“Mos guxoni…”, Rama: Ja mesazhi që iu kemi çuar dje prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ka nisur lufta më ekstreme ndaj krimit
Kryeministri Edi Rama foli sonte për operacionin “Forca e Ligjit”, të nisur në fillim të këtij muaji dhe që shënjestron pasuritë e personave të njohur të botës së krimit, por edhe për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të cilësuar prej tij si “grupi KÇK”.
Rama tha në emisionin “Opinion” se prej ditës së djeshme ka nisur dhe goditja e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar, që sipas tij, iu është dërguar mesazhi “Mos guxoni të merrni vendime skandaloze ‘kap ç’të kapësh’”.
“Këta kanë dalë nga zinxhirët, janë një bandë. Këta gjyqtarë dhe prokurorë thonë që nuk e kalojnë Vettingun, se nuk ka asnjë shans, ndaj dhe thonë të kapim, ç’të kapim. Meqë qenka kështu, ata nuk mund të kapin ç’të kapin, pasi të fillon hetimi nga ILD dhe shkon direkt përpara gjyqit si gjyqtar apo prokuror i akuzuar për t’u dënuar me burg, sepse ke bashkëpunuar me krimin”, tha Rama.
Fevziu: Mund të arrestohet një gjykatës apo prokuror?
Rama: 100% arrestohet, nëse jep vendime skandaloze, siç ishte ai i gjyqtares që liroi atë. Me këtë ne kemi arritur t’iu japim mesazhin gjyqtarëve e prokurorëve “Mos guxoni të bënim më veprime të tilla”. Deri dje kjo nuk bëhej dot, ishte e pamundur. Sot ka një emergjencë për ta çuar luftën kundër krimit në ekstrem. Ligji special nuk merret me asgjë tjetër, përveçse me një gjë: je dënuar, sepse ke vrarë, ke shfrytëzuar vajza, ke trafikuar drogë. E ke kryer apo je duke e kryer dënimin, s’ka rëndësi. Jo ne, po ti, jo shteti, po ti, do provosh që pasuria është burim i punës dhe jo i aktivitetit kriminal. Këtë gjë ka bërë edhe Italia, kur ka shkatërruar mafien. Ne e kemi një ligj ‘anti-mafia’, që është më i egër se ky, por me kë të funksiononte ai, me KÇK. Kjo është shpallja më ekstreme e luftës ndaj krimit të organizuar.
Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ligjin anti-KÇK dhe aksionet e Operacionit Forca e Ligjit. Drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu e ka pyetur përse aksioni i OFL-së për justifikimin e pasurisë nuk ka nisur nga Kryeministri. Nga ana tjetër, Rama është përgjigjur duke thënë se ai dhe të gjithë politikanët e deklarojnë pasurinë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë.
Blendi Fevziu: Pse nuk fillon nga ty për shembull? Pse s’jep ti llogari për vilën tënde, për pasurinë?
Kryeministri Edi Rama: Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse në këtë moment ne kemi një rezervuar, një grup njerëzish të cilët janë të dënuar. Pra i kemi listë të mbyllur. I kemi të akuzuar. Dhe policia në këtë rast nuk bën asgjë tjetër, veçse merr nga regjistri dhe bën të gjitha verifikimet e pronave të tyre dhe bëhet fjalë për pronat e tyre të deklaruara. Se pastaj këta kanë edhe plot që s’i kanë të deklaruara. Dhe ja çon SPAK-ut. Kush do ta bëjë këtë për mua? Do e bëj vetë unë? Do e bëjë policia? Ka një institucion ku ne kemi deklaruar pasuritë që kur jemi bërë subjekte të deklarimit. Ashtu sikundër thonë po nga gjykatësit. Gjykatësit, ata që kanë dalë nga Vettingu, kjo drejtësi e re do t’i thërrasi, por nuk do t’i thërrasi policia. Larg qoftë, se s’jemi në vitin ’45. SPAK-u me Gjykatën Speciale do fillojë t’i thërrasi.
I pyetur nga gazetari Robert Rakipllari përse nuk është distancuar nga Vangjush Dako kur Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në SHBA, Kryeministri Rama e bëri të qartë se Dako është miku i tij dhe “nuk ja përcakton DASH” listën e miqve. Nga ana tjetër, Rama theksoi se ai dhe Vangjush Dako nuk kanë shkelur asnjëherë ligjin.
“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im, që të jesh i qartë ti. S’mi përcakton Departamenti Amerikan i Shtetit kë kam mik dhe kë s’kam mik unë. Edhe në burg të shkojë të nesërmen, do të jetë miku im. Por me Vangjush Dakon as më ka kërkuar, as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.