Tiranë 19°C · Pjesërisht vranët 22 May 2026
S&P 500 7,473 ▲0.37%
DOW 50,580 ▲0.58%
NASDAQ 26,344 ▲0.19%
NAFTA 97.00 ▲0.67%
ARI 4,511 ▼0.7%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3662 EUR/MKD 61.6974 EUR/RSD 117.4178 EUR/TRY 53.0567 EUR/JPY 184.67 EUR/CAD 1.5988 EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3662 EUR/MKD 61.6974 EUR/RSD 117.4178 EUR/TRY 53.0567 EUR/JPY 184.67 EUR/CAD 1.5988
₿ CRYPTO
BTC $76,048 ▼ -2.15% ETH $2,078 ▼ -2.75% XRP $1.3435 ▼ -2.37% SOL $85.2000 ▼ -2.51%
S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 97.00 ▲0.67 % ARI 4,511 ▼0.7 % S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 97.00 ▲0.67 % ARI 4,511 ▼0.7 %
EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3662 EUR/MKD 61.6974 EUR/RSD 117.4178 EUR/TRY 53.0567 EUR/JPY 184.67 EUR/CAD 1.5988 EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3662 EUR/MKD 61.6974 EUR/RSD 117.4178 EUR/TRY 53.0567 EUR/JPY 184.67 EUR/CAD 1.5988
22 May 2026
Breaking
Ekonomia

KasaBE-ja

Institucione Ndërkombëtare Lajmet Kryesore Nga Vendi Opinion i pavarur

KasaBE-ja

Share Share Icon

Nga Laert Dogjani*

 

Kasabaja është afër the, që këtej? Që nga aty poshtë, një vrap pele përgjigjej dikur Ndrio.

Për t’u pranuar në Bashkimin Europian duhen kryer plot reforma. Si kurrë më parë, BE paguan vendet e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e disa prej këtyre reformave.

Ky quhet Plani i Rritjes dhe Axhenda e Reformave. Plani ka qëllime që përfshijnë afrimin me tregjet e BE-së dhe mes vetë rajonit, të përshpejtojë reformat themelore, të shtojë fondet e paraanëtarësimit, të ngushtojë hendekun pasuror dhe të krijojë rregulla të barabarta për kompanitë.

Po ashtu, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të pengojnë njëra-tjetrën. Me përjashtim të pranimit në Shengen, Plani i Rritjes përqafon shumicën e ideve të Ballkanit të Hapur dhe të “op-ed” për “Frankfurte Allgemagne Zeitung” të shkruar nga Rama dhe Vuçiç.

Për ironi dhe hipokrizi, Shqipëria nuk po zbaton as reformat e Planit të Rritjes për të cilat BE na paguan gati 1 miliard euro. Këto përfshijnë fusha si Kapitali Njerëzor, Pronat, Energjia, Zbatimi i Ligjit. Sipas verifikimit të informacionit publik, Shqipëria nuk ka realizuar asnjë nga 29 reformat të cilat kishin si afat 31 Dhjetor ’25.

Kjo performancë e keqe i mbivendoset 20/41 reformat e pazbatuara prej Dhjetorit 2024. Për këto të fundit, në qershor përfundon edhe afati shtesë dhe fondet digjen. Këtë e rikujtoi pa forcë Marta Kos para disa ditësh.

Por nuk është ky lajmi. Sipas komunikimeve me burokratët e Komisionit Europian, bazuar në një “udhëzim të brendshëm”, këta të fundit i japin vetes tre muaj kohë që t’u tregojnë shqiptarëve a i ka kryer qeveria reformat. Afati tremujor fillon pasi Qeveria dorëzon raportin e saj (15 janar).

Tashmë kanë kaluar 26 ditë nga përfundimi i afatit dhe do të duhej të kishim raportin zyrtar monitorues nga Komisioni Europian, por nuk e kemi. Ky në fakt është progres. Për reformat që duhet të zbatoheshin deri në Dhjetor ’24, Komisioni Europian raportoi në Tetor 2025, megjithëse Direktiva e detyron të raportojë çdo 6 muaj.

Sikur të mos mjaftonte kjo, paralelisht, vendet anëtare të BE paguajnë dy OJQ për të kryer monitorim të zbatimit të reformave. As këto nuk kanë prodhuar raport monitorimi, megjithëse nuk duhen më shumë se katër orë për të verifikuar nëse janë kryer këto 29 reforma.

