Te ndryshme

Megaprojektet utopike që mund të ndryshonin jetën tonë

Shkretëtirat do të lulëzonin nga uji që do të sillej prej deteve jo shumë larg tyre, do të thaheshin oqeane, krijoheshin liqene, dete e lumenj, ndërsa relievet e klima e kontinenteve do të mund të ndryshonte rrënjësisht: në fillim të shekullit të njëzetë, shumë inxhinierë idealistë apo pseudoshkencëtarë besonin se mund ta ndryshonin planetin, duke e formësuar atë sipas fantazive të tyre. Disa prej tyre u bënë realitet, por shumica e planeve mbeti jo thjesht një ëndërr në sirtar

Çfarë mund të thoshim në ditët e sotme nëse dikush do të thante 5000 kilometër katrorë dhe do të pomponte ujë, për të siguruar kështu sa më shumë sipërfaqe toke dhe të ngrinte në to koloni të reja njerëzore?

Në epokën e kultit të mbrojtjes së ambientit, por edhe të sallave të stërmëdha të koncerteve dhe aeroporteve multifunksionale, të smartfonëve apo internetit high-speed, prej kohësh nuk vlen më sinteza: “Ajo çfarë është e mendueshme, është edhe e realizueshme”.

Në fillim të shekullit të 20, punët ishin ndryshe. Një tendencë dhe shtytje teknologjike – deri në atë kohë e paparë – bëri që të shpërthente një eufori e pakufishme ëndrrash utopike. Absolutisht çdo gjë shihej si e realizueshme – dhe në fakt jo gjithçka prej tyre ishte një fantazi boshe ëndërrimtarësh, profanësh injorantë apo spekulantësh politikë.

Përse pra të mos thahej edhe një sipërfaqe detare? Qysh prej vitit 1861, inxhinieri holandez, Cornelis Lely, kishte punuar për një plan të tillë. Që nga viti 1920, ndërsa ishte bërë tashmë edhe anëtar i kabinetit qeveritar në Mbretërinë Holandeze, ai ia nisi të merrej vetë me zbatimin e këtij projekti vërtet ambicioz edhe për kohët e sotme.

Dekada më vonë, holandezët kishin fituar kësisoj plot 3000 km katrorë tokë, të marra nga deti – duke u treguar “të ngopur” e mos vijuar më tej me këtë projekt. Me të ashtuquajturin Ijsselmeer lindi kështu një ishull i brendshëm gjigant dhe i ri në hartën e Holandës.

Sot atje jetojnë mbi 400 000 banorë në një areal shumë të dendur, ku para 80 viteve u ngrit Zuiderzee, asokohe akoma pjesë e Detit të Veriut. Lely e kishte bërë kështu projektin më të madh të shekullit të njëzetë për përfitimin e sipërfaqeve tokësore prej atyre detare, tashmë një realitet.

Ëndrra gjiganteske

Suksesi i Zuiderzee u shndërrua në një dëshmi fizike se para veprës së inxhinierisë, natyra do të mund të kapitullonte. Kjo bëri që edhe shumë njerëz vizionarë e realistë, të flisnin mbi fantazi utopike, e jo thjesht ëndrra.

Kështu, nga viti 1930 nisi të merrej tejet seriozisht për shembull, lajmi se inxhinierët anglezë po planifikonin tharjen e Detit të Veriut, për ta lidhur Europën kontinentale me ishullin britanik.

Plani ambicioz lindi fillimisht nëpër gazetat amerikane. Pak pas tyre edhe gazetat britanike, ato australiane e ato gjermane, raportuan menjëherë, vetëm se në rastin e fundit, ideja u atribuohej inxhinierëve gjermanë.

E kundrejt të tilla planeve madhore, përftimi i sipërfaqeve të tokës nga deti, të realizuara nga inxhinieri holandez, shihej tashmë vetëm si një lojë kalamajsh në rërë buzë detit: një digë gjigante do të duhej të ngrihej si pasojë në Detin e Veriut që nga Norfolk-u anglez në formë harqesh të mëdha që do të kalonin apo vinin këmbë mbi “Doggerbank”, duke vijuar deri lart në Danimarkën veriore.

