Më i “nxehtë” çmimi se sa ngrohja qendrore
Qytetarët e komunës së Prishtinës, kryesisht janë shprehur të kënaqur me ngrohjen që po ju ofrohet tash e sa ditë, pasi edhe ka hyrë në funksion ngrohja me avull. Por, ajo që i shqetëson ata është çmimi i lartë, i cili thonë se është i paarsyeshëm.
Ngrohja me avull në lagjet të cilat janë në lartësi më të ulëta apo më afër ngrohtores, siç është lagja Dardani dhe Ulpiana, kanë ngrohje më shumë se sa banorët e lagjeve që janë më lartë furnizuesit.
Fatbardha Miftari, që jeton në lagjen e Bregut të Diellit, ka thënë se nuk po mjafton kjo ngrohtësi dhe se nuk ka ngrohje ashtu siç kanë premtuar. Nxehje ka por nuk ka me atë kapacitetin e madh ashtu siç kanë premtuar, domethënë se ka nxemje nuk është që nuk ka por ato radiatorët vetëm të vakët janë. Ama ka por jo të kënaqshëm qysh kan premtuar.
Edhe Hanumshahe Shala, po ashtu nga lagjja e Bregut të Diellit, thotë se ngrohje nuk ka pothuajse fare. “Jo loke, çka kemi, me ata na nuk mujna mu nxe. Kaminën e kem ndez me dru, me qymyr, në banjo nuk është ardhur hiç, hiç, hiç asnjë pikë, pak është. Unë kam qenë te vajza e kunatit në lagje të spitalit e u dashke me i hap dritaret ndërsa tek ne jo, me andaj s’mundemi me u nxe”, tha Shala
Ndërsa, Mensur Ilazi, banor i Dardanisë, thotë se sivjet ngrohje po ka shumë, ndoshta edhe më tepër se që duhet. “Për nxehje, besoni edhe ne edhe fëmija nuk mundemi me flejtë ashtu siç kemi flejt përpara, duhet me hapë dritaren sepse është me të vërtet nxehtë”, ka thënë ai.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ende nuk është lëshuar i tërë kapaciteti i ngrohjes, prandaj sipas tij, disa lagje që janë në lartësi më të lartë tani kanë më pak ngrohje, ndërsa ato që janë më poshtë kanë më shumë.
“Le t’i presin tash temperaturat e ftohta sepse është e vërtet se ndoshta në këto temperatura po ju duket ngrohtë por prej kësaj jave fillojnë temperaturat më të ftohta dhe më mirë është të kemi ngrohje se sa të mos kemi. Megjithatë në muajt dhe vitet në vijim është e planifikuar që të ketë edhe investime të tjera në rregullimin e rrjetit dhe rregullimin e nënstacioneve e deri në momentin kur do t’i kemi njehsorët dhe matësit individual nëpër çdo banesë, me ç’rast do të mund të rregullohet edhe temperatura në banesa. Mirëpo në këto momente është mirë që kemi ngrohje bile duhet ta përmendim që nuk është kapaciteti më i madh, domethënë ende nuk është lëshuar në kapacitetin më të madh… Në këtë moment nuk ka nevojë të lëshohet në maksimum sepse është një valvule atje që e hap avullin deri në 15 %, momentalisht është 5-6 %, që i bie që gati ka edhe 2 herë e gjysmë kapacitet ma shumë, mirëpo them se në disa pjesë është më nxehtë të cilat janë në lartësinë më të ulët, Ulpiana, Dardania. Në breg të diellit është pak më ftoftë për shkak se është më lart”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës tha se ai dhe qytetarët janë në dijeni se në disa pjesë ka prishje, por sipas tij, këto probleme pritet të rregullohen në fazën kur do të riparohen nënstacionet.
Por ajo që është më shumë shqetësuese për banorët e Prishtinës, që ngrohen nga Termokosi, është çmimi i lartë, i cili është një euro për metër katrorë. “Në fillim nuk ishim të kënaqur nuk ishte nxehtë, por gradualisht duke u rrit nxehtësia tani është arrit një maksimum, ndoshta pse është 24 orë është mjaftë nxehtë sa që nganjëherë bëhet i padurueshme. Në çmim kemi marrë vësh që është pak i lartë, mendoj për kushtet tona, standardin tonë, se tani nuk ka më shpenzime nuk blihet mazuti dhe ato janë nga avulli. Ne i kuptojmë ato tjerat që janë, rrogat e punëtorëve dhe të tjerat, megjithatë duhet një çmim më i kapshëm me qenë”, tha Imeri.
Të njëjtën gjë e mendon edhe Laz Ndrecaj, i cili thotë se çmimi nuk përputhet me koston. “Ngrohja është shumë në nivel dhe jemi të kënaqur me ngrohje tash për tash, por çmimi është shumë i lartë, në raport me çmimin e kostos. Unë kisha dashur që patjetër çmimi i kostos të shqyrtohet edhe një herë nga ana e bordit të drejtorëve sepse një çmim i tillë është shumë i lartë”, tha Ndrecaj.
Për çështjen e tarifave të ngrohjes, zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji, Adelina Murtezaj, ka thënë se çmimi është i njëjtë me vitin e kaluar dhe se ky çmim e arsyeton koston e shërbimit dhe sipas saj këtë vit nuk do të ketë ndryshim, ndërsa për vitet në vazhdim nuk është caktuar asgjë.
Ngrohja me avull ka filluar me 28 nëntor kur edhe ka përfunduar faza e parë e lidhjes së ngrohtores me B1, ndërsa sipas Shpend Ahmetit, B2 pritet të lidhet më vonë.