Metale dhe megavat: Industrializimi dhe integrimi i Shqipërisë në BE
Metale dhe megavat: Industrializimi dhe integrimi i Shqipërisë në BE

Nga Fatos Fico
Kur shumëkush merr një kredi nga banka për të blerë një shtëpi (mortgage), së pari përpiqet të marrë sa më pak kredi duke investuar paratë e veta në mënyrë që kredia të shërbejë për t’i rritur vlerën investimit.
Por, kur e blen pothuajse të gjithën me kredi, patjetër kundrejt garancisë, me një afat shlyerjeje 25 apo 30-vjeçar, pothuajse kurrë nuk e fikson normën e interesit për të gjithë periudhën, vetëm nëse interesi është në minimume historike.
Logjika financiare të shtyn që interesi i parë të fiksohet vetëm për periudha të shkurtra — 2, 3 ose maksimumi 5 vjet. Pse veprohet kështu? Sepse pas kësaj periudhe, blerësi del sërish në treg për të rinegociuar kushtet me bankën e parë, ose banka të tjera (remortgaging).
Nëse normat e interesit në treg kanë rënë, probabiliteti më i madh, sepse pothuaj gjithmonë ka ofertues të rinj që futen ņë një treg të lirë, e siguron një kontratë të re më të lirë.
Të qëndrosh i lidhur me interesat fillestare të larta dhe të fiksuara për 25 vjet do të thotë të paguash më shtrenjtë, por aseti yt bëhet më i shtrenjtë kundrejt atyre që paguajnë kredi të ngjashme më lirë dhe në rast rishitjeje apo qiraje, do të rezultosh me humbje.
Por atë që shmang një blerës i zakonshëm, madje dhe vetë bankat ta kërkojnë këtë, sepse ato nuk duan që blerësi të falimentojë, por thjesht kërkojnë fitimin e tyre, duket sikur shteti shqiptar, me të ardhmen e tij energjetike, po vepron ndryshe duke fiksuar çmimin, sasi të larta blerje e kohëzgjatje të gjatë, bazuar këto të fundit në informacionet e bëra publike.
Kjo përqasje duket se hyn në vazhdën e një historiku të njohur e problematik, ku shteti shqiptar merr përsipër 100% të rrezikut të tregut për dekada të tëra, ashtu siç ka vepruar me kontratat e blerjes së energjisë nga HEC-et e vogla me çmime të larta fikse, apo me koncesionet PPP, ku shteti garanton pagesat, pavarësisht nëse shërbimi përdoret ose jo.
Shqipëria ka hyrë në një udhëkryq strategjik, ekonomik e financiar pas angazhimit në një marrëveshje të supozuar sipas informacionit publik të tipit “take-or-pay” për $1 \ text (miliard) $ metra kub (bcm) gaz natyror të lëngshëm (LNG) në vit.
Kjo sasi energjie gjigante duket të rrezatojë si një diell përvëlues mbi një terren që rezulton i thatë edhe pa të: vendi nuk ka një rrjet shpërndarjeje gazi për ngrohje familjare dhe as një bazë industriale ekzistuese që mund ta konsumojë këtë sasi.
Për më tepër, rishitja e këtij gazi në tregjet e huaja, një opsion i përfolur, rezulton pothuajse e pamundur dhe me një rrezik të lartë financiar për shkak të mungesës së transmetimit rajonal dhe luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare të energjisë.
Nga ana tjetër, energjia elektrike e prodhuar me gaz mbetet zgjidhja më e mirë afatshkurtër dhe afatmesme për të përballuar kërkesën në rritje për energji, për të garantuar stabilitet në furnizim sidomos në vitet pa reshje, por edhe kundrejt energjive të rinovueshme që, megjithëse në rritje të konsiderueshme, varen nga faktorë atmosferikë dhe krijojnë mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës nëse nuk ka ruajtje apo bateri gjigante.
Kjo marrëveshje dikton nevojën për të shqyrtuar skenarë të rinj, të cilët rrisin kërkesën e brendshme për energji, duke zhvilluar projekte strategjike që mund ta kthejnë këtë faturë të detyrueshme nga një barrë potenciale në një mundësi për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe të qëndrueshëm.
