Meritojmë të gjithë të jetojmë në një qytet më të pastër

Ndërsa vera afrohet dhe ditët më të gjata na kujtojnë të gjithëve se Tirana – me gjithë kaosin që e karakterizon – mund të jetë një qytet i këndshëm për të jetuar, na sjell njëkohësisht në mendje gjithçka që kemi mundur ta harrojmë gjatë dimrit. Nxehtësia e ajrit na kujton aromën e mbeturinave, kazanët e tejmbushur dhe, nëse rastis të jesh duke shëtitur gjatë mbrëmjes, edhe minjtë, të cilët duket se kanë arritur atë pikë të shëndetit që iu jep vetëbesimin e burrave që sapo kanë kaluar moshën e mesme dhe nuk iu bën më asgjë përshtypje mbi këtë tokë.
Sigurisht nuk ka shifra zyrtare që të tregojnë nëse popullata e minjve në Tiranë është shtuar vërtetë përgjatë këtij viti – do të qe absurde sikur dikush t’i numëronte – por nuk na duhen statisticienë për t’i dalluar shenjat. Një mi që vrapon është i uritur, ndërsa ai që lëviz ngadalë dhe i patrembur, është sigurisht i ngopur dhe nëse popullata e minjve duket se po përjeton një epokë lulëzimi, është trgues se ushqimi për ta është i bollshëm dhe lehtësisht i aksesueshëm. }ka nënkupton se plehrat tona po përfundojnë aty ku nuk duhet.
Ka një paradoks në marrëdhënien tonë me pastërtinë. Jemi ndoshta ndër të pakëtit popuj që krenohemi me shtëpinë, jo doemos si pronë, por si vendin ku jetojmë. Mjafton të vizitosh shtëpinë e dikujt dhe në shumicëne rasteve, gjëja e parë që të bie në sy është pastërtia dhe rregulli si zgjatime të ndjenjës së mikpritjes. Por logjika përmbyset sapo del prej saj. Rruga përpara pallatit, shkallët që praktikisht janë pronë e njëzetë apo tridhjetë familjeve që banojnë aty, janë një llojë pike verbërie qytetare. Sa kohë që iu përkasin të gjithëve, nuk janë të askujt dhe për rrjedhojë duhen abuzuar deri në fund.
Le ta krahasojmë këtë me një qytet pak më Perëndimor, le të themi diku në veri të Europës. Në momentin që hyn në shtëpinë e dikujt, mund të befasohesh nga pjatat që presin prej orësh në lavaman për t’u larë, apo rrobat që presin të dëshpëruara për t’u palosur mbi karrige. Rruga jashtë shtëpisë? Thuajse sterile për nga pastërtia. Parku aty pranë? Ndoshta mund të hash prej tij. Sensi i përgjegjësisë përmbyset tek dera e shtëpisë, pasi brenda pragut fillon liria e për rrjedhojë edhe kaosi. Bota jashtë atij pragu është e përbashkët, e për rrjedhojë secili është përgjegjës për të.
Ne duket se e kemi përmbysur këtë instinkt dhe nëse insinkti është i kuptueshëm – nuk na erdhi nga hiçi – pasojat e tij po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u injoruar në qytet.
Ja diçka konkrete. Në tre dekada, por veçanërisht këto dy të fundit, Tirana është rritur jashtëzakonisht shumë dhe në mënyrë thuajse të menjëhershme. Sot kemi lagje aty ku dikur qyteti mbaronte. Kullat dhe komplekset e apartamenteve janë ngritur shumë më shpejt se sa infrastruktura rreth tyre dhe një popullsi ndërkaq e dendur për shkak të migrimit të brendshëm, tani po rritet nga valët e turistëve, nomadëve digjitale dhe banorëve të përkohshëm, të cilët për befasinë e gjithkujt, kanë zbuluar se ky është një qytet mjaftueshëm interesant për të jetuar njëfarë kohë.
