Lufta e rinisur ndaj korrupsionizmit…
EDUART GJOKUTAJ
Një pjesë e madhe jona do të thoshte se është e kotë ta rifillosh luftën ndaj korrupsionit, pasi ai është bërë normë morale e pranuar prej shoqërisë. Disa të tjerë do të thoshin se korrupsioni është një fenomen global dhe është një e keqe që s’ke çfarë t’i bësh. Tashmë shumë nga ne, prej më shumë se 20 vitesh, i jemi nënshtruar korrupsionit, njësoj si ndaj një sëmundjeje kronike (p.sh. diabeti). Me këtë nënshtrim prej pacienti, na është forcuar bindja se Ai as mund të kontrollohet, por as mund të ndalohet. Pohime të tilla janë tregues i humbjes së shpresës dhe të mësuarit për të bashkëjetuar me të keqen.
Megjithatë, unë kam gjetur ende shumë njerëz që besojnë te ndryshimi dhe vullneti për të parandaluar fenomenin. Unë besoj se zërat kundër kësaj të keqeje antipopullore do të vijnë duke u forcuar për të thënë me zë të fortë dhe vullnet të prerë (jo vetëm në ditën ndërkombëtare antikorrupsion):
– Po!
– Korrupsioni po luftohet!
– Është e mundur që ta frenojmë rrezikun që i kanoset lirisë tonë!
Ky besim na vlen si start për të nisur luftën frontale kundër tij. Por, nëse humbasim besimin, nuk do të kemi as vullnetin. Atëherë ne nuk do të kemi rrugëzgjidhje edhe për shumë kohë, por vetëm do t’i nënshtrohemi dhe do të jetojmë bashkë me të duke e pritur ditën kur të fillojë çlirimi prej tij.
Por, pse duhet ta luftojmë?
Çfarë të keqe më bën mua dhe ju?
Njerëzit, për sa i përket korruptimit në sektorin publik, e konsiderojnë si ndihmës në zgjidhjen e problemeve nëpër zyra, shkolla, spitale. Ata thonë se, nëse një nëpunës publik merr bakshish dhe të mbaron punën, është i zoti. Një nëpunës publik që merr bakshish dhe nuk ta mbaron punën, është i pandershëm. Ndërsa, një person që nuk merr bakshish, por ta mbaron punën, është budalla e demode.
Për këtë mentalitet, korrupsioni është një e drejtë normale në shërbimet publike, pasi konsiderohet si një e keqe e domosdoshme për një qeverisje “të mirë”. Ky mentalitet ka ardhur duke u forcuar nga njëra qeverisje në tjetrën. Ato e kanë toleruar deri në inkurajim korrupsionin. Strategjitë dhe planet e veprimit nuk kanë pasur efekt më shumë se kufiri i një fjalimi publik apo një seminari për t’u regjistruar si aktivitet.
Mungesa e burrave të shtetit nuk ka mundur të ndryshojë besimin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj luftës kundër korrupsionit, për sa kohë që arsyeja e dorëzimit të shtetit ishte vetë korrupsioni në nivelet e larta të tij. Korrupsioni në gjithë këto vite vetëm sa është krasitur, duke u lënë i lirshëm të rritet dhe zhvillohet. Në gjithë këto vite, ai është kthyer në një filozofi qeverisjeje ekzistenciale. Korrupsionizmi është kthyer në një pushtet paralel dhe konkurrent, njësoj si ekonomia informale, që konkurron ekonominë formale. Ky pushtet ka armatën e tij që komandohet nga paraja dhe jo nga ligji, të cilit i krijohen pengesa për t’u zbatuar.
Korrupsioni dhe investimet në ekonomi
Shqipëria për vitin 2013 renditej në vendin e 116 nga 177 vende gjithsej, sipas të dhënave nga Transparency International. Kjo do të thotë se 115 shtete janë më pak të korruptuara se ne (për t’u marrë shembull si ia bëjnë) dhe 61 shtete janë më shumë të korruptuara se ne. Është normale që të ketë shtete më të korruptuara se Shqipëria. Kurba e perceptimit të korrupsionit nuk ka dalë dot nga vendet që konsiderohen si të korruptuara. Në 2004-n, Shqipëria ishte në vend të 108, në 2008-n ishte në vend të 85, në 2013-n ishte në vend të 116 dhe një vit më vonë avancoi gjashtë vende më tej. Në harkun e 10 viteve, indeksi tregon ruajtje të një status quo të dëmshme për ecjen përpara në integrim dhe demokraci.
