Maqedonia

‘Media me qasje patriarkale ndaj grave shqiptare për deputete në Maqedoni’

Politika për burrat! Politika i atribohet vetëm burrit! Femrat nuk janë të afta për të udhëhequr politika të mëdhaja!…Kur lexojmë kështu parrulla, kjo nuk shpie në ndonjë privilegj, por realisht duken të padrejta. Erich Fromm thotë se patriarkalizmi është koncept totalitar, shtyp më të dobëtin, duke i’u referuar më së shumti psikologjisë humanistike. Kur flasim për patriarkalizmin, më pak i shpëton gjinia më sublime, gjinia femërore. Kësaj radhe do të mëtojmë patriarkalizmin në politikë, qasjen e medias ndaj grave deputete shqiptare në Maqedoni. Në lidhje me rolin e grave deputete për avancimin e femrës shqiptare në Maqedoni dhe sa media ka qasje diskriminuese ndaj tyre në paraqitjet publike, këto dhe të tjera çështje, për Telegrafi Maqedoni flasin Gjylymsere Kasapi nga LSDM, Arta Toçi nga Aleanca për Shqiptarët, Merita Mustafai BDI, Ermira Asani-Salija nga Lëvizja Besa, Jalldëze Osmani nga PPD, kurse nga deputetja Merale Ferati, nuk u arrit një kontakt në mes saj dhe Telegafit, pas shumë përpjekjeve në forma të ndryshme.

Gjylymsere Kasapi nga LSDM në Njësinë zgjedhore 6, për Telegrafi Maqedoni shprehet se fillet e kontributit të saj në mënyrë аktive për avancimin e gruas shqiptare fillojnë që nga viti 1990.

‘Unë jam e njohur si luftëtare e denjë e barazisë gjinore dhe këtë e kam dëshmuar me shumë aktivitete dhe vepra. Në vitin 1990 kam themeluar Shoqatën e grave në Maqedoni, respektivisht në Tetovë. Në vitin 1992, jam nismëtare së bashku me 15 zonja nga Maqedonia, e themelimit të lidhjes së grave shqiptare, si dhe kam marrë pjesë në shumë organizime tjera për avancimin e gruas shqiptare. Tani, nëse zgjidhem deputete, do të mbroj interesat, në radhë të parë interesat e grave, fëmijëve dhe të gjitha kategorive të cilat kanë nevojë për mbrojtje dhe janë me shumë nevoja. Në Parlament do të angazhohem në mënyrë të veçantë që të mos ketë diskriminim dhe kategori të diskriminuara pa marrë parasysh a janë persona me nevoja të veçanta, femra apo fëmijë, ku do të jenë kategoria më e dëshiruar për tu mbrojtur nga ana ime.”

Kasapi thotë se nuk ka ndonjë diskriminim të madh mediatik dhe se çdo ofertë që i bëhet për emisione debative e ka pranuar.

‘Nga media, nuk mendoj se ka ndonjë diskriminim të ashpër. Mua më është bërë ftesë në Alsat-M dhe gjithë andej ku më bëhen ftesa, unë marr pjesë. Nga aktivitetet në terren, nuk kam pasur mundësi t’iu përgjigjem ftesave mediale, por vetëm atëherë kur kam pasur mundësi në cilësinë e një deputete të ardhshme’.

Arta Toçi e LR-PDSH-së, kandidate për deputete në NJZ numër 6 , thotë se partia e saj i ka kushtuar program të veçantë avancimit të gruas në shoqëri.

‘Aleanca për Shqiptarët i ka dhënë një hapësirë shumë të gjërë funksionimit të asalmblesë së femrës. Ne platformën e asamblesë së femrës qe e kemi, flasim qartë për avancinimin e pozitës së femrës në shoqëri. Kemi edhe pikat që flasin për bashkëpunimin e femrave në suaza kombëtare, me femrat e Kosovës dhe Maqedonisë’.

Ndryshe nga Kasapi, Toçi thotë se duke pasur parasysh se media luan rol të rëndësishëm në shoqëri, ajo shprehet se media ka qasje diskriminuese ndaj pozitës së femrës.

‘Nga ajo që shohim, në prezantimet e deritanishme, asnjëra nga femrat e partive nuk ka dalë në emisione debative. Neve nuk na kanë ftuar dhe duke e pasur parasysh se media luan një rol në trendet shoqërore, mund të themi se media po i jep një kahje diskriminuese pozitës së femrës në shoqëri. Vetë media e cila po deklarohet për avancimin e femrës në shoqëri dhe i kritikon partitë politike, pikërisht është media që e diskriminonë pozitën e femrës në trendet e mëtejshme shoqërore. Edhe nëse na thërrasin në emisione, janë emisione me stereotipe. Unë mendoj se pyetjet për avancimin e femrës shqiptare në Maqedoni, duhet t’i drejtohen mashkullit dhe jo femrës’.

BDI është partia e parë me deputete shqiptare në parlament, si dhe që ka pasur femër në funkskione të larta shtetërore, kështu shprehet Merita Mustafai nga BDI në NJZ numër 6.

