Mat, qëllohet me armë shtëpia e kryeplakut të Komsisë
Shtëpia e kryeplakut të fshatit Komsi në Mat ka qënë objekti i të shtënave me armë mbrëmjen e të hënës. Sipas policisë, është qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së A. B, 64 vjeç, i cili është edhe punëtor pranë një fabrike të ferrokromit.
“Në drejtim të banesës është qëlluar me armë zjarri Automatik nga një distancë rreth 50 metra, ku në njërën nga dhomat e banesës është thyer xhami i jashtëm i dritares, dhe në pjesën e jashtme të banesës ka disa vrima të shkaktuara nga predhat e qitura. Grupi hetimor ka mbledhur dhe sekuestruar në vendngjarje 15 gëzhoja. Theksojmë se nga të shtënat me armë nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Policia ka identifikuar autorin, A. GJ, 26 vjeç me precedent të mëparshëm kriminal, i cili është shpallur në kërkim. Dyshohet se shkak janë motive të dobëta, por që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.