
Më shumë se sa ngecje, siç e cilësoni ju, në vlerësimin tonë, ka përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Janë goditur grupe kriminale, të cilat kanë shtrirje të gjerë në Shqipëri dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Janë vënë para përgjegjësisë penale zyrtarë, të cilët deri pak kohë më parë konsideroheshin të pandëshkueshëm. Natyrisht, është një fillim, i mirë, por sërish është një fillim. Pra, e pranojmë se pritshmëria e publikut në Shqipëri është shumë e lartë për aktivitetin hetimor, sidomos në luftën kundër korrupsionit. Nëse qytetarët, për një pjesë të mirë të shërbimeve publike duhet të paguajnë rryshfet, kjo natyrisht përkthehet në mungesë besimi ndaj institucioneve shtetërore. Kjo është sfida madhore e agjencive ligjzbatuese: të forcojnë besimin e publikut. Gjatë vitit 2014 dhe në vijim, një numër i lartë zyrtarësh të niveleve të ndryshme, në administratën tatimore, në pushtetin lokal, në agjencitë e pronave, në mjekësi, në arsim, etj., janë marrë nën përgjegjësi penale ose janë dënuar nga gjykata për veprime korruptive ose për shpërdorim detyre. Po ashtu, ka edhe gjyqtarë dhe prokurorë për të cilët janë ngritur akuza.
Një nga çështjet më të bujshme të kohëve të fundit, i ashtuquajturi rasti “Xibraka” u zbulua me të dhëna pikërisht nga Gjermani. Si e shpjegoni ju që një laborator i tillë ka mundur të veprojë kaq gjatë i patrazuar në Shqipëri dhe që sinjali u vjen institucioneve shqiptare pikërisht nga një vend kaq larg si Gjermania?
Kjo çështje vijon të jetë në hetim në Shqipëri. Janë arrestuar disa persona dhe po hetohet mbi aktivitetin dhe rolin e tyre, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre të mundshëm. Ndoshta është me vlerë të sqarohen disa momente se si nisi ky hetim. Në mesin e muajit dhjetor 2014, autoritetet gjyqësore gjermane kërkuan ndihmë juridike nga ana e autoriteteve shqiptare për lejimin e një veprimi procedurial, për llogari të një hetimi të tyre për trafik lëndësh narkotike. Me marrjen e kësaj kërkese, krahas ndihmës që iu ofrua autoriteteve gjermane, Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri nisi një hetim për llogari të saj, pasi informacioni i mbërritur nga Gjermania mund të ishte i vlefshëm edhe për territorin e Republikës së Shqipërisë. Pra, ky është një nga ato raste tipike të hetimit proaktiv, ku institucionet hetimore ndërmarrin me iniciativën e tyre një hetim, bazuar vetëm në një informacion të tërthortë.
Hetimi për këtë grup personash ka vijuar rreth 3 javë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe rezultati ishte i suksesshëm: u zbulua një laborator kokaine, ndër më të mëdhenjtë e zbuluar në Shqipëri. Hetimi është në vijim dhe besoj se kur të përfundojë ndoshta do të kemi një situatë më të qartë se prej sa kohësh vepronte ky laborator, pra, nëse ka funksionuar prej pak ditësh apo për një kohë më të gjatë. Në këtë fazë të hetimit, nuk mund të jepet një përgjigje e saktë nëse laboratori ka funksionuar prej një kohe të gjatë.
Aktualisht ju ndodheni për një vizitë pune në Gjermani: ku konsiston bashkëpunimi bilateral në fushën e drejtësisë?
Prokuroria Shqiptare ka një mbështetje dhe bashkëpunim shumë pozitiv me autoritetet gjermane. Këtë e dëshmon edhe vizita jonë në Gjermani, me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm Federal, z. Harald Range, me të cilin diskutuam për tema të nxehta me interes rajonal dhe global. Tema kryesore e diskutimit natyrisht ishte çështja e terrorizmit ndërkombëtar dhe goditja e të ashtëquajturve “foreing fighters”, luftëtarët e rekrutuar për në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. U ndanë qëndrime të përbashkëta mbi nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në aspektin hetimor dhe sidomos forcimi i komunikimit në kohë reale ndërmjet prokurorisë shqiptare dhe autoriteteve hetimore të landeve të Gjermanisë për çështje konkrete.
Në një plan të përgjithshëm, takimet e zhvilluara këtu i forcuan bindjen prokurorisë shqiptare se autoritet hetimore gjermane, ashtu si edhe Qeveria Gjermane, përbëjnë një prej aleatvë tanë kryesorë në forcimin e shtetit ligjor dhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.
Çfarë ndihme i keni kërkuar konkretisht Gjermanisë?
