Ekonomia

Mazniku: Totali i borxheve që gjetëm në Bashki, 4 miliard lekë

Njësia Bashkiake nr. 9 ka qenë stacioni i radhës i turit të Bashkisë së Tiranës për prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2016. Nënkryetari Arbjan Mazniku  u ndal në situatën makro të projektbuxhetit, duke folur fillimisht për gjendjen financiare në të cilën e la Bashkinë administrata e shkuar, si dhe projektet madhore që pritet të nisin vitin që vjen.

Duke u ndalur te financat e bashkisë, ai tha se gjendja në të cilën u gjet Bashkia e Tiranës ishte mbushur me borxhe dhe fatura të papaguara për punë të kryera dhe për punë të kontraktuara dhe të parealizuara. “Situata, për fat të keq, nuk është e mirë. Qyteti e ka gjendjen financiare të ngarkuar, me shumë borxhe nga e kaluara. Kemi bërë një inventar të totalit të të ardhurave dhe shpenzimeve. Vit pas viti borxhet kanë zënë borxhin dhe sot gjendemi në një situatë, ku totali i borxheve të bashkisë është 4 miliard lekë. Kjo, pothuajse, sa një buxhet i bashkisë në një vit të tërë”, tha Mazniku.

Ai shtoi se në vitin 2015 bashkia kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se sa buxheti vjetor i bashkisë për këtë zë.Bashkia e Tiranës prezanton projektbuxhetin 2016 për Njësinë Administrative nr. 9 (2)

Ndër masat që ka marrë Bashkia për të përmirësuar financat e veta, Mazniku ka përmendur se veç një administrimi shumë më efiçent të buxhetit, do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë forcimit të administratës tatimore. “Të gjithë njerëzit, detyrimet që kanë ndaj qytetit duhet t’i paguajnë në mënyrë të drejtë. Gjatë këtyre dy muajve, të ardhurat e zyrës tatimore janë pothuajse dyfishuar. Nga funksionimi i duhur i administratës tatimore të ardhurat e qytetit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, duke shëndoshur buxhetin e familjes tonë të përbashkët”, u shpreh Mazniku.

Gjithashtu, për përmirësimin e situatës financiare, ai ka bërë të ditur se do vijë në ndihmë edhe krijimi i Agjencisë Tirana Parking, e cila do sjellë të ardhura shtesë në arkën e bashkisë.

Bashkia e Tiranës prezanton projektbuxhetin 2016 për Njësinë Administrative nr. 9Lidhur me projektet dhe punët që do mbështeten financiarisht vitin e ardhshëm në mënyrë konkrete për Njësinë Administrative nr. 9, u përmendën përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe rrugore. Përveç faktit se kjo njësi përfshihet në projektin e Unazës së Vogël të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka planifikuar të investojë në këtë zonë edhe në rehabilitimin e lulishtes në bllokun ‘Mine Peza’, një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit, dhe në sistemimin e trotuareve të rrugës “Ded Gjo Luli”. Gjithashtu, do të ketë ndërhyrje në rrugën “Don Bosko”, e cila përfshin kanalizimin e ujërave të zeza dhe ka pasur një problematikë të madhe ndër vite, si dhe rehabilitimin e trotuareve.

Me buxhetin e vitit 2016, do të bëhet rikonstruksioni i rrugës “Ibrahim Ndroqi”, si dhe do të vendoset shërbim urban në rrugën “Jordan Misja”. Në fushën e arsimit, bashkia do të kërkojë ndihmën e Fondin e Zhvillimit të Rajoneve ose edhe nëpërmjet partneriteteve publike-private, për ndërtimin e një shkolle të re, pranë zonës ish- Uzinës Dinamo. Madje, do të ndërhyhet në mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e ambienteve të të gjitha objekteve arsimore, ku në njësinë nr. 9 përfshihen 8 shkolla, 2 kopshte dhe 2 çerdhe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button