Nga studime të Bankës Botërore, rezulton se sot, nëse një vend perceptohet si i korruptuar, hyrjet e investimeve të huaja bien deri në 20% krahasuar me një klimë normale. Dhe kjo, në vendin tonë, deri më sot është ndier, pasi investimet e huaja dhe shqiptare të shprehura në masën kryesore në privatizime janë zgjatime të korrupsionit apo të hyrjeve të parave të dyshimta. Barriera ndaj investimeve në ekonominë shqiptare vjen për arsye së pari të renditjes që zë Shqipëria përvit në vendet e fundit në Europë, por edhe në botën në zhvillim, ku mendojmë se jemi pjesë e saj. Deri më sot, shifrat e investimeve mbajnë erë propagande, e cila mbaron me vitin buxhetor apo më e shumta me fundin e një mandati politik. Nuk ka ende investime, që të kenë hedhur bazat dhe të kenë krijuar një model zhvillimi industrial apo treg kapitalesh. Dhe kjo propagandë vazhdon mbi 20 vite, edhe pse tregu shqiptar është i hapur për këdo dhe barra e taksave nuk është konsideruar problem për të investuar. Deri më sot, markat prestigjioze dhe multinacionalet nuk i shikojmë ende në Shqipëri. Në vendet përreth, edhe pse ka një treg me dimensione të ngjashme, ka prani më të madhe dhe më të konsoliduar të kapitalit botëror.
Korrupsionizmi dhe zëvendësimi i vlerave
Arsyeja pse korrupsioni i reziston sistemit të vlerave tona është më së paku për shkak të prishjes së raportit me besimin ndaj pushtetit (kontrata sociale), ku meritat e pushtetit burojnë tek antivlerat sociale. Ky besim ka humbur përvit pak nga pak duke parë mungesën e transparencës, llogaridhënies dhe plagosjes së shpresës e kurajës civile e qytetare për ta denoncuar këtë të keqe. Transparenca do të ishte veprimi i parë i vogël në ndryshimin e madh. Ndëshkimi i gjithë çfarë rezulton nga transparenca dhe izolimi social i njerëzve të korruptuar do të bënte dallimin nga mungesa e standardit deri më sot. Zgjimi i moralit qytetar është fitorja e parë në luftën frontale ndaj korrupsionit, duke qenë se është lufta e shumicës ndaj pakicës. Sado e vogël që të jetë fitorja e parë, do të vlejë për të kthyer shpresën dhe besimin në fitoren e luftës ndaj korrupsionizmit. Ndihma e shpejtë konkrete do të ishte spikatja e drejtuesve të saj që të përçojnë vlerat dhe taktikat strategjike të luftës.
Lufta e rinisur ndaj korrupsionit duhet të bëhet në front të gjerë, ku armiku është i dukshëm (të korruptuarit dhe mbrojtësit ligjorë të tyre) dhe i padukshëm (ajo pjesë e pushtetarëve të korruptuar, që janë gjithmonë bashkë në opozitë dhe pozitë). Është momenti që lufta ndaj korrupsionit të konceptohet si luftë për uljen e varfërisë, luftë ndaj evazionit fiskal, ndaj ekonomisë informale dhe arsye për forcimin e kapaciteteve menaxheriale të administratës publike.
Armiku kryesor është korrupsioni politik!
Korruptimi i vullnetit politik (zotimet) të politikanëve është treguesi se ata kanë filluar aktivitetin më fitimprurës dhe me riskun më të ulët për të humbur në 365 ditë të vitit.
Një nga aspektet më të mprehta të rifillimit të luftës ndaj korrupsionit është dezinfektimi i sistemit që nuk ka kryer detyrën ligjore për ta dënuar. Në klimën e sotme globale ndaj korrupsionizmit, lufta duhet parë si një kundërvënie ndaj fenomenit në të gjitha nivelet e pushteteve. Kur arrihen të preken nivelet më të larta, jepet mesazhi se ka filluar lufta ndaj burimit dhe arsyes që infekton të gjithë sistemin. Për drejtuesit që nuk ndërtuan sistemet ligjore për luftimin e fenomenit (mosveprimi) duhet domosdoshmërish ndjekja e modelit që po zbatojnë sot vendet e Ballkanit dhe më gjerë, ndaj përgjegjësve që kanë tejkaluar qasjen e tyre ndaj të mirave publike.