Për të kuptuar përmasën e kësaj sfide dhe hapësirën për skenarë të rinj, të analizojmë së pari shifrat e sistemit tonë energjetik:
- Prodhimi ekzistues nga HEC-et: Aktualisht, Shqipëria ka një kapacitet të instaluar hidroenergjetik prej rreth 2.5 GW , i cili në një vit me reshje normale prodhon mesatarisht 5 deri në 7 TWh (Teravat-orë) energji elektrike.
- Balanca historike e import – eksportit: Për shkak të varësisë ekstreme nga reshjet, bilanci energjetik i Shqipërisë luhatet në kufij të gjerë. Në vite me thatësirë, vendi detyrohet të importojë mesatarisht 1.5 deri në 2.5 TWh. Në të kundërt, në vite me reshje, ka teprica dhe eksportohet mesatarisht 1 deri në 2 TWh. Kjo tregon se “nevoja reale” e pambuluar e kërkesës aktuale, në skenarin më të keq hidrik, nuk i kalon 2.5 TWh.
- Zgjerimi me energji të Rinovueshme, Solar & Eolik: Furnizimit energjetik po i shtohen me shpejtësi kapacitete të reja. Parqet e mëdha diellore, Karavasta, Spitalla dhe projektet eolike pritet të shtojnë në rrjet rreth 500 MW deri në 1 GW fuqi të instaluar në vitet e ardhshme.
- Shtesa nga Gazi LNG i kontraktuar me TEC-e që pritet të ndërtohen: Nëse i gjithë vëllimi i detyruar prej 1 bcm gaz do të digjej në termocentrale moderne me cikël të kombinuar (CCGT), do të kërkojë rreth 750 MW kapacitet gjenerues dhe do të prodhojë 5 deri në 6 TWh energji elektrike shtesë në vit.
Kjo do të thotë se vetëm nga gazi LNG do të prodhojmë një sasi energjie pothuajse të barabartë me të gjithë prodhimin historik të kaskadës së Drinit. E thënë ndryshe, gazi do të prodhojë dyfishin e energjisë që na mungon aktualisht në vitin më të thatë.

Gjeopolitika e Re
Përtej këtij dyfishimi të prodhimit, një tjetër anë që duhet sqaruar është kostoja reale e vetë gazit LNG. Prodhuesit e mëdhenj të energjisë, si SHBA shpesh përballen me një mbiprodhim masiv të gazit natyror, ku prodhuesit pothuajse nuk dinë çfarë të bëjnë me atë.
Gazi shoqërues në fushat e naftës shpesh shitet me çmime shumë të lira apo edhe digjet në atmosferë sepse nuk ka kërkesë. Por a përkthehet ky mbiprodhim në treg, në “gaz të lirë” për Shqipërinë?
Së pari duhet të shohim se si ishte tregu i gazit në Europë përpara luftës në Ukrainë. Në atë periudhë, gazi i tubacioneve që furnizonte Europën, ato të ngjashme me TAP-in që kalon në Shqipëri, tregtohej me çmime tejet të favorshme, mesatarisht $ 14 deri në 20 për MWh.
Nga ana tjetër, vende si Greqia, që importonin LNG nga tregu botëror, arrinin të blinin ngarkesa gazi të çastit (spot) me çmime që luhateshin mes $ 10 dhe 17 për MWh.
Pas luftës në Ukrainë dhe më tej me krizën e Hormuzit, e gjithë paradigma filloi të ndryshonte me shpejtësi. Për të shkëputur Europën nga varësia ruse, dhe e Lindjes së Mesme, SHBA-ja u fut masivisht si ofruesi kryesor i gazit, LNG. U lidhën marrëveshje furnizimi që nuk diktoheshin më thjesht nga logjika e çmimit më të lirë të tregut, por nga siguria gjeopolitike.
Por, sa na kushton kjo marrëveshje gjeopolitike e LNG-së dhe si përkthehet për të ardhmen? Të dhënat flasin për një kontratë me vlerë totale prej 6 miliardë dollarësh për 20 vjet. Kjo përkthehet në një detyrim fiks vjetor prej 300 milionë $. Nëse e pjesëtojmë këtë faturë vjetore me volumin e detyruar prej 1 bcm, çmimi final i dakordësuar rezulton afërsisht $ 29 për MWh për 20 vjet.
