Kronika

Ndahet nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i njohur Fadil Kujovska

Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i njohur shqiptar Fadil Kujovska. Mësohet se Kujovska vuante prej 2 vitesh nga një sëmundje e rëndë, ndërsa kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia ku kishte shkuar për trajtimin e sëmundjes. Interpretimi i fundit i Kujovskës ishte ‘Henri i Gjashtë’.

fadili

JETA DHE INTERPRETIMET E AKTORIT FADIL KUJOVSKA
Fadil Kujovska lindi ne Tiranë, më 14 shkurt. Kreu studimet e larta për aktrim ne Institutin e Larte të Arteve dhe më 1974 dhe filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi ne Teatrin e Gjirokastres, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor ne Teatrin Kombetar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave qe vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Me 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur te Shvejkut ne komedinë e Gjike Kurtiqit ‘Miq te paftuar’, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut ‘Ushtari i mire Shvejk’. Plastika, gjestet dhe mimika, te përpunuara me shije, krijuan gjasa qe ky rol te veteshprehej si duhej ne epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore te aktorit.

Po në 1978 interpretoi rolin e Hoxhe Qitapit ne dramën ‘Besa e Madhe’ te M. Markajt. Një vit me pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun e dramën ‘Furrnalta’ te R. Pulahes, me te cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi te dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës, ambiguitetin dhe sensin humoristik. Më 1982 i dha jetë njërit prej roleve të tij me të goditur, atij të Ser Tobit në komedinë ‘Nata e dymbëdhjetë’ e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij.

Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë ‘Pas Vdekjes’ të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastiken shprehëse, një të folur prej megalomania qe e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je. Origjinal dhe i veçante ka qenë edhe në interpretimin e rolit te Poçarit në dramën ‘Monsetrati’ të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë ‘Karnavalet e Korçës’ të S. Comores nga Teatri Kombetar (2003).

Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar edhe ne filma artistikë si dhe në disa filma televizivë, ku veçohet roli i Cukut tek ‘Dy Herë Mat’ (1986), i fotograf Veliut te ‘Historiani’ dhe ‘Kameleoni’ (1989).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button