Mbetjet, konçesionet…çfarë do ndodhë në legjislaturën e re me projektligjet e kontestuara
Parlamenti i ri 2017- 2021 me nisjen e punës në muajin shtator do të përballet me një “mal” me projektligje të mbartura nga legjislatura e kaluar.
Në total janë rreth 50 projektligje, të cilët nuk u miratuan në katërvjeçarin e kaluar të koalicionit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Një ndër provat e Qeverisë së re do të jetë miratimi apo jo i projektligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i njohur ndryshe si amendamenti ligjore i propozuar nga Eduard Shalsi, që lejon importin e mbetjeve nga vendet e huaja.
Ndryshimi ligjor u miratua nga Parlamenti, por ai nuk u lejua të futet në fuqi nga ish-Presidenti, Bujar Nishani. Rikthimi i dekretit në Kuvend, dhe reagimin e shoqërisë civile, bëri që nisma ligjore të mbetet në sirtarët e Parlamentit, pasi dekreti nuk mund të rrëzohej pa votat e LSI-së.
Tashmë me Qeverinë e re, e cila i ka 74 votat e vetme, nuk dihet se cili do të jetë vendimi, nëse do e kalojnë ose jo këtë ligj të shumë debatuar. Po ashtu, një nismë që pritet të ngjallë debat është dhe projektligji i LSI-së për koncesionet.
Kjo nismë ligjore ndalon Qeverinë që të japë koncesione më shumë se katër vjet, nëse afati është i gjatë se 4 vite, atëherë vendimmarrja për koncesionet duhet të merret nga parlamenti. Edhe kjo nismë u propozua në shkurt të 2016- ës, por nuk u fut asnjë ditë në kalendarin e punimeve për t’u miratuar.
DEKORATAT
Në parlament nga legjislatura e kaluar ka mbetur pa miratuar projektligji i firmosur nga Edi Rama dhe Taulant Balla për “për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”.
Kjo nismë ligjore ndodhet në sirtarët e parlamentit që nga dhjetori i vitit 2015 dhe asnjë ditë nuk u fut për shqyrtim apo miratim në komisione e më pas në Kuvend. Nisma e firmosur nga vetë Kryeministri Rama si deputet kësaj radhe, parashikon heqjen e dekoratave dhe shpërblimeve financiare ndaj ish-funksionarëve të institucioneve të diktaturës. Kjo nismë ligjore erdhi pas debatit publik që lindi pas zbulimit se Ministria e Mbrojtjes kishte dekoruar në fshehtësi ishdrejtuesit e nomeklaturës komuniste dhe ish-hetuesit e diktaturës.
“Përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendore nderi sipas këtij ligji dhe në rast se kanë marre u hiqet personave, të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte, për krime kundër njerë- zimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë, si dhe personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet e mëposhtme:
a. anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë; b. drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë; b. kryetar i Gjykatës së Lartë; c. Prokuror i Përgjithshëm; c. kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme; d. kryetar i degëve të punëve të brendshme; dh. punonjës i organeve të ishSigurimit të Shtetit; e. bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar prej tij; e. anëtar i Komisionit Qendror të DëbimIntemimeve; f. gjyqtar, prokuror, hetues ne procese politike;”, thuhet në projektligjin Rama-Balla.
Në Kuvend është dhe një nismë e ishdeputetes, Mesila Doda po për dekoratat, por kjo e fundit kërkon që të behët lustracion përveç heqjes së medaljeve të ish-hetuesve. Po ashtu, në axhendë është edhe paketa e ligjeve të Reformës në Drejtësi, të cilët janë propozuar nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, por që nuk u miratuan dot në legjislaturën e kaluar./Panorama