Ekonomia

Misteri i Gazsjellësit nr 2 mes Shqipërisë e Puljas

Në mënyrë të papritur, ndoshta për vetë qeverinë Rama, një grup italian biznesi i vendosur prej kohësh në Shqipëri ka prezantuar këto ditë në Romë projektin e një gazsjellësi nga vendi ynë drejt Italisë, që do të përfaësonte një linjë të dytë të gazsjellësve midis dy vendeve, krahas Trans Adriatic Pipeline (TAP).

Projekti është paraqitur në Romë më 6 korrik nga guvernatori i Puglia, Michele Emiliano, nga drejtori i grupit Falcione, Fabio Greco, dhe nga presidenti promotor i projektit, Edmondo Falcione, shkruan gazeta ekonomike italiane “Il Sole 24 ore”.

“Zgjohet” projekti i harruar, rivali i TAP-it pa transparencë
Projekti është ende në letër. Në rast se nuk do të dalin pengesa, realizimi i tij do të përfundonte nga viti 2020, kur pritet, të paktën fillimi i aktiviteteve komerciale. Quhet Eagle Lng, parashikon një terminal rigazifikimi bazuar në një anije FSRU në ujërat shqiptare (d.m.th. një njësi lundruese rigazifikimi dhe stokimi), të lidhur me një tubacion detar midis Italisë dhe Shqipërisë. Kostoja totale është rreth 660 milionë euro dhe përfshin investimin për anijen dhe terminalin LNG dhe ndërtimin e gazsjellësit.

Ideja është që në ujrat e Shqipërisë, 5 kilometra larg nga bregu, të vendoset anija-një lloj fabrike lundruese -e cila do të furnizohej me gaz të lëngshëm prej anijeve të tjera nga Katari, që është furnizues i madh i kësaj lënde të parë energjetike. Pasi të rikthehej në gaz, duke qenë se transporti bëhet në gjendje të lëngshme dhe në temperatura shumë të ulta, do të transportohej me tuba nënujorë drejt Italisë.

Sipas drejtuesve të kompanisë, projekti Eagle Lng në vitin 2013 ka marrë nga Bashkimi Europian miratimin për përfshirjen në listën e projekteve me interes të Komunitetit, por është ende në pritje për të marrë autorizimet e nevojshme nga ana italiane.
Ende nuk janë bërë të ditura kostot e transmetimit dhe shpenzimet e shitjes. Tani për tani, Eagle ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Next Dekade, që po ndërton projektin e gazit “Rio Grande” në Teksas, SHBA, nga ku, kanë siguruar nxitësit e projektit, se do të marrë pjesën më të madhe të furnizimit “ekonomik dhe të sigurt”, projekti Eagle.

Projekti duket se rivalizon gazsjellësin TAP, i cili do të sjellë gaz nga rajoni i Detit Kaspik dhe për të cilin ka pasur kundërshtime nga komuniteti në Puglia, ku do të jetë dalja e tij përfundimtare. Nuk është rastësi që prezantimin e projektit Eagle në Romë e kryesoi kryebashkiaku i Puglia-s, Emiliano, i cili është përfshirë në një betejë për të zhvendosur daljen e TAP dhe që ndoshta e sheh Eagle, si një alternativë për TAP. Por tashmë TAP është në 50% të punimeve në total dhe nuk parashikohet më asnjë pengesë ligjore.  Ndërkohë, Eagle nuk ka marrë ende OK nga autoritetet italiane.

Por rezulton që projekti të ketë marrë OK nga qeveria shqiptare e asaj kohe (Berisha) në dhjetor të vitit 2008. Qeveria Rama deri më sot nuk ka revokuar asnjëherë marrëveshjen, që dukej se ishte harruar.

Çfarë parashikon projekti Eagle Lgn

Sipas ideatorëve të tij, gazsjellësi i dytë që do të lidhte Shqipërinë (ujrat territorial të saj) me Italinë do të transportonte 4 miliardë metra kub gaz natyror, sasi që mund të arrinte edhe 8 miliardë metra kub në vit. Kjo është një shifër shumë e lartë, po të mendosh që sjellja e gazit do të kryhej nëpërmjet anijeve çisterna të posaçme. Ndërkohë TAP parashikon nga 10 deri në 20 miliardë metra kub në vit.
Tubacioni nga anija deri në bregdetin puljez do të ishte 100 kilometra i gjatë, ndërkohë që do të ndërtoheshin edhe 18 kilometra tubacion lidhës me rrjetin nacional në territorin italian. Investimi do të kushtonte rreth 660 milionë euro, shumë herë më pak se gazsjellësi TAP. Këtu përfshihet edhe kostoja e anijes rigazifikuese, që do të ishte rreth 150 milionë euro.
Deri tani, projekti ka siguruar mbështetje nga Rajoni Pulja, nisur nga vlerësimet se nuk dëmton mjedisin, si dhe është listuar në projektet që njihen nga BE. Ndërkohë, në ministrinë italiane të Mjedisit ende projekti është në fazën e diskutimeve dhe nuk ka një datë se kur mund të përfundojnë ato dhe në se do të jepet apo jo mendim pozitiv.
Gazi mendohet të krijojë një mundësi për të furnizuar 10 për qind të nevojave të ekonomisë italiane, duke dhënë gjithashtu një alternativë me shumëfishim të burimeve energjetike.

Problemet që lindin nga një marrëveshje e vitit 2008

Projekti i gazsjellësit ‘Eagle Lng’ është mjaft i hershëm. Ai është hedhur në treg dhe miratuar nga pala shqiptare kur ende gazsjellësi TAP konsiderohej si një opsion, por nuk ishte kthyer ende në një siguri.