Këtu qëndron dhe një pjesë e madhe e të panjohurave; ndërsa tani çmimi mund të duket i mirë kundrejt atyre të diktuara nga mungesa në treg e gazit të vendeve të Gjirit Persik dhe Rusisë, Shqipëria pritet të fillojë blerjen masive të këtij gazi LNG rreth vitit 2030, e më mbrapa.
Sipas projeksioneve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) dhe analistëve globalë, për shkak të terminaleve të reja LNG në Katar dhe SHBA, pas vitit 2027 e në vazhdim, bota do të përjetojë një “mbingopje” (glut) historike të ofertës së LNG-së.
Këtu është dhe e panjohura e Rusisë mbas luftës në Ukrainë, lufta nuk mund të vazhdojë edhe shumë më gjatë për të gjitha palët ashtu si janë dhe sinjalet, kur kërkesa europiane për energji të lirë vështirë se do ta lërë jashtë tregut të blerjeve aq më tepër kur gazsjellësit janë aty dhe presin gazin.
Europa aktualisht e paguan energjinë shumë më shtrenjtë se SHBA, apo Kina e kjo nuk mund të vazhdojë gjatë, në çdo skenar. Kjo mbingopje pritet të ulë çmimet e tregut europian sërish drejt niveleve 17 – 24 $ për MWh.
Ne rrezikojmë të lidhemi sot me një çmim prej 29 $ për MWh, për të blerë gaz në dekadat e ardhshme, kur bota pritet ta blejë atë dukshëm më lirë.
Problematika:
- “Taksa” e Terminalit dhe Eficienca: Nëse supozojmë se fatura prej $ 29 MWh e mbulon lëngëzimin dhe transportin transoqeanik (dorëzim në Portin e Vlorës), sërish asaj i duhen shtuar kostot fikse lokale. Rigazifikimi në terminal kushton rreth $ 5 – 8 për MWh, ndërsa transmetimi drejt TEC-it apo TAP rreth $ 2 -3 për MWh. Kjo e çon koston bazë të gazit në TEC në rreth $ 39 MWh. Për të prodhuar 1 MWh energji elektrike të prodhuar në një TEC me 50% eficiencë, na duhet të djegim 2 MWh gaz. Pra, kostoja bazë e “karburantit” për të prodhuar “drita” shkon në $ 78 MWh.
- Kostoja e munguar e infrastrukturës (TEC dhe Porti): llogaritja e mësipërme bëhet sikur asetet tona të prodhimit të ekzistonin. Realiteti është se ne nuk kemi as terminalin portual dhe as termocentralet e nevojshme. Për të përdorur 1 bcm gaz kërkohen 750 MW kapacitet, p.sh., ndërtimi i dy TEC-eve moderne, një 400 MW dhe një 350 MW. Ndërtimi i tyre, bashkë me infrastrukturën portuale, kërkon një investim kapital (CAPEX) kolosal prej rreth 1.2 deri në 1.5 miliardë $. Amortizimi i këtij investimi ndër vite dhe kostot e operimit i shtojnë mesatarisht 15 deri në $ 25 MWh kostos së prodhimit. Kjo e çon koston reale e finale të energjisë nga gazi në rreth 100 $ MWh.
- Kostoja jokonkurruese ndaj prodhimit vendas: një kosto finale prej $ 100 MWh është jokonkurruese kur krahasohet me burimet energjetike tona. Kaskada e Drinit e prodhon energjinë me $ 10 – 15 për MWh. Parqet diellore si Karavasta kanë siguruar çmime mes $ 25 – 30 për MWh. Madje edhe investimet private si Moglica apo ato eolike ofrojnë energjinë me kosto totale rreth $ 60 – 75 për MWh.
- Pamundësia e rishitjes për shkak të TAP: gazsjellësi TAP që kalon në Shqipëri dhe përfundon në Itali është i rezervuar nga kjo e fundit për gazin azer. Edhe sikur të gjendej hapësirë transmetimi, Sdq e mundur, LNG-ja jonë me kosto finale në port prej 39 $ për MW, vlera e kontratës plus rigazifikim/transmetim, nuk mund të konkurrojë kurrsesi me gazin e lirë azer apo tjetër rreth vitit 2030. Kur parashikohet një mbingopje e tregut global me çmime mes 17-24 $ për MWh, rishitja e një gazi të blerë me kosto të lartë do të gjeneronte vetëm humbje.