Të gjithë këta njerëz hanë, bëjnë pazare, gatuajnë dhe në fund sigurisht kanë mbeturina për të hedhur. Kjo është normale. Megjithatë, në shumë zona të qytetit infrastruktura e mbetjeve i ngjan më shumë asaj të një qyteti të vogël provincial në mes të viteve ’90-të. Tre kazanë të vjetër në një cep rruge, që ku duhet të hedhin plehrat e tyre katër komplekse apartamentesh. Sado i shpeshtë grumbullimi, nuk ka se si ato të mos tejmbushen një apo dy orë pasi makina e grumbullimit të plehrave është larguar, duke i lënë mbetjet në mëshirë të gravitetit.
Është tunduese, sa herë hapen biseda të tilla, që t’i kthejmë ato në seanca leksionesh në lidhje me përgjegjësinë qytetare, që sigurisht është e rëndësishme. Askush nuk duhet të ndotë mjedisin. Njerëzit duhet të mësohen të mendojnë në lidhje me hapësirat e përbashkëta në të cilat lëvizim të gjithë.
Megjithatë, është jo e sinqertë që t’iu këkrosh njerëzve të jenë të përgjegjshëm, kur çdo gjë rreth tyre jua vështirëson bërjen e gjësë së duhur. Nëse në një bllok pallatesh ku jetojnë mijëra njerëz ka vetëm tri kazanë, që janë gjithmonë larg të gjitha pallateve sepse askush nuk i do pranë, po njëkohësisht askush nuk do të eci gjatë me qese plehrash në duar, atëhere është sistema që ka dështuar para se njerëzit të dështonin në zbatimin e rregullave. Provo t’ua bësh njerëzve më të lehtë që të bëjnë gjënë e duhur dhe me gjasë shumica prej tyre do ta bëjnë. Ka ardhur koha që çdo kompleksi apartamentesh dhe çdo shtëpie private t’i jepen koshat e tyre, të unifikuar për nga standarti dhe të ndarë sipas ndarjes së mbetjeve. Nëse problemi vazhdon edhe pas kësaj, atëhere le të gjobiten ata që nuk e zbatojnë rregullin. Zgjidhjet janë të thjeshta dhe kërkojnë vetëm para, organizim dhe vullnet politik, arsye ndoshta se përse mbeten të parealizueshme.
Është e vështirë të kuptosh se përse këto probleme vazhdojnë dhe përsëriten, kur nuk janë as komplekse dhe as misterioze. E dimë se çfarë duhet bërë dhe se qytetet të tjera e kanë arritur. Megjithatë, ja ku jemi duke bërë çdo verë të njëjtën bisedë.
Arsyeja, të paktën në letër, është më e thjeshtë se çdo politikë. Njerëzit të cilët marrin vendime për zgjidhjen e këtyre problemeve, përgjithësisht nuk ecin në të njëjtat rrugë ku ecim net ë tjerët. Jetojnë në lagje ku, për një arsye a një tjetër, koshat pastrohen më rregullisht dhe rrugët iu fshihen më shpesh e, për rrjedhojë, minjtë e tyre janë më pak të guximshëm. Nëse vendimmarrësve tanë do t’iu duhej të shpenzonin qoftë edhe një javë pa makinë, duke ecur në të njëjtat rrugë ku ecën shumica e banorëve të Tiranës, situata mund të ishte zgjidhur me shpejtësi befasuese.
Pastërtia është një nga gjërat më bazike që një qytet i detyrohet banorëve të tij. Tirana ka patur një sërë ndryshimesh për mirë gjatë viteve të fundit dhe ato duhen përmendur, por një bulevard i rinovuar nuk bën shumë sens kur rrugica pas tij vjen atë erë që vjen.
Qyteti nuk mund të neglizhojë realitetin. Ne banorët e përhershëm, të sapoardhurit, vizitorët që nuk e kanë vendosur akoma nëse ia vlen të rikthehen në Tiranë, jetojmë të gjithë këtu dhe thithim të njëjtin ajër dhe vëmë re të njëjtat probleme. Nuk po i kërkojmë kujt asgjë të jashtëzakonshme. Po i kërkojmë qytetit të bëjë punën e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.