Opinion

“Ministria e zemrës “

FADIL LEPAJA

Fadil LepajaKeni zemër të sëmurë? Mendoni se jo? Mos mendoni! Verifikojeni te mjekët më të mirë nga shtëpitë tona publike të shëndetit apo në ato private. E kush ka zemër të mirë sot me gjithë këtë stres që po na e krijon (para)politika?! Kontrollojeni njëherë! Në ato publike, nuk punon aparatura, nuk ka ilaçe edhe nuk ka shtretër të lirë. Provo te privati!

“Alo, alo ambulanca, zemra ime është e sëmurë”, këndon dhembshëm folk-këngëtari, për zemrën e tij të sëmurë nga dashuria. Ai problemet me zemrën nuk i kishte nga sporti, as nga politika. Meqë e përmendëm sportin, kësaj radhe nuk po flasim për sportin e as mikpritjen e famshme serbe, e cila tashmë u bë e njohur në përmasa globale dhe rrezikoi atak kardiak përmasash (inter)nacionale, pra në të dyja anët e ekranit. Edhe ekrani si medalja, i ka dy anë.

Pra, desh na pushoi zemra! Aq shumë emocione! Aq shumë dashuri dhe urrejtje fisesh në vetëm një orë e gjysmë program! Këtë nuk e ofron asnjë serial latino-amerikan apo turk. Luftë vëlla! Bac, nuk është kry asgjë!

Por … të kthehemi te dashuria dhe problemet shtetërore me zemrën. Premtuam se nuk do të flasim për kontributin e sportit apo marrëdhënieve ndëretnike në biznesin profitabël të “zemrave”. Mos na keqkuptoni! Nuk po flas këtu për trafikim “qeniesh njerëzore”. Po flas për politikë. Kardiopolitikë. Për Ministrinë e Zemrës.

Që ta dini, nuk kam shëtitur shumë, por edhe mbyllur nuk kam ndenjur. Por, nuk ka vend në botë, ku sirenat e autoambulancës hingëllojnë aq dhembshëm sa ndër ne. Kuisin sikur një qen besnik mbi varrin e të zotit. Hingëllojnë, jo nga dhembja për pacientët e sëmurë, se sëmundje ka kudo nëpër botë. Por ka edhe mjekë dhe spitale, do të thoni ju. Hingëllojnë nga dhembja se pacientët nuk kanë ku të shkojnë. As nëpër shtëpitë publike të shëndetit e as nëpër ato private. Se te ne ambulancat quhen “Shtëpi të shëndetit”. E shumica janë publike. Ka edhe private.

Ok, pajtohem se, askush, e sidomos jo shteti, nuk e di ku përfundon njëra e ku fillon tjetra, pasi të njëjtët mjekë e personel, pasi e përfundojnë orarin e punës te njëra, kalojnë te tjetra. Kapacitetet tona profesionale gjithsesi janë të kufizuara. Kështu, janë përzier këmbët, nën asistimin formal të shtetit. Pastaj, nuk është përzier vetëm personeli, por shpesh merren me vete të njëjtat ilaçe. Të njëjtat pajisje, me të cilat personeli nuk di të punojë dhe prishen për pak ditë nëpër spitale publike, i riparojnë vetë në ato private. Por, në shtëpitë publike të shëndetit janë punonjës e në ato private janë pronarë. Kështu disi edhe klinikat shtetërore janë kapur në grackë në këtë pako të partneritetit joformal publiko-privat. Shteti nuk mundet. Shteti nuk ka para. Por … ka privati.

Por, të kthehemi te kënga! E si të këndohet për një shtëpi të shëndetit, or vëlla? Nuk është muzikale! Ambulanca pra! Tingëllon më mirë dhe është internacionale. Pastaj, çfarë hyn këtu fjala shtëpi? Po të kishte ilaçe dhe mundësi kujdesi në shtëpi, kush do të shkonte në spitale?