- Detyrimi “Take-or-Pay”: jemi të detyruar të paguajmë 300 milionë dollarë çdo vit, edhe kur kaskada e Drinit është me ujë dhe gjeneron dhe për eksport, si dhe me rritjen e sasisë energjetike nga solar dhe eolik.

Potenciali i pasurive natyrore, nikel, kobalt dhe skandium
Përballë rrezikut të një kostoje të shtuar qindra milionëshe, e vetmja rrugëdalje mbetet industrializimi i shpejtë i ekonomisë shqiptare si përdorues i kësaj energjie shtesë. Këtu mund të hyjë në lojë nëntoka jonë, ose pasuritë tona natyrore.
Shqipëria zotëron pasuri të konsiderueshme minerale lateritike, nikel-silikat dhe hekur-nikel, të cilat historikisht janë shfrytëzuar si lëndë e parë për çelikun shqiptar dhe eksporte si mineral, pa ndonjë vlerë të shtuar.
Ndërsa një metalurgji e re si ajo e Elbasanit dikur, është jashtë çdo skenari për të prodhuar çelik, era e elektrifikimit dhe industrializimit në Europë ka hapur dritaren e mundësive për teknologji të reja apo forma më efektive për nxjerrjen e metaleve.
E tillë është HPAL (High-Pressure Acid Leaching), kjo teknologji, edhe pse nuk është e re në vetvete, por më e mundshme sot, mundëson nxjerrjen e Nikelit dhe Kobaltit, si dhe të Skandiumit — një metal i rrallë dhe ekstremisht i shtrenjtë që përdoret në industrinë e hapësirës dhe mbrojtjes.
Nëse Shqipëria do të kalonte nga një vend nxjerrës në një vend përpunues me cikël të plotë përmes HPAL, ajo do të futej në zinxhirin global të vlerës së baterive. Por, ky tranzicion nuk është më thjesht një çështje minerare; është një sfidë e mirëfilltë strategjike, ekonomike, energjetike dhe mjedisore.
Potenciali mineral i Shqipërisë merr rëndësi gjeopolitike jetike falë strategjive të reja të Bashkimit Europian për t’u shkëputur nga varësia kineze apo vendeve të largëta, të cilat e bëjnë Europën vulnerabël, jo konkurruese, e në rastin më të keq, nën bllokadë.
Kjo strategji e re filloi me miratimin e Aktit të Lëndëve të Para Kritike (CRMA) dhe Aktit të Industrisë me Emisione Net-Zero (NZIA), dhe me Marrëveshjen e Pastër Industriale (Clean Industrial Deal).
Por, ajo më e rëndësishmja është çfarë po diskutohet intensivisht në Parlamentin Europian, Akti Përshpejtues i Industrisë (Industrial Accelerator Act – IAA), i prezantuar në Mars 2026. Ky “akt i riindustrializimit” është baza për të mbështetur ringritjen e industrisë europiane dhe përdorimin e teknologjive për energji të rinovueshme ku përfshihet dhe zinxhiri i baterive dhe i metaleve kritike. IAA vendos rregulla të forta për prioritetin e produkteve “Made in EU” dhe vendos kufizime të forta mbi Investimet e Huaja Direkte në sektorë strategjikë nga shtete që kanë monopol global.
Për Shqipërinë, ky akt është një “ftesë e hapur”. Ndërsa BE-ja po ofron mbështetje, përfshirë ngritjen e Bankës së Dekarbonizimit Industrial me një fond prej 100 miliardë eurosh, BE po kërkon me ngulm aleatë gjeografikisht të afërt (“nearshoring”) për të zhvilluar zinxhirin e saj.
Shqipëria mund të përdorë pasurinë e saj në metale kritike si Nikel, Kobalt, Magnez, Skandium, etj. Integrimi në strategjinë europiane i lejon vendit të kualifikohet për mbështetje institucionale, procedura të përshpejtuara dhe akses në kapital për ngritjen e impianteve të mëdha industriale.
