Kronika

Mot i keq dhe shira ne te gjithe vendin

Moti i keq ka përfshirë vendin ku reshjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit duke shkaktuar edhe disa problematika.

Stuhitë më të forta janë në zonat bregdetare të vendit ku lundrimet janë pezulluar për shkak të detit të trazuar dhe dallgëve të mëdha.

Si pasojë e motit të keq është pezulluar lundrimi i trageteve të linjës në drejtimin Sarandë – Korfuz dhe anasjelltas nuk  janë lejuar të qarkullojnë, teksa kapiteneria ka njoftuar anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla janë njoftuar që të mos dalin në lundrim.

Edhe Lezha është përfshirë nga moti i keq, ku për rrjedhojë mjetet e vogla  të lundrimit dhe peshkarexhat nuk kanë dalë në det për të peshkuar.

Ndërsa në Durrës ka pasur përmbytje të disa akseve rrugore pranë stadiumit. Në shumicën e akseve për shkak të prezencës së ujit në Durrës ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve

Gjithashtu nga moti i keq janë krijuar probleme edhe më furnizimin me energji elektrike në disa zona të Lezhës për shkak të dëmtimit të linjave. Grupet e punës të OSHEE ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në fshatrat ku ka probleme.

Nisur nga reshjet e dendura të shiut thuajse në të gjithë vendin, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë.

Policia u kërkon drejtuesve të mjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse.

“Moti i keq me reshje shiu, si dhe nisur nga konstatimi i shkeljeve të kryera nga drejtuesit e automjeteve, në akset rrugore nacionale, kryesisht tejkalimi i shpejtësisë dhe parakalimet e gabuara, shkelje të cilat, në kushtet e lagështirës, përbëjnë rrezik të shtuar për përfshirje në ngjarje rrugore, Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin. Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve duhet t’u japin përparësi këmbësorëve, në vijat e bardha. Të gjitha akset rrugore janë në monitorim të pandërprerë nga shërbimet e Policisë Rrugore, nëpëmjet përdorimit të mjeteve logjistike bashkëkohore, makinave inteligjente dhe radarëve automatikë.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia Rrugore thekson se nuk ka asnjë qëllim për të shtuar sasinë e masave administrative, por ka vetëm një prioritet, parandalimin e aksidenteve rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button