Kronika

Meksi propozon shkarkimin e Fullanit, refuzojnë pesë anëtarët

keshilli-mbikeqyres-214x320Teknologjia

“Falë teknologjisë së instaluar në ambientet ku ruhet paraja cash, është mundësuar zbardhja e shumë prej fakteve”

Cash

Po punohet për rivlerësimin e rregullave, procedurave që lidhen si me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash

Mbikëqyrja

Në kuadër të sigurisë fizike është vendosur dublimi i operatorëve vëzhgues në ambientet e monitorimit elektronik

Guvernatori dhe Këshilli: Nuk kemi kryer shkelje ligjore

Nga Zamir Alushi

Ermelinda Meksi propozon shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (BSH), ndërsa pesë anëtarët e tjerë e refuzojnë. Mbledhja katërorëshe pas debateve, ka përfunduar me konkluzionin që guvernatori Fullani dhe asnjë nga gjashtë anëtarët të mos japin dorëheqjen për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Drejtoria e Emisionit të Parasë. Sipas komunikatës së BSH-së, Këshilli Mbikëqyrës nuk pranon të ketë shkelur ligjin. Grupet e punës, të ngritura për të bërë vlerësimin administrativ të respektimit të procedurave, kanë arritur në përfundimin se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorëve. Duke dalë nga mbledhja katërorëshe, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi, ka theksuar se, ndryshe nga mbledhja e parë, gjithçka, i tërë debati, tanimë do të jetë i pasqyruar në deklaratën e BSH-së, që pritet të shpërndahet për mediat. “Shpresoj që qëndrimin tim ta gjeni të pasqyruar më mirë në deklaratën finale”, deklaroi Meksi. Pas saj kanë dalë nga ambientet e bankës edhe anëtarët Eva Golemi dhe Petraq Milo, të cilët gjithashtu kanë bërë komente mbi debatet e mbledhjes. Dy anëtarët e tjerë, Dhori Kule dhe Ardian Civici, janë larguar të fundit nga selia qendrore e Bankës së Shqipërisë, duke lënë në godinë vetëm guvernatorin Ardian Fullani dhe zv/kryetaren Elisabeta Gjoni.

Propozimi

“Në këtë mbledhje, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi, në përputhje me nenin 47, pika 2, germa C të Ligjit ‘Për Bankën e Shqipërisë’, propozoi shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (pesë anëtarët e tjerë të pranishëm) nuk e pranoi propozimin e saj”, kështu thotë deklarata e BSH-së. “Një mbledhje e posaçme për t’u njohur me dinamikën e punës në Bankën e Shqipërisë që nga mbledhja e fundit e deri më sot”, e përshkruan zyrtarisht BSH-ja objektin e takimit të këshillit. Një hapësirë të veçantë, Këshilli Mbikëqyrës i kushtoi edhe analizës mbi prononcimet mediatike, si dhe qëndrimeve të shprehura në publik nga persona të ndryshëm në lidhje me ngjarjen e vjedhjes.

Përgjegjësia e “elementit njerëzor”

Në përgjigje të pyetjes logjike se “çfarë ka çaluar atëherë?”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se është elementi njerëzor, i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka lehtësuar punën e elementit kriminal për të realizuar vjedhjen. “Mësimi që kemi nxjerrë nga analiza e hollësishme e këtij akti të shëmtuar është se zbatimi me rigorozitet i rregullave dhe procedurave është një domosdoshmëri e përditshme”, thuhet në një nga konkluzionet e këshillit. Forcimi i disiplinës në punën për çdo njësi dhe çdo punonjës të veçantë, sipas njoftimit, përbën një prioritet të vazhdueshëm të veprimtarisë së përditshme. “Vetëm në këtë mënyrë, do të shmangen praktika apo sjellje që nxitin rutinën, familjarizimin, monotoninë dhe uljen e vigjilencës në punë”, thekson BSH-ja.
Kallëzimi

Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë pas konstatimit të vjedhjes, duke kryer kallëzimin penal dhe duke vënë në dispozicion të organit të akuzës të gjithë dokumentacionin dhe provat e kërkuara prej tij. Vazhdimi i bashkëpunimit me intensitet me prokurorinë, për të mundësuar një hetim të shpejtë dhe zbardhjen përfundimtare të kësaj ngjarjeje, sipas BSH-së, do të sqarojë përgjegjësitë e çdo individi nën akuzë dhe do ta lehtësonte shumë situatën brenda bankës.
Administratorët dhe Këshilli

BSH këmbëngul se Këshilli i Mbikëqyrjes dhe administratorët nuk kanë përgjegjësi. Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e madhe të publikut, si dhe për të garantuar mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen, theksohet në deklaratën e BSH-së, kemi analizuar në vazhdimësi të gjitha elementet për të kuptuar shkaqet e ndodhjes. Grupet e punës, të ngritura për të bërë vlerësimin administrativ të respektimit të procedurave, sipas BSH-së, kanë arritur në përfundimin se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorëve, se i gjithë kuadri ligjor dhe rregullator është i plotë dhe garanton administrimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe të sektorit bankar. “Në mënyrë të veçantë, u verifikua baza rregullatore dhe ajo procedurale që trajton ruajtjen, përpunimin dhe sigurinë fizike të parasë cash, nga ku konfirmohet se në vazhdimësi ajo ka qenë e mjaftueshme për të eliminuar çdo boshllëk ligjor që mund të krijonte keqinterpretime apo kuptime të dyfishta në lidhje me përgjegjësitë individuale të çdo punonjësi të përfshirë”, njofton BSH-ja.

