Ekonomia

Masterplani i portit të Vlorës, së shpejti nisin punimet

Së shpejti do të nisin punimet për projektin e masterplanit të portit të Vlorës, që është investimi më i madh që është realizuar ndonjëherë në historinë e këtij objekti.

Porti-i-Vlores-Foto-Harilla-KoçiDrejtori i këtij porti, Xhevahir Çeloaliaj, tha për ATSH-në se, “ky projekt madhor tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të konkretizimit dhe nisjes së punimeve në terren”.

“Procedurat për fillimin e zbatimit të projektit, që financohet nga Kooperacioni Italian, janë finalizuar, ndërkohë që është shpallur firma fituese e punimeve që do të nisin shumë shpejt”, theksoi Çeloaliaj.

Lidhur më këtë investim, është prononcuar muaj më parë në një intervistë për ATSH-në edhe Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, zoti Stefano Bergesio, i cili theksoi mes të tjerash se, “rikonstruksioni dhe zgjerimi i portit, do të përbëjë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit në të ardhmen dhe jam shumë krenar që kjo vjen falë Italisë”.Porti i Vlores Foto Harilla Koçi (1)

Masterplani i zhvillimit të portit të Vlorës, që e shndërron atë në një mjedis portual me aktivitet ankorimin dhe përpunimin e trageteve për udhëtarë, do të jetë në përshtatshmëri të plotë me projektin e qeverisë për ndërtimin e shetitores(“Lungomares”), në bregdetin e këtij qyteti.

Sipas drejtorit të portit, Xhevair Çeloaliaj, është punuar me palën italiane që ky projekt të ketë të gjithë elementet që garantojnë këtë përshtatshmëri.

Masterplani i këtij porti, një projekt i përbashkët mes qeverive shqiptare dhe italiane, synon transformimin gradual të tij brenda një periudhe 2-3 vjeçare, gjatë të cilës pritet të konkretizohen investimet e parashikuara.

Një studio e njohur në Padova(Itali), ka realizuar azhornimin e projektit, në funksion të perspektivës dhe profilit të ri të portit, me aktivitet atë të ankorimit dhe përpunimit të trageteve.

Masterplani parashikon rikonceptimin e strukturës aktuale të portit në një mjedis portual me kapacitet ankorues dhe përpunues për tre-katër tragete, nga një që është aktalisht. Nga ana tjetër, do të ndërtohet terminali i ri modern i pasagjerëve, do të zgjerohen sheshet e përpunimit, do të ndërtohen mjediset e reja të doganës, të policisë kufitare e shërbimeve të tjera portuale.

Masterplani i financuar nga Cooperacioni Italian, është investimi më i madh i pritshëm, që është realizuar ndonjëherë në portin e Vlorës dhe konkretizimi i tij do të ridimensionojë rolin dhe funksionin e këtij objekti.

Në bashkëpunim me partnerët italianë dhe përfaqësues të Kooperacionit Italian, janë saktësuar të gjitha detajet dhe është plotësuar dokumentacioni përkatës. Master plani i portit të Vlorës, me një kosto të përgjithshme prej 31 milionë eurosh, përbën një nga investimet më të rëndësishme në Vlorë.

Është parashikuar që, ky masterplan të realizohet në katër faza, tre prej të cilave financohen nga Kooperacioni Italian, me një vlerë të përgjithshme prej 15.3 milionë euro. Tre fazat e para përfshijnë rikonceptimin e skemës së portit dhe transformimin e tij, në një objekt bashkëkohor në përshtatje të plotë me shetitoren përgjatë bregdetit, që tashmë ka nisur.

Projekti, parashikon rikonstruksionin dhe zgjatjen e kalatës perëndimore edhe me disa dhjetra metra të tjera, avancimin në det të brezit që bashkon aktualisht dy kalatat ekzistuese, thellimin e basenit etj.

Përmes masterplanit, do të realizohet një mjedis shumë i sigurtë për mjetet lundruese, të cilat do të ankorohen në hapësirën ujore, duke qenë tërësisht të mbrojtura nga ndryshimet e kushteve të motit dhe ato të lundrimit./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button