Ministrat teknikë: Votat u blenë! Qeveria: I paligjshëm, nuk u votua në “Task Forcë”
Një raport voluminoz me më shumë se 100 faqe pasqyron aktivitetin e 7 ministrave teknikë gjatë 20 ditëve të monitorimit të fushatës elektorale dhe konkluzioni nuk ndryshon nga ai i Partisë Demokratike.
Pati shitblerje masive të votës edhe me burime të paligjshme parash, aq sa ndikoi në rënien e vlerës së euros menjëherë pas marrëveshjes Rama-Basha deri dy ditë pas zgjedhjeve; se grupe kriminale mbështetën partitë e mazhorancës në zgjedhje; se punonjës të Policisë së Shtetit mbështetën qeverinë në bashkëpunim me elementë kriminalë dhe se administrata e fondet buxhetore u përdorën në fushatë.
Raporti përmend 3.600 lëvizje në kundërshtim me ligjin në administratë gjatë fushatës. Në raport, përmenden emrat e institucioneve dhe personave që konsiderohet se kanë shkelur ligjin zgjedhor, apo ligje të tjera të standardeve për zgjedhjet, por në të shumtën e rasteve, raporti thotë se nuk janë verifikuar nga policia, ose kanë mbetur pa përgjigje.
Për shembull, në raport thuhet se ministrat teknikë kanë dërguar në Prokurori rreth 110 raste për krime zgjedhore, ndërsa policia ka proceduar vetëm 69 nga 484 denoncime të përcjella nga Ministria e Brendshme.
Në gjetjet kryesore të raportit bie në sy një pohim, që ngjason edhe ky me konkluzionin e kreut të opozitës Lulzim Basha. Ai se Rama nuk e respektoi marrëveshjen, as për funksionimin e ministrave teknikë, detyra e të cilëve ishte monitorimi nga brenda qeverisë i administratës shtetërore në raport me zgjedhjet.
Përveç kohës së shkurtër 20-ditore, në raport thuhet se “Task Forcës” nuk iu vunë në dispozicion mjetet e nevojshme financiare apo logjistike për të kryer një proces real monitorimi. Të gjitha këto shkaqe – shkruhet në raport, – bënë të vështirë, deri në pamundësi, përmbushjen e misionit të ngarkuar.
Për këtë arsye, duke e vlerësuar si një praktikë shumë të mirë përfshirjen e opozitës në qeveri gjatë vitit zgjedhor, në funksion të standardeve të zgjedhjeve, dhe që kjo përfshirje të jetë efektive, raporti rekomandon pjesëmarrjen e opozitës 3-6 muaj para zgjedhjeve.
Por raporti final për zgjedhjet, i cili u është shpërndarë edhe partnerëve ndërkombëtarë, konsiderohet procedurialisht jo korrekt nga qeveria, sepse ai nuk është diskutuar dhe nuk është miratuar në mbledhjen e “Task Forcës” sipas parashikimeve të vendimit të qeverisë.
Një burim zyrtar qeveritar tha se, e konsideronte këtë vetëm një raport të ministrave teknikë, i pa votuar nga “Task Forca”. I pyetur se, në çdo rast ministrat teknikë kanë shumicën në “Task Forcë”, burimi qeveritar tha se mosrespektimi i procedurave e bën raportin të paligjshëm.
Por në raport nuk thuhet që ai të jetë miratuar nga “Task Forca” dhe se ai është firmosur vetëm nga Ledina Mandija, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe kryetares së “Task Forcës”.