Politika

Meta: Integrimi duhet të ecë paralelisht me projektet ekonomike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i vendeve të rajonit për proceset integruese dhe zhvillimin ekonomik, gjatë sesionit të dytë të punimeve të Konferencës së XIV të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, që u zhvillua këtë fundjavë në Split.

Gjatë fjalës së tij, Meta tha se tashmë vendet e Nismës Adriatiko-Joniane, veçanërisht ato të Ballkanit, e kanë lënë pas të shkuarën e tyre, duke u përpjekur të përfitojnë sa më shumë nga integrimi rajonal, në dobi të zhvillimit të këtyre vendeve.

“Ne nuk duhet t’i largohemi dialogut tonë të përvitshëm dhe duhet të sigurojmë rezultate reale, të prekshme për qytetarët tanë. Ne duhet ta shikojmë Strategjinë e re të BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian si një tregues të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e interesit që BE ka ndaj rajonit tonë dhe si një qëllim të arritshëm dhe të mundshëm. Përvoja e modeleve pozitive të vendeve të Danubit dhe atyre Baltike të funksionimit dhe të rezultateve të kësaj strategjie na jep shpresë se ky aksion i përbashkët i BE-së dhe NAI do të japë fryte pozitive për vendet tona”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Meta vijoi më tej duke pohuar se Shqipëria beson fort se forca e iniciativës tonë gjendet në dimensionin e saj evropian, që do të thotë “zhvillim i prekshëm në proceset integruese të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në BE”. “Por, integrimi duhet të ecë paralelisht me projektet ekonomike dhe infrastrukturore në vend. Dhe besoj se të gjitha sfidat e identifikuara nga EUSAIR, nëse trajtohen së bashku me BE-në, do të ndihmojnë ndërlidhjen dhe zhvillimin e rajonit tonë, dhe ky do të ishte një lajm i mirë për vetë BE-në, pavarësisht lodhjes apo dhe vetë-lodhjes së saj”, tha Meta.

Sipas tij, “EUSAIR është një mundësi e re për vendet tona dhe gjithë rajonin për të rritur bashkëpunimin, duke bashkërenduar përpjekjet, idetë, projektet dhe qëllimet tona integruese”. “Vëmendja që i kushton Komisioni Europian dhe disa vende anëtare të BE-së është një shtyllë e sigurt në funksion të rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vendet tona. EUSAIR është një mundësi e mirë për rajonin tonë, pasi mbështet vendet tona në zbatimin e politikave të BE-së dhe forcon aktivitetin tonë të përbashkët me vendet anëtare të BE-së”,  vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit u shpreh se potenciali i rajonit Adriatiko-Jonian është i jashtëzakonshëm dhe se EUSAIR është një mekanizëm i mirë për të shfrytëzuar më me efektivitet potencialet tona, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit tonë. “Shqipëria shpreson se projektet e mëdha në infrastrukturë, si autostrada Adriatiko-Joniane, projektet për energjinë, turizmin, bujqësinë dhe arsimin janë bindës për të thithur investime, të nevojshëm për të jetësuar zhvillim dhe punësim për vendet tona. Pikërisht për të gjitha këto arsye unë e shikoj dimensionin parlamentar të kësaj strategjie shumë të rëndësishëm, të domosdoshëm dhe jetik. Takimi i sotëm tregon dhe provon se parlamentet tona kanë detyrimin të mbështesin dhe nxisin degët e ekzekutivit për këtë platformë të re bashkëpunimi”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.

Për zbatimin e kësaj nisme, Meta theksoi se dimensioni parlamentar, angazhimi dhe aktiviteti parlamentar duhet të konsiderohen nga EUSAIR si një garanci më e madhe, por dhe si një platformë mbikëqyrëse për mbështetjen e ideve, projekteve, nismave dhe burimeve natyrore e njerëzore që kjo strategji do të verë në lëvizje. “Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë do të japë mbështetje të plotë institucionale. Për të qenë më konkretë, Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar një koordinator parlamentar për Rajonin Adriatiko-Jonian dhe EUSAIR dhe do të jemi aktivë, do të marrim pjesë, do japim kontributin tonë dhe do nxisim gjithë strukturat institucionale në vend për të realizuar si duhet objektivat e eurostrategjisë për rajonin Adriatiko-Jonian”, tha Kryetari i Kuvendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button