Asistencë teknike dhe ligjore për forcimin e aktivitetit hetimor dhe pavarësisë së institucionit. Prokuroria gjermane është një ndër strukturat lider në Europë sa i përket hetimit dhe besojmë se mbështetja e saj do të vijojë të jetë një bazë shumë e rëndësishme për të rritur kapacitetet institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mund të them me kënaqësi, se gjetëm mirëkuptimin e plotë nga ana e homologëve gjermanë për këto kërkesa.
Le t’u rikthehemi dhe një herë kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria për anëtarësim në BE – një theks i veçantë vihet edhe tek pavarësia e sistemit të drejtësisë prej politikës. A janë të pavarura institucionet e drejtësisë nga politika në Shqipëri?
Aktualisht, në Shqipëri po punohet për Reformën në Drejtësi. Institucionet kryesore, nën drejtimin e Parlamentit, janë angazhuar për të amenduar ose ndryshuar një korpus të gjerë ligjesh dhe rregulloresh, pikërisht për të forcuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Prokuroria Shqiptare është pjesë aktive e grupeve të punës të krijuar për reformën dhe konstatohet një mirëkuptim i plotë i të gjithë aktorëve kryesorë për të realizuar pavarësinë sa më të plotë të strukturave të drejtësisë.
Po të marrim një rast konkret: javët e fundit mbarë opinoni u trondit nga e ashtuquajtura aferë Doshi në Shqipëri. Ky rast përkoi në kohë edhe me shkarkimin nga detyra të kreut të prokurorisë për krimet e rënda. Në media kjo u komentua si një masë e marrë nën influencën e politikës. Cilat ishin arsyet e kësaj mase që ju morët?
Çështja “Doshi” dhe lëvizja e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda janë çështje të ndryshme, të cilat i bashkon vetëm koha kur kanë ndodhur. Për rastin e denoncimit të deputetit Tom Doshi, sipas të cilit ishin paguar disa persona për ta eleminuar fizikisht, tashmë ai hetim ka marrë një drejtim tjetër. Deputeti Doshi, si edhe një tjetër deputet, Mark Frroku, tashmë po merren të pandehur pasi nga hetimi rezultoi se skenari për vrasje të deputetit Doshi ishte thjesht një inskenim i këtyre dy ligjvënësve për qëllime që pritet të dalin gjatë gjykimit.
Në kohën që nisi hetimi për çështjen “Doshi” u realizua edhe lëvizja e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda, një lëvizje e cila ishte parashikuar të kryhej pak kohë më parë, më saktë, në janar 2015. Por, pikërisht për faktin se ishte në vijim operacioni “Xibraka” që diskutuam edhe më lart, i cili u finalizua në janar 2015, u shty në kohë lëvizja e drejtuesit të kësaj strukture, pasi ai ishte duke udhëhequr atë hetim shumë të rëndësishëm.
Që në krye të mandatit tim si Prokuror i Përgjithshëm, e kam shprehur se drejtuesit e prokurorive nuk mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë në të njëjtin vend pune, pasi puna e drejtuesit kërkon ritëm të lartë. Në këtë kuadër, brenda edhe hapësirës që lejon ligji, lëvizjet në nivelin drejtues kanë për qëllim rritjen e ritmit të punës.
Aktualisht në Shqipëri po diskutohet me zjarr tema e dekriminalizimit të parlamentit. Nisur nga fakti që kjo është padyshim edhe një sfidë për institucionin që ju drejtoni, kur mund të ketë rezultate konkrete në këtë drejtim? Pra kur Shqipëria nuk do ta ketë më të nevojshmë një debat për dekriminalizimin – është realiste kjo brenda mandatit tuaj si prokuror i përgjithshëm?
Në vlerësimin tim personal, përfshirja në tregun politik dhe publik e temës së dekriminalizimit, është një nismë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë që të zgjedhin dhe të udhëhiqen nga persona me cilësi të larta etike dhe morale. Debati dhe sfida për dekriminalizimin sapo ka nisur dhe kërkon kohën e saj për të arritur rezultate të prekshme. Nuk mund të aludojmë se sa kohë kërkon ky proces, por është shumë e rëndësishme që diskutimi për këtë temë ka përfshirë nivelet më të larta shtetërore. Prokuroria aktualisht ka nën hetim një deputet, i cili gjendet nën masën e “arrestit me burg” pasi akuzohet nga autoritetet belge për një vrasje të ndodhur në vitin 1999. Po ashtu, një tjetër deputet me rekorde kriminale, është në gjykim për goditjen për shkak të detyrës ndaj një deputeti tjetër. Pra, diskutimi mbi dekriminalizimin ka nisur të prodhojë efekte në nivele të larta, por edhe në nivele më të ulta, të cilat jo gjithnjë janë në vëmendjen e opinionit publik.