Përtej nxjerrjes, ky kuadër mundëson krijimin e industrive të reja të nivelit të lartë (downstream) në Shqipëri, si: prodhimi i Prekursorëve të Baterive (pCAM): Shndërrimi i nikelit dhe kobaltit nga HPAL në përbërës kimikë për bateritë e makinave elektrike, i nxitur direkt nga objektivat prodhuese të akteve si NZIA dhe IAA; Qendrat e Riciklimit të Baterive: shndërrimi i Shqipërisë në një nyjë rajonale ku bateritë e vjetra riciklohen për të rifutur metalet e tyre në ciklin prodhues, në përputhje me kuotat e detyrueshme evropiane të riciklimit.
Kërkesa energjetike për minerale kritike dhe HPAL
Realizimi i këtij vizioni të thellë industrial nuk është vetëm një sfidë rregullatore e minerare, ai është në themel një sfidë masive energjetike. Teknologjia HPAL si një nga format më efektive për nxjerrjen e metaleve kritike është një nga proceset industriale me kërkesë energjie intensive e masive.
Një impiant i nivelit të mesëm kërkon rreth 200 / 300 MW fuqi, më tej HPAL kërkon energji 24/7 pa asnjë sekondë ndërprerje.
Procesi zhvillohet në temperatura mbi 250 gradë C dhe presione prej 50 bar. Çdo rënie tensioni mund të shkaktojë dëme fatale miliona dollarëshe në reaktorët e titanit. Kërkohen gjithashtu sasi të mëdha avulli, që zakonisht gjenerohen përmes TEC-eve me gaz.
Pikërisht kjo kërkesë e jashtëzakonshme për energji kërkon dhe një planifikim po aq të jashtëzakonshëm për ta kthyer në realitet. Shqipëria ka rezerva të vlerësuara gjeologjike të mineraleve lateritike në zona të shumta si Bitincka, Kukësi apo Librazhdi. Për të kuptuar pse teknologjia HPAL shihet si një “shkop magjik” industrial për Shqipërinë, duhet të shohim matematikën e vlerës së shtuar dhe skenarët e ndryshëm të përpunimit:
- Skenari 1: Eksporti i lëndës së parë: Shitja e mineralit bruto jashtë vendit gjeneron një vlerë minimale të shtuar, e cila historikisht ka qenë rreth $ 30- 50 për ton mineral. Ky është modeli i vjetër i cili zbraz nëntokën pa krijuar mirëqenie industriale dhe ekonomike.
- Skenari 2: Pasurimi bazë ose ferronikeli: Nëse minerali nuk eksportohet bruto, por thjesht pasurohet ose shkrihet në furra elektrike për të prodhuar ferronikel, proces tradicional metalurgjik si ai i Elbasanit dikur, kërkon zakonisht rreth 100 -150 MW fuqi energjetike, vlera rritet. Megjithatë, ky produkt shërben ekskluzivisht për industrinë tradicionale të çelikut inoks, ku konkurrenca është shumë e lartë dhe na lë plotësisht jashtë tregut fitimprurës dhe strategjik të elektrifikimit.
- Skenari 3: Përpunimi i thellë HPAL dhe potenciali teorik: Nxjerrja e metaleve përmes acidit me presion të lartë prodhon MHP (Mixed Hydroxide Precipitate), prekursor jashtëzakonisht i pastër të metaleve. Ku qëndron matematika e kësaj teknologjie? Ajo nxjerr çdo metal të dobishëm njëkohësisht. Për të kuptuar shkallën, përmbajtja mesatare e mineralit llogaritet afërsisht 1% Nikel, 0.05% Kobalt dhe 40 gram/ton Skandium, të analizojmë dy skenarë përsëri:
- Vlerësimi Konservator (Rezervat e provuara): Nëse llogarisim vetëm depozitat lehtësisht të shfrytëzueshme, rreth 100 milionë tonë mineral, HPAL mund të gjenerojë:
- Nikel: rreth 1 milion ton, vlerë bruto: 15 – 20 miliardë $.
- Kobalt: rreth 50,000 tonë, vlerë bruto, 1.5 – 2 miliardë $.
- Skandium: rreth $ 4,000 tonë, vlerë bruto, 4 – 5 miliardë $.
- Totali Konservator: Një industri e garantuar me vlerë $ 20 – 25 miliardë $.
