Mjeshtër të marrëveshjeve apo mjeshtër të pazareve?

Në politikën amerikane të viteve të fundit është vendosur në qendër një fjalë: “deal”. Ajo përdoret për çdo zhvillim të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe ekonomike. Por kuptimi i saj është i ndryshëm nga ai i një “agreement”.
“Deal”, në thelb, është pazar. Është një situatë ku secila palë përpiqet të fitojë sa më shumë në afat të shkurtër, shpesh duke shtyrë kufijtë maksimalë dhe duke testuar reagimin e palës tjetër.
Është një lojë presioni: vendosen tarifa, bëhen kërkesa të larta, hidhen ide të forta, pastaj negociohet për të tërhequr diçka konkrete. Në këtë proces, rëndësi ka të dalësh me një rezultat të menjëhershëm që mund të paraqitet si fitore. Asnjëherë ky lloj pazari nuk ndërton stabilitet dhe nuk krijon zgjidhje të qëndrueshme.
Ndryshe nga kjo, “agreement” është marrëveshje. Është një proces më i gjatë, që kalon përmes negociatave, kompromisit dhe qartësimit të detajeve. Një marrëveshje kërkon kohë, kërkon besim dhe synon të krijojë qëndrueshmëri. Nuk është spektakolare në momentin e shpalljes, por ka vlerë në vazhdimësi.
Politika amerikane sot po mbështetet fort tek modeli i “deal-it”. Kjo shihet në mënyrën si trajtohen marrëdhëniet tregtare dhe ato strategjike. Vendosen tarifa të larta ndaj partnerëve, më pas negociohet për t’i ulur. Bëhen deklarata me kërkesa maksimale, për të krijuar terren për tërheqje. Janë hedhur edhe ide që kanë bërë bujë, si përfshirja e Kanadasë si shteti i 51 i SHBA-së apo kërcënimet për pushtim ushtarak amerikan të Groenlandës. Këto paraqiten si lëvizje negociuese, si pjesë e një strategjie që synon të arrijë një “deal”.
Kjo qasje është ironike në vetvete. Një vend që për dekada ka ndërtuar sistemin ndërkombëtar mbi marrëveshje të qëndrueshme, sot e paraqet politikën si pazarin e gjësë së gjallë. Çdo çështje trajtohet si një transaksion. Çdo rezultat si një “deal i arritur”.
Ky model po reflektohet edhe në vende të tjera. Gjuha e politikës po ndryshon. Flitet më pak për marrëveshje dhe më shumë për “deal-e”. Po imitohet ideja se presioni dhe kërkesat maksimale janë mënyra më e shpejtë për të arritur rezultate.
Ndërkohë, realiteti po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Politika e pazareve nuk prodhon asgjë, as zgjidhje të thjeshta. Ajo e mban procesin të hapur, e shtyn problemin për më vonë dhe e rikthen sërish në tryezë në një formë tjetër. Dhe kështu, në vend të një marrëveshjeje që mbyll një çështje, krijohen cikle të reja negociatash që fillojnë nga e para, me të njëjtën logjikë dhe të njëjtin rezultat të përkohshëm.
Duket qartë një gjë: nevoja urgjente që “deal”-i të zëvendësohet me “agreement”. Por duke mos ditur se si dhe se kur, ajo që na mbetet është mësimi që del nga e gjitha kjo: zgjedhjet politike kanë konsekuenca dhe vota në kutinë e votimit nuk është thjesht një copë letër. Nuk është një “deal”, por një “agreement” që jeton për të paktën katër vjet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.