Rajoni

Mithcell: Një Ballkan i qëndrueshëm është në interes të Evropës dhe Amerikës

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, ka deklaruar se SHBA-të mbështesin rrugën euro-atlantike të Maqedonisë dhe se një Ballkan i qëndrueshëm, i sigurtë dhe i përparuar është në interes të Maqedonisë, Evropës, por edhe në interes të Amerikës.

Mitchell, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, përgëzoi përpjekjet e Maqedonisë dhe Greqisë për “marrëveshjen historike” të Prespës, marrëveshje të cilën e cilësoi të vështirë dhe që kërkoi sakrifica nga të dyja palët.

Sipas tij, referendumi i 30 shtatorit është një mundësi historike për shtetasit maqedonas, të cilëve u bëri thirrje të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore dhe të dalin të votojnë.

“Është në interes të Maqedonisë për t’u siguruar që zëri i qytetarëve të saj të dëgjohet. Nuk mendoj se është një moment në histori kur doni që zëri juaj të mos dëgjohet. Mendoj se është me rëndësi të ngreni zërin dhe ta bëni të qartë mendimin tuaj. SHBA mbështet Maqedoninë në këtë proces, si dhe besojmë se është edhe në interes të Maqedonisë, në interes të Evropës, por edhe në interes të Amerikës për të parë një Ballkan të qëndrueshëm, të sigurtë dhe të përparuar”, deklaroi Mithcell.

Mitchell bëri të ditur se sot në Shkup ka pasur biseda mjaft produktive me kryeministrin Zaev, ministrin e Jashtëm Nikolla Popovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, kreun e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, si dhe me komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile në vend.

Ai po ashtu i bëri thirrje liderit të opozitës maqedonase që t’u bëjë thirrje qytetarëve të shprehin të drejtën e votimit në referendumin e 30 shtatorit.

Kryeministri Zaev, nga ana e tij, tha se vizita e një diplomati të lartë në Maqedoni është inkurajim i fuqishëm për vendin dhe për qytetarët e saj për një referendum të suksesshëm, në të cilin, siç tha ai, qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Referendumi është mundësi për të arritura objektivat tona strategjike, ato janë qëllime të të gjitha gjeneratave të mëparshme të marra si vendimi ynë sovran me një konsensus universal politik dhe ndëretnik. Jam i bindur se anketat e konfirmojnë se një përqindje e madhe e qytetarëve tanë më 30 shtator do të vendosin se e ardhmja jonë është të jemi anëtare e aleancës më të fuqishme të sigurisë, NATO-s, si dhe të bashkësisë më të fuqishme ekonomike, Bashkimit Evropian. Kjo është rruga në të cilën duam të gjithë të ecim të bashkuar”, deklaroi kryeministri Zaev.

Zaev po ashtu i bëri thirrje opozitës të përcaktohet në mënyrë të qartë në referendumin e ardhshëm dhe theksoi nevojën e një lidershipi që do të njohë momentin e tanishëm.

Për herë të parë, ndihmës sekretari amerikan, Mitchell, vizitoi Maqedoninë në muajin mars të këtij viti, i cili në atë kohë porositi se “Administrata amerikane është dhe do të përfshihet më shumë në kontestin e emrit midis Maqedonië dhe Greqisë, por se marrëvesja duhet të jetë fryt i një pajtimi midis Shkupit dhe Athinës”.

Më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button