- Potenciali total gjeologjik: Nëse përfshijmë të gjitha basenet kryesore të vendit, potenciali i plotë vlerësohet në mbi 300 deri në 350 milionë tonë mineral lateritik, shifrat tregojnë në një pasuri kombëtare edhe më të madhe:
- Nikel: rreth 3.3 milionë tonë, vlerë bruto, 60 – 65 miliardë $.
- Kobalt: rreth $ 150,000 tonë, vlerë bruto, 4.5 – 6 miliardë $.
- Skandium: rreth 13,000 tonë, vlerë bruto, 12 – 13 miliardë $
- Totali i Potencialit: vlerë teorike prej afro 80 – 85 miliardë $ gjatë jetëgjatësisë së shfrytëzimit të tyre.
- Vlerësimi Konservator (Rezervat e provuara): Nëse llogarisim vetëm depozitat lehtësisht të shfrytëzueshme, rreth 100 milionë tonë mineral, HPAL mund të gjenerojë:

Kritika strategjike: Paradoksi i “Shkopit Magjik” dhe monopoli teknologjik: Pavarësisht këtij potenciali, trajtimi i teknologjisë HPAL thjesht si një shkop magjik e shpërfill disi realitetin.
Së pari, një impiant HPAL nuk kushton miliona, por miliarda, mesatarisht 2 deri në 4 miliardë dollarë $ (CAPEX). Projektet e para HPAL në botë, si në Australi apo Kaledoninë e Re, kanë pasur tejkalime kostosh deri në 300% dhe dështime katastrofike teknike në vitet e para të operimit.
Së dyti, sfida kryesore mbetet pyetja se kush do ta ndërtojë? Kina kontrollon aktualisht mbi 90% të kësaj teknologjie në nivel global, kryesisht në Indonezi.
Nëse një kompani kineze hyn si investitor direkt, kjo bie ndesh me strategjinë europiane por dhe amerikane të “nearshoring” dhe kufizimet e akteve si IAA apo ligji amerikan IRA. Nëse do të presim BE-në të na japë teknologjinë, Europa është ende shumë prapa dhe tejet e ngadaltë në zhvillimin e kësaj ekspertize.
Por, të marra së bashku, këto shifra theksojnë se kjo teknologji ka potencialin të eklipsojë çdo aktivitet tjetër ekonomik aktual të vendit tonë.
Katalizatori europian dhe avantazhi ndaj Greqisë: Realizimi i skenarit të tretë merr peshë të rëndësishme ekonomike, pikërisht falë procesit të riindustrializimit të Europës. Nëse Shqipëria bëhet pjesë e BE-së, ose integrohet thellësisht në tregun e saj të përbashkët të mineraleve strategjike, produktet e një impianti HPAL shqiptar do të shiteshin me një status premium si “Made in EU”.
Kjo i përjashton ato nga taksat Kufitare të Karbonit (CBAM) dhe do të sigurojë tregje të garantuara. Kjo mundësi e bën ndërtimin e një impianti lokal shumë më logjik dhe fitimprurës sesa eksportin e mineralit bruto p.sh. drejt fqinjit tonë jugor, Greqisë.
Greqia zotëron industri ekzistuese dhe i ka dhënë zgjidhje historike depozitimit të mbetjeve metalurgjike, por ka një mangësi të madhe: teknologjia e saj bazohet në pirometalurgjinë, shkrirje në temperatura të larta.
Kjo teknologji “e vjetër” arrin të prodhojë vetëm ferronikel dhe e djeg, ose e humbet plotësisht në skorie të gjithë skandiumin dhe kobaltin. Kur i shtojmë këtyre humbjeve teknologjike edhe kostot e larta të transportit të miliona tonëve mineral përtej kufirit, bëhet e qartë se ngritja e teknologjisë moderne HPAL brenda Shqipërisë është e vetmja rrugë që rrit shumëfish vlerën e nëntokës sonë.
Kërkesa e fshehur energjetike dhe aktivitetet ndihmëse: Një impiant HPAL nuk operon i vetëm; ai është zemra e një ekosistemi të tërë industrial që rrit në mënyrë masive kërkesën për energji.
