Mustafa: Do ta shtrijmë sovranitetin në tërë territorin e vendit
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në ceremoninë e shënimit të shtatë vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës tha se do ta ushtrojnë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por poashtu sipas tij, do të shfrytëzojnë këtë sovranitet për t’iu krijuar qytetarëve jetë më të mirë dhe më të begatshme, të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose ndonjë përkatësi tjetër.
Ai tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e shpallur shtatë vite më parë si akti më i lartë juridik kurorëzoi pavarësinë.
“Ne, do të dëshironim që sot së bashku me ne këtu të ishin edhe njerëzit tanë, që u flijuan për këtë vepër të madhe, për ditën e madhe të shpalljes së Kushtetutës. Sepse një vepër e madhe, e këtillë siç është shpallja e Kushtetutës nuk lind dhe nuk krijohet për një ditë dhe në një ditë, as për një vit, por është një sublimim i heroizmit dhe mosnënshtrimit që tregoi populli ynë për vite dhe shekuj”, u shpreh Mustafa.
“Prandaj, le të jetë ky një rast që të tregojmë respektin tonë për të gjithë ata njerëz, të tregojmë poashtu respektin tonë për kuvendarët tanë që shpallën Kushtetutën dhe për miqtë tanë që e përkrahën këtë akt. Të kujtojmë poashtu edhe delegatët e Kuvendit të Kaçanikut, të cilët e bënë punën e tyre të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut në kushte dhe rrethana krejtësisht tjera”, tha kryeministri.
Ai tha se kanë një program qeverisës që ofron mundësi të mira për reforma thelbësore në ekonomi, në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike.
“Do të përkrahim sektorin privat të bizneseve dhe do të hapim perspektivën për punësim të të rinjve. Do ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por poashtu, do të shfrytëzojmë këtë sovranitet për t’iu krijuar qytetarëve tanë jetë më të mirë dhe më të begatshme, të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose ndonjë përkatësi tjetër. Duke shpresuar për një të ardhme të sigurt më të mirë, shfrytëzoj edhe këtë rast të shprehë zotimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj se do të punojmë pa kursyer asgjë, që ta ndërtojmë Kosovën tonë si një vend të lirë, demokratik dhe paqedashës, të qytetarëve të barabartë me një të ardhme euroatlantike”, u shpreh ndër të tjera, Mustafa.