Një lëvizje e zgjuar e BE-së është që këto reforma të Planit të Rritjes janë specifike, të matshme dhe publike, kështu që kontrolli kryhet lehtë në institucione shqiptare dhe të huaja. Edhe pas kësaj performance do të thonë se punojmë më mirë se çdo vend i rajonit, a thua se garën e kemi me vendet e rajonit apo me objektivin vend anëtar i BE në 2030.

Bashkimi Europian nuk është “kasabaja” otomane, larg qoftë. Por sa më shumë ndërveproj për Planin e Rritjes me institucionet dhe burokratët e tyre prej vitit 2023, më fashiten iluzionet që besoj se kanë shumica e shqiptarëve për BE-në, si të një organizimi perfekt.

Përtej shpërdorimit financiar, mosrespektimit të Rregulloreve, mungesës së transparencës dhe njohjes së reformave të pakryera si të tilla, Komisioni i BE-së gjendet më pranë propagandës sesa së vërtetës kur von der Leyen pretendonte se ky Plan Rritjeje “do të dyfishonte ekonomitë e rajonit në shtatë vjet”, çka nuk është arritur askund në botë.

Këto veprime të standardit ballkanik kanë fuqizuar forca ekstreme në Europë të cilat, si në rastin e Hungarisë, ju desh shumë kohë dhe mundim për t’i zgjidhur. Ndërkohë që shkruhej kjo analizë u raportua se Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Malit të Zi dhe Shqipërisë do t’i akordohen 200 milionë euro shtesë sipas planit.

Mbetet për t’u verifikuar dokumenti zyrtar nëse edhe këtë herë ka lëshime, mosrespektime dhe shkelje të Rregulloreve të vetë BE-së, si këto që paraqiten në këtë paragraf.

Tashmë është fakt i pranuar që Bullgaria dhe Rumania u pranuan me nxitim nga BE. Ky i fundit nuk ushtroi fuqinë e tij për të detyruar zbatimin e reformave dhe për të arritur transformimin e këtyre dy vendeve.

Dhe nuk u desh gjatë që Bullgaria dhe Rumania të zgjedhin qeveri euroskeptike që mund të bëhen 2 veto që zëvendësojnë veton e Hungarisë për çështje me rëndësi për BE-në.

Ai gabim po ndodh edhe në Ballkanin Perëndimor. Me këtë ritëm gabimesh, mosveprimesh dhe fshehje të së vërtetës, BE nuk do të arrijë kurrë qëndrueshmërinë e brendshme që i duhet për të qenë lojtar i respektuar, në një arenë botërore gjithnjë e më të paqartë.

Filmi “Udha e Shkronjave” që bazohet te tregimi i Shuteriqit “Buka dhe Thika” përmban edhe një metaforë tjetër. Buka dhe Thika e Shuteriqit ngjan si një rastësi pothuaj kozmike me një nga metodat kryesore të ushtrimit të politikës së BE-së, kushtëzimi pozitiv sipas antitezës “Shkop dhe Karotë”.

Dhaskal Todri përpiqet të sjellë standardet europiane në Shqipëri. Me Todrin është edhe populli (Tunxhi, çobani) që e kërkojnë dijen si “i verbëri që do të shikojë”, por pengohen nga Ndrio.

Vërtet shqiptarët duhet t’i zgjidhin vetë problemet që shkaktojnë moskryerja e reformave nga qeveria dhe në fakt ishte Tunxhi ai që i “dërgoi shkronjat në kasaba”, por me anëtarësimin në BE, asaj i dorëzojmë një pjesë të sovranitetit tonë. Këtë e kemi bërë që me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Kështu që pa justifikime, BE do të duhej në këmbim edhe ajo të na tregojë me gisht dhe me emër “Ndrio(t)” tanë, por nuk e bën, megjithëse është detyruar sipas MSA-së, por edhe sipas Planit të Rritjes, Reg. (EU) 2024/1449 dhe në Shqipëri, sipas VKM nr. 621, datë 10.10.2024.

Kështu që, të mos ushqejmë iluzione se mundimi ynë deri në KasaBE për ca shkronja plumbi do të na shpërblehet sot për nesër me transparencë, zbatim ligji dhe nivel të rritur ekonomik. Për këtë arsye, prej disa kohësh krijova dhe hodha në publik termin KasaBE, një metaforë me Kasaba-në, qendrën provinciale të perandorisë osmane, atje ku Dhaskal Todri përpiqej të dërgonte shkronjat e Alemanjës.

Zhvillimet e fundit brenda dhe jashtë BE-së fatkeqësisht tregojnë se BE-ja e ka humbur shkopin jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për çështje të tjera shumë më të mëdha. E pa shkopin, edhe karota merr tjetër kuptim.

*Opinion i pavarur

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.