Figura

Verifikohet “pastërtia” e punonjësve të bankës

Pas skandalit të vjedhjes në Thesarin e Bankës, punonjësit e rinj do të kalojnë në vëzhgim të rreptë qysh para rekrutimit. “Janë marrë masa për forcimin e kërkesave për figurën e punonjësve, sidomos për disa pozicione të caktuara në bankë, si dhe për verifikimin në vazhdimësi të figurës së tyre”, informon Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së. Në përputhje me Kodin e Etikës të punonjësit të Bankës së Shqipërisë, çdo punonjës dhe në veçanti nga personeli i bankës që është i ngarkuar me vlera monetare, që ushtron funksione kontrolli ose funksione mbikëqyrjeje të sistemit bankar, kërkohet të vetëdeklarojnë, si dhe të lëshojnë autorizimin përkatës për t’u verifikuar në bashkëpunim me organe dhe me institucione të specializuara shtetërore, rreth raportit që ata kanë me sjellje apo qëndrime të tjera që bien ndesh me etikën në punë të punonjësit të Bankës Qendrore. Ndërkaq, banka i kërkon rregullisht policisë verifikimin e personalitetit të punonjësve që mbulojnë sektorë me risk.

Kërkesa

Kuvendi të zgjedhë zëvendësin e Fullanit

Këshilli Mbikëqyrës shprehu edhe njëherë nevojën e plotësimit sa më shpejt nga Kuvendi i Shqipërisë të dy vendeve vakante dhe caktimin e zëvendësguvernatorit të dytë. “Do të vazhdojmë të jemi të hapur dhe të informojmë Kuvendin e Shqipërisë, ekzekutivin, sistemin bankar, shoqatat e biznesit, si dhe grupe të tjera të interesit në lidhje me zhvillimet, ndikimin dhe masat që kemi dhe do të marrim në vazhdimësi. Është vendosur një komunikim institucional me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke u dhënë atyre sqarimet e rastit, si dhe për të kërkuar asistencë të specializuar për shumë nga elementet që lidhen me rrezikun operacional të veprimtarisë”, renditen masat e Këshillit Mbikëqyrës pas situatës së krijuar nga vjedhja.

Hetimet

Kompania që instaloi kamerat në Thesar ruan regjistrimet për 36 muaj

Prokuroria: Brenda javës marrim filmimet e tri viteve

Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, ka ende shpresë se mund të gjejë pamjet e regjistruara në tri vitet e fundit në Thesarin e Shtetit. Me sigurimin e këtyre pamjeve, prokuroria pritet të zgjerojë hetimet për zbardhjen e krimit të rëndë, pasi deri më sot, nga dhjetë të arrestuarit, vetëm Bitraj ka pranuar se ka pasur dorë në vjedhjen e të paktën 7 milionë dollarëve.

Brenda javës së ardhshme, hetuesit pritet të marrin në dorë filmimet nga serverët e kompanisë private, që ka instaluar kamerat në Thesarin e Shtetit. Sipas rregullit dhe kontratës së nënshkruar me Bankën e Shqipërisë, kompania që bën instalimin e kamerave ka për detyrë t’i ruajë këto të dhëna deri në tre vjet, kohë e cila koincidon edhe me periudhën që Bitraj ka thënë se ka zgjatur vjedhja e tij. Nga zbardhja që do t’u bëhet kasetave, pritet të mësohen edhe veprimet e kryera nga të akuzuarit në degën e thesarit në Linzë, duke faktuar kështu dyshimet e grupit hetimor për secilin prej të arrestuarve. Deri tani, prokurorët e çështjes kanë hasur probleme në zbardhjen e kamerave të sigurisë në thesar, pasi serverët atje nuk mbanin më shumë se 40 ditë regjistrim. Pas sigurimit të pamjeve të tri viteve të fundit, grupi i ngritur posaçërisht me urdhër të Llallës, pritet të përfshihet në një proces verifikimi, me qëllim për të krahasuar deklaratat e secilit prej të arrestuarve apo personave të tjerë nën hetim për detyrat e kryera gjatë këtyre viteve, me ato veprime që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Madje, asnjë prej të arrestuarve nuk pranon të ketë shpërdoruar detyrën apo të ketë bashkëpunuar me Bitrajn, pavarësisht se prokuroria dyshon të kundërtën. I vetmi që deri më sot ka pranuar vjedhjen dhe njëkohësisht akuzat e ngritura nga prokuroria është Ardian Bitraj, megjithëse edhe ky nuk është plotësisht i besueshëm për grupin hetimor, pasi këta të fundit dyshojnë që ai nuk ka treguar të vërtetën për destinacionin përfundimtar të parave. Kjo, për arsyen se nga dëshmitë e marra rezulton se ai nuk i ka harxhuar të gjitha paratë e vjedhura në lojëra fati dhe baste sportive, ashtu siç ka pretenduar që nga momenti i arrestimit. Hetimi është përqendruar edhe në urdhrat dhe rregulloret e Thesarit për të dokumentuar veprimet dhe mosveprimet e të dyshuarve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button