Hidhet shorti në KQZ, këta janë numrat e subjekteve politike për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të shtunë ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në këtë proces po marrin pjesë 21 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, tri koalicione dhe një kandidat i pavarur. Numrat që do të tërhiqen për renditjen në fletëvotim janë nga 111 deri në 131.
Në shortin e organizuar nga KQZ, subjektet kryesore politike kanë marrë këta numra për garën zgjedhore: Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 116, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 125, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 113, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 128 dhe Partia Socialdemokrate (PSD) – 129.
Fillimisht në hapje të aktivitetit, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procedura do të zhvillohet në mënyrë të hapur dhe transparente, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjitha subjektet politike.
“Ky aktivitet shënon një moment me rëndësi në mbarëvajtjen e kësaj procedure, ndaj procedura e sotme do të zhvillohet në mënyrë të hapur, transparente dhe në mënyrë publike, kjo me parimet e barazisë të paanshmërisë për të gjitha subjektet politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe aktiviteti i sotëm zhvillohet në kuadër të këtyre organizimeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet dhe palët e përfshira në proces zgjedhor, në mënyrë që secila fazë e përgatitjeve të realizohet sipas planifikimeve dhe afateve ligjore”, u shpreh Radoniqi.
Ai theksoi se pas proceseve intensive zgjedhore të viteve të fundit, KQZ-ja mbetet e përkushtuar që edhe këto zgjedhje të organizohen në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike.
Po ashtu sot, në orën 13: 00 në ambientet e KQZ-së, do të mbahet mbledhja e radhës e këtij institucioni, ku në rend të ditës janë çështje të ndryshme përgatitore të këtyre zgjedhjeve.
Në këtë mbledhje, KQZ pritet të certifikojë kandidatët e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 7 qershorit si dhe të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për votimin jashtë Kosovës.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, nuk do të fillojë menjëherë pas tërheqjes së shortit për numrat rendorë në fletëvotim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar të fillojë më 28 maj dhe të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të datës 7 qershor 2026, patën deklaruar zyrtarë të KQZ-së.
Ndërkohë, më 28 prill është shpërndarë legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës pasi që ky institucion legjislativ dështoi të zgjedh presidentin e ri të Kosovës sipas afateve zyrtare. Kështu, ushtruesja e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu pas një takimi me përfaqësues të partive politike parlamentare, shpalli ditën e zgjedhjeve të parakohshme për 7 qershor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.