Për të mbështetur procesin, nevojiten industri ndihmëse si prodhimi masiv i oksigjenit, i cili kërkon impiante ndarjeje ajri me konsum të lartë energjie, fabrika të acidit sulfurik, pompa të fuqishme të ujit dhe impiante të avancuara të trajtimit të mbetjeve.
Të gjitha këto mund të shtojnë lehtësisht 50 deri në 100 MW kërkesë shtesë. Nëse këtij zinxhiri i shtohet edhe një fabrikë moderne pCAM, për të kthyer MHP-në në katoda baterish për Europën, kërkesa totale industriale e një kompleksiteti të tillë mund të tejkalojë 400 MW të dedikuara.
Kostot e rënda mjedisore: Pavarësisht fitimit kolosal, teknologjia HPAL është një sfidë mjedisore ekstreme. Ajo përdor sasi gjigante uji dhe prodhon miliona tonë mbetje, të cilat ndonëse teknologjikisht mund të trajtohen e mitigohen, kërkojnë investime të mëdha që reflektohen e rëndojnë drejtpërdrejt çmimin final të produktit.
Për Shqipërinë, kjo kërkon ndërtimin nga e para të digave të posaçme ose landfilleve që kërkojnë hapësira toke dhe mbartin rrezik të përhershëm ekologjik për ndotjen e ujërave nëntokësore apo tokave bujqësore.
Kjo ngre një pikëpyetje thelbësore: a jemi të gatshëm, si shoqëri, të pranojmë dhe a dimë t’i menaxhojmë këto pasoja nën dritën e inceneratorëve, si dhe faturën e lartë mjedisore, ekologjike por edhe financiare në këmbim të integrimit ekonomik në tregun europian të elektrifikimit, por së pari për industrializimin e vendit.
Kriza e hidrocentraleve
Ndërsa peshojmë këtë faturë të lartë ekologjike dhe fitimin kolosal ekonomik, lind në mënyrë të pashmangshme pyetja mbi burimet tona aktuale energjetike dhe pse ato nuk mjaftojnë për ta mbajtur të gjithë këtë peshë të industrializimit, sfidave dhe rritjes normale ekonomike.
Shqipëria historikisht është mbështetur te kaskada e Drinit, por ky sistem përballet me dy kërcënime strukturore që e bëjnë nevojën për një burim alternativ, si gazi, inxhinierikisht të domosdoshëm. Sedimentimi, vdekja graduale e liqeneve artificiale: liqenet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës po mbushen çdo vit me miliona tonë sedimente, gurë dhe dhera.
Ky proces ul vëllimin e ujit, duke pakësuar “baterinë” tonë natyrore. Në terma afatgjatë, kjo do të thotë se edhe nëse bie shi, ne nuk kemi volume si më parë për ta mbajtur ujin, duke humbur aftësinë për të prodhuar energji gjatë verës.
Stresi Hidrologjik: ndryshimet klimatike kanë krijuar një regjim reshjesh të pasigurta. “Baseload” i Shqipërisë, që dikur ishte 100% hidro, tani është i ekspozuar ndaj thatësirave që mund të zgjasin me muaj, ose dhe vite, duke e bërë të pamundur furnizimin e ekonomisë dhe popullsisë e aq më tepër të industrive si HPAL apo Qendrat e të Dhënave vetëm me ujë/Hec-e.
750 MW shtesë?
Pamundësia e kaskadës për të qenë e vetmja shtyllë e kësaj kërkese të rritur, na çon te nevoja për gazin LNG, duke bashkuar në një pikë të gjitha detajet e kësaj analize. Pyetja kryesore për të ardhmen industriale të Shqipërisë është a ka përputhje mes “Ofertës së Detyruar” të gazit dhe “Kërkesës Reale” të pritshme, kuptohet. Llogaritja e kërkesës shtesë në skenarin optimist: 2-3 Qendra të Dhënash, Sovraniteti Digjital: 100 MW.
Por, duhet ditur se kompanitë e mëdha si Google, Microsoft, Amazon kanë angazhime strikte lidhur me energjinë që përdorin, ose siç njihet në terma teknikë ESG (Environmental, Social, and Governance) për të qenë neutrale kundrejt gjenerimit të CO2 në atmosferë (Carbon Neutral).