Tani që TAP, jo vetëm që ka kryer 50 për qind të punimeve, por është çimentuar si një partner strategjik i qeverisë shqiptare dhe i atyre të vendeve nga kalon, ndoshta ringjallja e këtij projekti do të duhej të bisedohej me palët, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike. Ajo ka miratimin e BE, mad ekonomike. TAP ka miratimin e BE, madje dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një alternativë për gazin rus drejt Perëndimit. Furnizimi me gaz të lëngshëm nga burime të tjera do të duhej gjithashtu të ishte një objekt diskutimi me partnerët strategjikë, që nga NATO dhe deri tek SHBA. Nuk mjafton të jetë një ndërmarrje amerikane ajo që realizon projektin, që ky i fundit të miratohet nga Amerika. Ajo që nuk u tha pak ditë më parë në Romë, ku u prezantua projekti i ri, është se kush do të jetë origjina e gazit të lëngshëm që do të rigazifikohet. Hipotezat janë dy: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katari. Por ngarkesa të mëdha nga përtej Atlantikut vështirë se do të sigurohëshin, kështu që mbetet vendi arab, i cili pikërisht tani po stigmatizohet si një vend që financon terrorizmin islamik, madje është vënë në bllokadë edhe nga vendet e tjera të rajonit.

Të gjitha këto duhen riparë edhe një herë, pasi nga viti 2008 e deri më tani ka rrjedhur shumë ujë dhe kanë ndryshuar shumë gjëra në arenën botërore. Natyrisht, Shqipërisë do t’i bënte punë një gazsjellës i dytë, që ndërtohet madje me financimet e të tjerëve. Kjo, pasi një linjë do të furnizonte edhe Shqipërinë, veç asaj drejt Italisë. Por gjithsesi projekti duhet të diskutohet nga e para.

Projektin e kanë nënshkruar Berisha, Ruli e Berluskoni

Ish-kryeministri loboi në Katar për të shkëmbyer gazin me ujin shqiptar

Më 2 dhjetor 2008, gjatë mandatit të parë të kryeministrit Sali Berisha, ka qenë Silvio Berlusconi, ish-homologu i tij, që ka ardhur në Shqipëri për të asistuar në nënshkrimin e marrëveshjes midis dy vendeve, e cila jepte dritën jeshile nga pala shqiptare për realizimin e projektit që po hidhet tani në skenë përsëri. Marrëveshja u nënshkrua nga ish-ministri i Energjisë Genc Ruli dhe presidenti i grupit italian Falcione.

Sipas termave të marrëveshjes, investimi do të kishte një vlerë prej 1 miliard eurosh. Por këtu në lojë ishte edhe ndërtimi i një pike stokimi dhe rigazifikimi pranë Levanit, në Fier, ku ishte dhënë më parë një leje lidhur me një park të madh energjetik, përfshirë edhe një termocentral me gaz. Kjo pikë do të lidhej më pas me tubacion nënujor me Italinë, e cila do të furnizohej, sipas shifrave të atëhershme, nga 8 deri në 12 miliardë metra kub gaz. Qeveria shqiptare gëzonte të drejtën të kërkonte rritjen e kapaciteteve në rast se do të kishte më shumë nevojë për furnizim me gaz.

Që nga ajo kohë, projekti mbeti në letër. Investitori i pikës së madhe të stokimit, Agim Gjinali, nuk arriti të siguronte financimin, megjithëse i mori shumë shpejt të gjitha lejet e nevojshme nga qeveria shqiptare. Aktualisht nuk flitet më për këtë projekt, ndonëse do të ishte me shumë interes për opinionin që të dihej a parashikoheshin apo jo penalitetet në rast të mosrealizimit të tij dhe a janë aplikuar ndonjëherë ato.

Tregtia gaz-ujë
Ndërkohë, si një gjetje fantastike u ofrua shitja e ujit shqiptar për Katarin, në shkëmbim të gazit. Këtë e zbuloi vetë ing. Gjinali, kur tha në nëntor të vitit 2009 se Shqipëria mund të dërgojë anije me ujë të pijshëm drejt shteteve të Gjirit Persik, duke përdorur balastat e çisternave të gazit. “Gjithë ai shi që bie në Shqipëri, shkon dëm në Adriatik pa u përdorur”, deklaroi Gjinali, ndërsa prezantonte projektin e tij në konferencën e dytë ndërkombëtare mbi investimet e huaja në Shqiperi.
Këtë e konfirmoi edhe vetë Berisha, duke nxjerrë në pah edhe bashkëbiseduesin: “Kam negociuar personalisht në Katar për sigurimin e kontratave të furnizimit me gaz”, deklaroi ai në po këtë konferencë.  Berisha pati bisedime ne Katar në mars të vitit 2009, ndërsa në maj Shqipëria nënshkroi një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe teknik mes dy vendeve.

Bllokimi
Nuk kuptohet se kush ka nxitur ridaljen në skenë të një projekti të lënë në harresë, tashmë që gazsjellësi do të ketë edhe një rival me mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Ku hiqet dorë nga rigazifikuesi në Levan apo në Seman, në favor të kryerjes së procesit në një anije në ujrat e Shqipërisë. Dhe, nga ana tjetër, përse italianët pranojnë që anija të qendrojë në ujrat territorial shqiptare dhe jo në ato italiane, që do ta ulte jashtëzakonisht shumë koston? Kjo ka të bëjë me faktin që rregullat mjedisore në BE janë shumë më të rrepta se ato në Shqipëri?
Të gjitha këto pikëpyetje dali automatikisht pas “ringjalljes” së projektit të Berishës dhe Rulit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button