Meta në Kalabri: “Shqipëria do të shndërrohet në një “atdhe të dytë” për kalabrezët dhe italianët
Presidenti shqiptar gjatë vizitës në Kalabri ka evokuar periudhat kur Italia u ofroi strehë shqiptarëve në momente të vështira për ta. “Fati e donte që Italia të bëhej një “tokë e premtuar” si për arbëreshët, bashkëkohësit e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, para më shumë se 500 vitesh , ashtu dhe për emigrantët shqiptarë të pas viteve 90-të, të cilët sakrifikuan gjithçka për një jetë më të mirë për vetë dhe familjet e tyre.
Sot pas gati 27 vitesh demokraci, vendi ka bërë progres në shumë drejtime edhe pse aspiratat dhe pritshmëritë tona për të ndërtuar një Shqipëri europiane akoma nuk janë përmbushur. Si shqiptarë ndihemi mirë teksa shikojmë dhe dëgjojmë çdo ditë dhe më tepër të rinj italianë që studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Janë mbi 25 mijë qytetarë italianë që kanë zgjedhur si “tokën e premtuar” të tyre Shqipërinë” tha zoti Meta.
Gjatë këtij takimi sipërmarrësit italianë nënvizuan interesin e madh për të zgjeruar tregjet e prodhimeve të tyre në Shqipëri, nëpërmjet sipërmarrjeve të përbashkëta në fushat e biodiversitetit, agrikulturës, si dhe veçanërisht të prodhimit dhe përpunimit të agrumeve.