Kronika

Lufta kundër trafikimit të personave, Lu: Qeveria e Shqipërisë, hapa të guximshëm për dënimin e trafikuesve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu deklaroi sot në Konferencën Kombëtare kundër trafikimit të personave se, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të guximshëm në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore.

Ambasadori Lu u shpreh se, rënia e komunizmit i ofroi shumë mundësi të reja Shqipërisë, por tranzicioni lejoi që shumë organizata kriminale të bënin që të binin pre e tyre gra dhe vajza.

“Që prej vitit 2014, qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa të guximshëm për dënimin e trafikuesve. Ajo po trajnon zyrtarë që të dënojnë viktimat e trafikimit”, tha Lu. Sipas tij, “mbetet ende punë për të bërë në fushën e ndjekjes penale të trafikuesve”.

“Duhet të jeni krenarë që Shqipëria ka disa OJQ të drejtuara prej burrash dhe grash të përkushtuar që punojnë në mbrojtje të viktimave të trafikimit. Këta janë heronjtë e vërtetë të Shqipërisë”, tha ambasadori Lu.

“Shpresoj që ne të gjithë ta intensifikojmë luftën ndaj trafikimit të personave”, theksoi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.

Vlahutin: Shqipëria ka bërë përpjekje për të ulur trafikun e qënieve njerëzore

Konferenca kunder trafikimit.Foto Flor Abazaj (3)Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin deklaroi në fjalën e saj në Konferencën Kombëtare kundër trafikimit të personave se, pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit janë gra dhe fëmijë.

Gjithashtu theksoi Vlahutin, “familjet vuajnë gjithmonë nga traumat, por duhet t’u tregojmë vajzave dhe fëmijëve se nuk janë vetëm. Se ka një rrjet të tërë që përpiqet për ta ulur në zero numrin e viktimave”.

“Shqipëria ka bërë përpjekje për të ulur trafikun. Ka firmosur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Tani mbetet të forcjë partneritetin ndërkombëtar në këtë fushë. Inkurajojmë autoritetet të fokusohen në dy aspekte, tek viktimat duke bërë gjithçka për t’i mbrojtur sepse ka një rrezik për t’i riviktimizuar këto gra dhe gjithashtu duhen forcuar kapacitetet për të ndihmar viktimat ndaj trafikimit”, tha ambasadroja Vlahutin.

Sipas saj, forcimi i shtetit ligjor nuk duhet negociuar në këto raste. “Po financojmë disa projekte që po zbatohen dhe ofrojnë ekspertizë teknike dhe ligjore për hetimet për trafikimet”, tha Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së theksoi se, “lufta ndaj trafikimit të qënieve njerëzore nuk bëhet vetëm, Shqipëria po e koordinon këtë punë”.

Trafikimi i qenieve njerëzore përbën një nga format më të këqija të dhunës; është dhunim i rëndë i dinjitetit njerëzor dhe kërcënim për zhvillimin dhe sigurinë e vendit. Kjo është një çështje shumë shqetësuese, jo vetëm për Prezencën e OSBE-së dhe qeverinë, por për gjithkënd.

Wilton: Shqipëria ka tashmë legjislacion dhe politika të mira për anti-trafikimin

Konferenca kunder trafikimit.Foto Flor Abazaj (1)Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, në fjalën e tij në konferencën kombëtare kundër trafikimit të personave nënvizoi dy çështje kyçe që duhen trajtuar me mënyrë të qëndrueshme dhe shumëdimensionale: zbatimi dhe vulnerabiliteti.

“Shqipëria ka tashmë legjislacion dhe politika të mira për anti-trafikimin, të mbështetura nga struktura shtetërore të konsoliduara dhe organizatat e shoqërisë civile. Por, zbatimi mbetet thelbësor, sidomos për identifikimin e të gjitha formave të trafikimit të qenieve njerëzore, për ndëshkimin e trafikantëve dhe, më e rëndësishmja, për mbrojtjen e viktimave të trafikimit”, tha ai.

“Trafikimi dhe shfrytëzimi lulëzojnë në situata vulnerabiliteti të madh. Vulnerabiliteti është ndërthurje e faktorëve të ndryshëm personalë, familjarë, socialë dhe ekonomikë, të cilët e shtojnë rrezikun që njeriu të përfundojë në situatë shfrytëzimi. Dikush bie në kurthin e robërisë me premtimin e rremë se do t’i sigurohet një punë e mirëpaguar, apo me premtimin e martesës. Fëmijët janë më të rrezikuarit nga trafikimi dhe shfrytëzimi. Për shkak të moshës së re dhe, shpesh, lidhjeve familjare me shfrytëzuesin, fëmijët manipulohen dhe kontrollohen më kollaj, duke u bërë objekt i formave të ligjshme dhe të paligjshme të punës. Në rrezik të lartë trafikimi janë edhe migrantët që ikin për t’u shpëtuar konflikteve apo varfërisë”, u shpreh Wilton.

Së pari, theksoi ai, “është detyrë e shtetit, si në nivel qendror edhe vendor, që të zbutë këtë vulnerabilitet. Ndërgjegjësimi është komponent i rëndësishëm, që duhet të jetë plotësues i mbrojtjes shumëdimensionale të grupeve më të rrezikuara të shoqërisë, siç janë gratë, fëmijët, pakicat dhe migrantët”.

“Prezenca e OSBE-së është e angazhuar të vijojë të mbështesë Koordinatoren Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, shoqërinë civile dhe institucionet e tjera, që të ndihmojë në çrrënjosjen e trafikimit të qenieve njerëzore në këtë vend. Ne po punojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të forcuar qasjen ndërinstitucionale në identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Ne po mbështesim hartimin e politikave dhe procedurave për mbrojtjen e fëmijëve në forma të ndryshme shfrytëzimi për punë, sidomos të fëmijëve që përfundojnë në rrugë. Këto përpjekje i kombinojmë me trajnimin e policisë, të shërbimeve sociale dhe të njësive për mbrojtjen e fëmijëve, që të ngremë një sistem të fortë për mbrojtjen e fëmijëve, në nivel qendror dhe vendor, i cili të parandalojë trafikimin e fëmijëve dhe të japë mbrojtje të menjëhershme dhe afatgjatë për fëmijët që janë viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit”, u shpreh Wilton.

“Për bashkërendimin e strukturave të ndryshme, OSBE-ja ka mbështetur përgatitjen e procedurave të Autoritetin Përgjegjës, si struktura qendrore përgjegjëse për bashkërendimin e ndihmës për personat e trafikuar. Shpresojmë që ky Autoritet të jetë tashmë në gjendje t’u japë viktimave të trafikimit ndihmë efektive dhe pa vonesa”, nënvizoi Wilton.
“Puna e detyruar është një fushë që kërkon vëmendje të menjëhershme, prandaj ne po mbështesin inspektimet e përbashkëta ndërmjet policisë dhe Inspektoratit të Punës. Presim të shohim rezultate konkrete në këtë drejtim”, theksoi, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së.

Konferenca u organizua sot në Tiranë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në kuadër të muajit antitrafik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button