Ah, dashuria! Zemra! “Alo, alo, ambulanca, shteti im është i sëmurë …” Tingëllon më bukur? Jo, nuk tingëllon, por tashmë të gjithë po pajtohemi me realitetin.

E si të mos pajtohemi kur ministri i Shëndetësisë dhe stafi i tij merret në pyetje nga Policia e Shtetit për çështje të “Zemrës”, më falni … kontratash me spitalet private?!

Ani çka, do të përgjigjeni? Mos e ka pësuar ndokush nga këto biseda? Njëri klan e përdor policinë për të shkarkuar tjetrin. E komplikuar?! Aq sa atakon trurin dhe … zemrën.

Sidoqoftë, këto ditë shteti arrestoi një grup, me dyshime për krim të organizuar dhe keqpërdorime në shëndetësinë publike. Ministrin nuk e arrestoi. Ky shtet nuk e nguc veten.

Sidoqoftë personeli shëndetësor ishte i dyshuar për krime. Kardiokrime! Krime zemre! Dashurie?! Jo more vëlla, ku shteti e ku dashuria! Është veç biznes.

Pra, edhe shteti ka halle, me zemrën, lexues i dashur. Shteti ka halle dashurie. Probleme të cilat, sipas disa analistëve, munden me u zgjidh veç në qytetin e të dashuruarve. Pra në Venedik. Pikërisht mbi apo nën “Urën e psherëtimave.” Ah, sa zemra ka plasur nën atë urë apo mbi! E një jurist lokal propozon që për problemet e Kosovës me institucionet të cilat kanë marrë namin e kalasë së Rozafatit, të cilat e sëmurën një popull të tërë, mund të zgjidhen pikërisht në … Venedik. Në Komisionin e Venedikut.

Edhe politikanët, krejt këtë çështje e kanë marrë me zemër. Për shembull, koalicioni “fitues”, i cili po dyshohet, në mes të tjerash edhe për një kardiopolitikë pak a shumë mafioze, pra për lidhje të fshehta publiko-private në biznesin e zemrës, më së shumti po flet me emocione. Emocione të cilat po e godasin në zemër vetë qytetarin e thjeshtë. Se, qytetari votoi. Këto zgjedhje për herë të parë u cilësuan si zgjedhje të ndershme. Priste një qeverisje të ndershme. Si mos me e marrë me zemër këtë punë?!

Pra … dikush po e tensionon situatën me qëllim. Dikush po përfiton nga kriza, thonë ekspertët. Pra, u zbardh çështja. E kanë me zemrën. Sa më shumë shqetësime me zemrën, biznesi publiko-privat lulëzon. Ah, Venecia! Sa herë dashuria i ka dalë në ndihmë politikës dhe anasjelltas? Sa afera janë ngjizur në karriget e buta të pushtetit?

E “Ministria e Zemrës”, udhëhiqet nga zyrtarë që besojnë se punët e zemrës duhet të shkojnë “mbuluar”. Angazhimi për çlirimin e femrës, duke e mbuluar atë plotësisht, është angazhim publik i partisë, e cila ishte në qeverisje në mandatin e kaluar, por edhe në koalicionin i cili pretendon se e ka fituar shumicën. Pra 31%! Mos më thoni se nuk jam mirë me numrat! E di edhe unë se shumicë është kur i ke mbi 50%, por kështu nuk mendon edhe kushtetuesja. Ku unë e ku kushtetuesja!

Edhe kushtetuesja ka zemër! E ata? Ata, insistojnë me çdo kusht me e formue sërish qeverinë e re. Edhe me e udhëheqë (kardio)politikën vendore e ndërkombëtare.

E kur jemi te kontrata, Sekretari Permanent në Ministrinë e Zemrës, deklaron para gjyqit se “Nuk ka pas qare pa e nënshkrue”! Kush e detyroi përfaqësuesin e shtetit? Ka më të fortë se shteti?

Alo, alo ambulanca, shteti ynë është i sëmurë … Ku me e “shërue” shtetin? Në cilën “shpi”? Publike apo private?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button