Ato po ndërtojnë Qendra të Dhënash vetëm atje ku ka energji 100% të gjelbër si hidro, solar, erë. Gjasat që një gjigant teknologjie të vijë në Shqipëri për të përdorur energji të prodhuar nga djegia e gazit fosil (LNG) janë pothuajse zero. 1 Fabrikë me cikël të plotë HPAL + Industri Ndihmëse/pCAM: 350 \ 400 MW.
Kompensimi i rënies hidrike dhe rritja normale e kërkesës: 150 MW. Elektrifikimi i transportit: edhe nëse imagjinojmë një skenar optimist me një 20-fishim të numrit të makinave elektrike në 10 vitet e ardhshme, mbi 260,000 mjete, kërkesa e tyre shtesë prej rreth 0.8 TWh në vit kërkon një ekuivalent prej rreth 100 MW fuqi gjeneruese bazë. Totali maksimal: 700 deri në 750 MW.
Sipas marrëveshjes së prillit 2026, Shqipëria është “e detyruar” të blejë 1 miliard $ metra kub gaz në vit, për 20 vjet, të cilat kërkojnë TEC-e me fuqi 750 MW për të gjeneruar, e pastaj për të konsumuar energji elektrike, kjo në pamundësi të rishitjes.
Siç e tregojnë këto llogaritje inxhinierike, i vetmi skenar ku e gjithë kjo energji e re që duhet gjeneruar justifikohet – është ndërtimi i një impianti gjigant HPAL, bashkë me industritë e tij mbështetëse, të kombinuar me zhvillimin e Qendrave të të Dhënave dhe elektrifikimin e plotë të transportit.
“Boom or Bust” dhe Koha e Humbur
Në dritën e këtyre ekuilibrave mes detyrimeve kontraktuale dhe mundësive potenciale gjeologjike, e ardhmja e vendit varet nga një zgjedhje që ka aktorët mësipërm: cikli i plotë i nxjerrjes së metaleve nga mineralet kritike duke përdorur teknologjinë HPAL për lateritet, Qendrat e të Dhënave, së bashku me elektrifikimin masiv të transportit dhe nevojën e kahershme për kompensimin hidrik.
Ata ofrojnë rrugën për një “Boom” ekonomik që mund ta kthejë Shqipërinë në një lojtar rajonal, pse jo europian. Por, rreziku i një “Bust” (falimentimi) financiar është i lartë: kemi blerë “karburantin” $1 bcm gaz, përpara se të kemi “motorin”, industrinë, Europën dhe kërkesën industriale që duhet të krijohet.
Rreziku i Kohës: Kjo është ndoshta pika më delikate e këtij vizioni. Marrëveshja e LNG-së do të kërkojë pagesa fikse prej $ 300 milionë në vit menjëherë pas fillimit të furnizimit. Nga ana tjetër, ngritja e një industrie komplekse si HPAL nga zero, studimet, leja mjedisore, financimi, ndërtimi kërkojnë mesatarisht në kushte normale nga 7 deri në 10 vjet.
Diferenca në vite flet për një humnerë financiare ku vendi mund ta zbrazë arkën përpara se fabrikat e para të ndezin furrat.
Pa Investime të Huaja Direkte dhe publike shqiptare prej miliarda eurosh dhe pa vizion që do të krijojë fabrikat, infrastrukturën, etj., Shqipëria rrezikon të mbetet vetëm me faturën e gazit, ndërkohë që burimet tona të rinovueshme si uji, dielli dhe era do të kanibalizohen nga detyrimi për të djegur një lëndë energjetike që nuk kemi kujt t’ia shesim.
Por, nuk duhet harruar se Gjermania pagoi çmime absurde për LNG amerikane pas shkëputjes nga gazi rus. Zhvillimi industrial i shpejtë dhe i qëndrueshëm i Shqipërisë varet nga fakti nëse do të mund të integrohemi në BE, të investojmë dhe zhvillojmë industri që kërkojnë 750 MW energji të re, apo do të mbetemi thjesht një klient me një faturë gjigante.
Ashtu si në fillim, banka edhe pse nuk e dëshiron aspak, por shtëpinë tënde të ëndrrave e nxjerr në ankand kur nuk paguan këstin e radhës.
*Opinion i pavarur
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.