Te ndryshme

Meksika, atje ku teknologjia po ngjall shpresë kundër korrupsionit

 Sipas një sondazhi të kryer nga “Transparency International”, 87% e nëpunësve meksikanë shihen si të korruptuar dhe shumica atje beson se punët po shkojnë edhe më keq. Lëvizja “Open Data”, përkundrazi, lundron në rrymën e kundërt, duke luftuar për publikimin e informacioneve shtetërore – pasi nëse gjithçka është transparente, duket e vështirë që të fshehësh milionat e munguara

Ben Mason

Teknologjia korrupsioni meksikePër Meksikën në Europë ka përfytyrime të ndryshme. Disa përkojnë me realitetin, e disa të tjera jo. Që vendi është i plagosur nga kartelet e drogës dhe korrupsioni shumë i përhapur – kjo qëndron në fakt. Përfytyrimi se është një vend i prapambetur, me qytete që shtrihen në buzë të shkretëtirave, në të cilat burrat pinë gjithë ditën “Tequila” – kjo nuk shkon dhe aq me realitetin.

Në Meksiko, kryeqytetin e vendit, ka shumë evente sociale. Atje vijnë programues të “High Tech”-ut e qëndrojnë bashkë një apo dy ditë për të krijuar një aplikacion për qëllime sociale. Dhe në këtë qendër ku u mblodhëm edhe ne, zhvillohet edhe lufta kundër korrupsionit.

Open Data – dhe përse disa nuk e duan atë?

“Korrupsioni është i kudogjendur në Meksikë” na thotë Juan Casanueva i organizatës joqeveritare “SocialTIC”. Me nëpunës të paskrupullt deri te klientë që marrin para e që nuk prodhojnë asgjë në këmbim: çdo vit atje, një sasi e madhe nga fondet publike, zhduket në një gropë të zezë.

Sipas një sondazhi të kryer nga “Transparency International”, 87% e nëpunësve meksikanë shihen si të korruptuar dhe shumica atje beson se punët po shkojnë edhe më keq.

Lëvizja “Open Data” përkundrazi, lundron në rrymën e kundërt, duke luftuar për publikimin e informacioneve shtetërore – pasi nëse gjithçka është e hapur, duket e vështirë që të fshehësh milionat e munguara.

Natyrisht se këtë e do shumica e popullit, pa dyshim, e ata që përfitojnë prej këtyre punëve, sigurisht që jo. “Kryebashkiakë të zgjedhur, më thanë se unë jam pak naiv, – thotë Juan, – pasi kjo shkon shumë në kundërshtim me trendin aktual politik e kulturor në vend”.

Dekret “jodetyrues” presidencial për transparencën

Me gjithë praninë e një skepticizmi të tillë të përhapur gjerësisht, aktivistët e “Open Data”-s kohët e fundit duket se kanë shënuar sukses. Gjithnjë e më shumë të dhëna bankare të ministrave publikohen prej saj. Ministria e Financave madje tashmë ka edhe një platformë nëpërmjet së cilës vë në dispozicion shifra e grafikë.

Sigurisht se Meksika është shumë vende larg atyre europiane në indeksin e “Open Data”-s, por kjo ndoshta do të ndryshojë. Para dy javësh, Presidenti nxori një dekret, i cili pohon se të gjitha të dhënat shtetërore duhet të bëhen publike, për sa kohë që nuk ekzistojnë arsye të forta sigurie për të bërë të kundërtën. Sidoqoftë, nuk është një dekret i detyrueshëm për zbatim. Por motivon pakicën brenda qeverisë, që lufton për transparencën.

Ku është ura jonë?

Mbledhësit e të dhënave kontribuojnë edhe në rritjen e presionit. Pjesëmarrësit dhe gazetarët nga kjo masë nxjerrin përshtypje e ide të rëndësishme dhe rezultate të gjera, që për popullsinë dëshmon vlerën e madhe të “Open Data”-s.

Në “International Open Data Hackathon” që u zhvillua në shkurt në Meksiko, morën pjesë më shumë se 100 vetë dhe u përpoqën të tregonin se sa të kualifikuar ishin.

Ka edhe projekte të tjera, të cilat zgjasin më shumë se 48 orë. OPI ose “Inteligencia Participativa” është një ndërmarrje sociale, që ndërton mjete që lidhen me analizat e të dhënave. Bashkëpunon ndërkaq me ministri të ndryshme, për të sjellë përmirësimin falë strategjive të rezultateve statistikore.

Tashmë po përgatisim një aplikacion për Smartphone, që kërkon për projekte infrastrukturore me të dhënat lokale të celularit. Përdoruesit e aplikacionit më pas mund t’i krahasojnë planet – për ndërtimin e një ure apo një rruge për shembull – me realitetin.

Rezervuari i të dhënave transparente po rritet

Edhe rezervuari i Meksikës për të dhënat transparente po rritet gjithashtu. Ka ende shumë për të bërë, por mund të jesh optimist. Sa më shumë që ndriçohet sistemi, aq më i ulët bëhet korrupsioni.

Dhe për sa i përket temës “Hackathon”, deri sot këtu në kryeqytetin meksikan do të zhvillohet “Hackathon”-i ose mbledhja e programuesve më të mirë të Meksikës. Organizatorët llogarisin 800 – 1000 pjesëmarrës që kodojnë, krijojnë dhe analizojnë për qëllime të mira. Edhe unë po shkoj atje dhe do të raportoj javën e ardhshme.

Marrë nga “Huffington Post”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button