Në jug do të ngrihej diga e dytë mes Doverit dhe brigjeve franko-belge. Kanali i La Manshit do të reduktohej kësisoj vetëm në një lumë po aq të madh sa dhe Tamizi, e do të kalohej kësisoj vetëm me një urë.

Toka e përftuar nga kjo lëvizje do të ishte rreth 259 000 kilometër katrorë, pra 86 herë më shumë se sa sipërfaqja që përfitoi inxhinieri holandez me planin tashmë të realizuar.

Bashkim artificial kontinentesh

Zgjerimi i pretenduar i kontinenteve drejt Perëndimit lindi si ide në fakt në vitin 1932, çka rezultoi sigurisht vetëm një fantazi e pastër spekulative. Ndoshta, kjo u frymëzua nga një plan i menduar seriozisht: që nga viti 1928, arkitekti gjerman Hermann Sörgel, bëri publik planin e tij “Atlantropa”.

Sörgel planifikonte një tharje të pjesshme të Mesdheut, për të krijuar një “hapësirë të re jetike” prej rreth 500 000 km katrorë. E kjo do të duhej të shpërndahej nga Atlantiku dhe Deti i Zi me turbinë në basenet e detit Mesdhe e uji që do të pompohej pa ndalim, do të siguronte energji të pafundme.

Me ndihmën e tyre më pas do të bëheshin pjellore dhe Saharaja, sipas vizionit të Sörgel. Pasi nga jugu do të ishin tri dete apo liqene të brendshme të mëdha, si pjesë e projekteve me diga madhështore, ato do të siguronin ujë mjaftueshëm që do të shpërndahej me anë të një “Nili të dytë”, duke sjellë ujë të ëmbël në shkretëtirën e etur jetë.

Plani i Sörgel-it do ta kishte parë kësisoj Afrikën të ndarë në dy pjesë të mëdha, me dy liqene gjigante.

Mirëpo Sörgel nuk dukej se ishte aspak një injorant. Ai kishte menduar edhe për ndjesitë kulturore madje. Kështu për shembull, duhej të ruhej karakteri i qytetit lagunor të Venecias, në të cilin ai donte të ndërtonte edhe një liqen artificial.

Qytete të tjera si Marseja, Napoli apo dhe Gjenova, përkundrazi do të bëheshin më të bukur dhe më modernë duke u shtrirë mbi brigjet e rinovuara.

Një plan i mirë që nuk gjeti pak adhurues, Atlantropa u kthye në pak kohë në një koncept shumë të diskutuar. Vetë Sörgel gjeti një zgjidhje për shumë probleme me anë të tij.

Përpjekja për të krijuar “hapësirë jetike” në fillim të viteve tridhjetë, nisi të shihej shpesh si një faktor për prishjen e paqes, pasi kishte frymëzim nazist. Por gjendja e pashpresë e ekonomisë botërore, mund të tejkalohej duke u marrë me projekte të tilla supermadhore që kërkonin angazhimin e qindra mijë njerëzve dhe bashkimin e forcave të shumë kombeve, çka mund të shihej nga ana tjetër si një ide e mirë!

Sörgel e pa (ose e shiti) Atlantropa-n kështu si një projekt të paqes: nazistët nuk mund ta identifikonin veten dot me këtë, por nga ana tjetër nuk i penguan projektet. Në vitin 1938, Sörgel publikoi librin e tij “Tri A-të e mëdha”, me të cilat mendoheshin “Amerika, Atlantropa dhe Azia”.

Nga projekti i ndërtimit të digave, nuk u realizua as ëndrra e shkrirjes së dy kontinenteve – Atlantropa, fuzioni i Afrikës me Europën e jo më destinacioni i tij final, një utopi vërtet qesharake.

Sörgel e ëndërronte atë deri më 1952-n, kur ndërroi dhe jetë. Kur vdiq, instituti i themeluar prej tij me emrin “Atlantropa”, numëronte plot 1200 anëtarë, dhe madje edhe “New York Times” i kushtoi vdekjes së tij një vëmendje të veçantë.

