Meta dhe Veliaj mund të lirohen nga burgu? Juristi sqaron vendimin e fundit të Kolegjeve të Bashkuara
Juristi Jordan Daci ka komentuar vendimin e fundit të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë lidhur me standardet për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke theksuar se paraburgimi duhet të konsiderohet si masa e fundit ndaj një personi nën hetim.
Gjatë një interviste në Klan News me gazetarin Besard Jacaj këtë të mërkurë, më 27 maj, Daci mes të tjerash, u ndal te vendimi i marrë në unanimitet nga Kolegjet e Gjykatës së Lartë, i cili parashikon se masa më e rëndë e kufizimit të lirisë personale duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera. Pjesë e diskutimit ishin dhe efektet që ky standard i ri mund të ketë në çështje konkrete, si ajo e ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024. Apo rasti i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
I pyetur nëse ky vendim mund të çojë në lirimin e Metës apo të personave të tjerë në situata të ngjashme, Daci tha se Gjykata e Lartë nuk ka ndryshuar ligjin, por ka rikthyer standardin që, sipas tij, ekziston që prej vitit 1994.
Ai u shpreh se problemi kryesor lidhet me mënyrën sesi është zbatuar ligji ndër vite, duke kujtuar se një vendim i vitit 2011 kishte krijuar praktikë që, sipas tij, tejkalonte vetë ligjin. Daci e cilësoi çështjen e paraburgimit si një problem kulturor në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke argumentuar se në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve ekziston një prirje për masa ekstreme sigurie.
Sipas tij, kjo ndikohet edhe nga presioni publik dhe reagimet në rrjetet sociale ndaj vendimeve më të lehta të gjykatave.
Pjesë nga biseda:
Besard Jacaj: Z. Daci, kur kemi folur së fundmi ishte propozim nga ana e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për ta vendosur paraburgimin si masë të fundit, kur gjykata nuk ka zgjidhje tjetër, dhe tani mesa duket ka hyrë në fuqi. A do të thotë kjo që Gjykata e Lartë, meqenëse jemi përshembull tek rasti Meta, kur Gjykata e Lartë të marrë një kërkesë ose një kthim nga një organ tjetër të kësaj çështjeje nga ish-presidenti i Republikës për t’u liruar dhe për të kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, në këtë rast (po e marrim si shembull) Ilir Meta të lirohet, sepse vendimi i Kolegjeve të Gjykatës së Lartë thotë që paraburgimi duhet të jetë masa e fundit?
Jordan Daci: Atëherë, asgjë nga ajo që ka qenë ligj, nuk ka bërë ndryshe Gjykata e Lartë. E kemi ligjin që në ‘94-ën. Nuk ka ndryshuar ndonjëherë ky ligj. I vetmi problem është se vendimi i 2011-ës bëri ligj një vendim të Gjykatës së Lartë, i cili praktikisht tejkaloi ligjin.
Në këtë aspekt, si çdo gjë tjetër, është çështje kulturore. Çështja e paraburgimit është çështje kulturore. Tek ne mbizotëron një kulturë ekstremizmi në radhët e gjyqësorit, si nga ana e prokurorëve dhe nga ana e gjykatave, por kjo falë edhe një roli tepër negativ që ka publiku në tërësi, duke ushtruar një presion jo normal mbi gjykatat dhe atyre u duket sikur, nëse do të japin masa të lehta, sigurisht publiku të nesërmen i nxjerr në rrjetet sociale dhe fillon t’i denigrojë. Kjo është dhe çështje tjetër, por që është kulturore.
Gjykata e Lartë tashmë ka barrën e saj, që t’u imponojë gjykatave më të ulëta standardin që rivendosi. Në këtë aspekt, një gjë që duhet të pritet është që Gjykata e Lartë, nëpërmjet ankimeve kur i bëjnë individët (s’po merrem vetëm me individin e caktuar), do duhet që të ketë një vëmendje më të shtuar, që të prishë vendimet e Apelit apo të shkallës së parë, duke dhënë dhe vërejtjet përkatëse rast pas rasti, në mënyrë që të jepet mesazhi që ky vendim është dhënë dhe duhet të zbatohet! Efektivisht nuk shoh një dallim në praktikë, të paktën deri më tani, nga ky vendim dhe është një gjë jo e duhur për mendimin tim, që i bën dëm Shqipërisë!




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.