‘Bashkimi Demokratik për Integrim ka program të veçantë për avancimin e gruas shqiptare në Maqedoni, por edhe unë si femër që pretendojë një ditë të jem deputete, kam menduar në këtë aspekt gjithë kohës që kam tentuar të hyjë në politikë dhe të jem pjesë e saj. BDI ka qenë partia e parë që ka fut femër deputete (shqiptare) në parlament, që ka ministre, zëvendës kryeministre, femrën e parë që e ka kryetare komune. Rol të veçantë ka pasur edhe kryetari Ali Ahmeti, i cili çdoherë ka pasur konsideratë ndaj femrave që janë pjesë e BDI-së dhe u ka dhënë hapësirë dhe mundësi që ato të tregojnë sesa mund të japin për politikën shqiptare në Maqedoni’.

Por, çfarë thotë Mustafai në lidhje me diskriminimin e medias ndaj grave deputete dhe a sillet me media mentalitet patriarkal, kësaj pyetje ajo i përgjigjet me një ‘Po’ të madhe.

‘Kësaj pyetje do t’i përgjigjem me ‘Po’ të madhe. Ndoshta ende ai mentaliteti patriarkal se politika është për burra. Punët e mëdhaja janë për burra dhe ndoshta ajo qasje pak a shumë është mbjellë edhe te gazetarët edhe te mediumet. Fakti që gratë nuk merren shumë nëpër debate ka edhe një sqarim tjetër, ndoshta burrat nuk do të mund shpreheshin aq ashpër ndaj një gruaje sa që mund të shprehen ndaj burrave oponentë të tyre’.

Ndërkaq, Ermira Asani-Salija nga Lëvizja Besa në NJZ , thotë se diskriminimi gjinor është prezent në çdo sferë dhe duhet të përdoren gjithsesi kuotat e rezervuara për femra.

‘Femrat çdo ditë mundësojnë mbarëvajtjen e familjeve me pak resurse deri në rezultate shumë të mira. Si deputete kjo do të thotë që sigurohemi mos ikë asnjë mundësi që në çdo ligj që kalon në kuvend të futen mekanizma në favor të përfshirjes së gjysmës së popullatës – femrave. Nuk ka asnjë lëmi ku diskriminimi gjinor nuk është prezent, ndaj nisur nga kjo situatë duhet të përdoren gjithsesi kuotat e rezervuara për femra, adaptimi i kushteve të punës dhe legjislacionit në pajtueshmëri me vlerat familjare të moralit. Kjo rezulton në më shumë femra shqiptare studente, punëtore, deputete të cilat nuk do të jenë të detyruara të zgjedhin në mes karrierës e familjes’.

Asani-Salija thotë se media në Maqedoni vepron në një mjedis ku çdo gjë është e kufizuar dhe se femrat nuk mund të pretendojnë se do të shihen nga mediat për punën që bëjnë.

‘Mediat dhe femrat në vendin tonë provojnë të veprojnë në një mjedis ku çdo gjë është e kufizuar nga ata që kanë në dorë pushtetin dhe financat. Ndaj as mediat tona nuk kanë luksin të jenë të pavarura, profesioniste dhe sfiduese e as ne femrat mund të pretendojnë se do të shihemi nga mediat për punën që bëjnë në familje, shoqëri dhe politikë e jo vetëm si dekor i imponuar në garën politike. Sa e mjerueshme është gjendja tregon fakti se jeta private e një deputeteje ngjall shumë më shumë interes sesa zbulimi i një megaskandali korruptiv si ‘Magyar Telekom”.

Propozimi i projekteve konkrete, sidomos për barazi të femrës shqiptare në shoqëri, do të jenë prioritet për kandidaten e PPD-së, Jalldëze Osmani.

‘Edhe pse partitë politike me ligj janë të detyruar të përfshinë gjininë femërore në listat zgjedhore, sidomos në pjesën e parë të listës, në 10 vendet e para të listës duhet të jenë të radhitura katër femra. Mirëpo kjo nuk vlenë për prezantimin e kandidateve femra edhe në debatet televizive si dhe nëpër mediat tjera. Nëse zgjidhem si deputete do ta prezantoj programin e PPD-së dhe do të propozoj projekte konkrete, sidomos për barazi të femrës shqiptare në shoqëri. Pjesëmarrje të barabartë të femrës në jetën shoqërore dhe publike, për të drejtat e gruas dhe autonominë e saj, si parakusht për prosperitet të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes’.

Osmani njëjtë si parafolëset nënvizon diskriminimin si koncept i dukshëm dhe se nuk i është dhënë ndonjëherë hapësirë përveç kësaj rradhe te Telegrafi, si medium i shkruar online.

‘Prej kur ka filluar fushata zgjedhore, unë personalisht si kandidate e PPD-së, por mendoj dhe jam e bindur se asnjëra nuk ka pasur thirrje nga ndonjë medium. Kështu që diskriminimi i femrës në media është i dukshëm’.

Nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), ashtu siç e cekëm, Telegrafi Maqedoni disa ditë me rradhë ka tentuar të kontaktojë në telefon kandidaten e PDSH-së, Merale Feratin, poashtu edhe në e-mail, por nuk ka pasur disponim të flet për rolin e saj në avancimin e femrës shqiptare.

Duke pasur parasysh, që në formimin e listave partiake në Maqedoni, vetëm katër femra janë bartëse të listave për deputet. Sipas kodit zgjedhor, përfaqësimi i gjinisë femërore në listat për deputet duhet të jetë 40 përqind. Teoritikisht kjo është respektuar, por jemi dëshmitarë se përveç se nuk ka barazi te ndarja për bartës të listës, ne e shohim se femrat zakonisht janë në fund të listave. Diskriminimi gjinor ka gjithëandej, nga media, politika dhe thënë shkurt nga e gjithë shoqëria.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button