Marshimi i ujit: Fundi i Saharasë?

Sörgel nuk ishte i vetmi. Ëndrrat që lidheshin me përfitimin e sipërfaqeve të mëdha tokësore nga deti, ishin bërë tashmë popullore prej dekadash. Sidomos riformatimi i Afrikës u bë objekt i shumë “shkencëtarëve”: qysh në vitin 1877, inxhinieri britanik Donald Mackenzie propozoi që me anë të një kanali që do të kalonte nëpër Marok, të ngrihej një det i brendshëm artificial me sipërfaqe rreth 155 000 km katrorë që do të prekte edhe Saharanë.

Ai nuk do të kontribuonte që të ndryshonte vetëm klimën në atë rajon. Ai shpresonte që nëpërmjet përftimit të ujit të ëmbël, ta bënte sigurisht më pjellore tokën atje.

Kjo ngjante një ide e mirë. Francezët pak më vonë planifikuan që të shponin tejpërtej sipërfaqet në Tunizinë e sotme dhe Libinë, duke krijuar lumenj e kanale artificiale; gjermani Albrecht Penck qysh më 1916-n kishte në vizionin e tij groporet mes Libisë dhe Egjiptit.

Në vizionet më të guximshme, ai po planifikonte lidhjen e Nigerit me rrjetin imagjinar të liqeneve të brendshme afrikane. Mirëpo Saharaja mbeti edhe sot e kësaj dite një shkretëtirë: veç financave dhe fizikës së terrenit, ishin edhe dy luftëra botërore ato që ndikuan që këto plane të mbeteshin vetëm ëndrra.

Disa prej tyre megjithatë kanë vijuar të mbeten sfida me të cilat njerëzimi u mor apo merret edhe sot e kësaj dite, duke tentuar t’i përmbushë. Mjafton të kujtojmë planet e realizuara për tunelin nënujor të La Manshit. Por plani për të ndërtuar një tunel apo kanal nënujor që do të duhej të pomponte ujë deri në groporet e Kataras, 130 metër thellësi, për të prodhuar energji, u diskutua deri në vitet shtatëdhjetë në fakt, duke mos sjellë asnjë rezultat dhe braktisje në fund.

Për problemin e ndërtimit të një lumi 80 km të gjatë pjesërisht të futur thellë në shkëmb, inxhinieri Friedrich Bassler në vitin 1965 gjeti madje një zgjidhje edhe “më komode”: “Kjo, tha ai, do të mund të realizohej fare lehtë me shpërthimin e 213 bombave atomike nëntokësore me sasi 1,5 megaton”.

Budallallëk? – Sigurisht, parë nga perspektiva e sotme, më shumë ai lidhej me kohën kur u tha; ishte tipike për ato kohëra: në vitet pesëdhjetë, amerikanët po planifikonin disa projekte nën emrin e koduar “Plowshare”, në të cilat bombat atomike shiheshin si “pajisje ndërtimi”.

Në Alaskë, pesë mbushje bërthamore do të duhej të krijonin një lloj porti të ngritur nxitimthi për qëllime të veçanta, ndërsa në Nikaragua do të lidhej edhe një herë Oqeani Atlantik me Paqësorin, sikurse në Panama, duke çarë shkëmbinjtë. Ndërkaq, në ish-Bashkimin Sovjetik, po mendohej seriozisht për t’u ndryshuar drejtimin rrymave siberiane.

Në vështrim retrospektiv, kur e analizojmë sot në qetësi, mund të themi se kemi qenë ndoshta me fat që të tilla projekte nuk e gjetën kurrë rrugën e realizimit. Do të kishin bërë që të ndryshonte jo vetëm relievet e forma e tokës, por para së gjithash edhe klima në një masë ndoshta katastrofale e të pariparueshme. Por sigurisht se fantazia dhe idetë inxhinierike, do të vijojnë të jenë burim frymëzimi për shumë vepra të mira, për të cilat njerëzimi ka pasur dhe do të ketë gjithnjë nevojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button