Nderim për veteranin e LANÇ-it, aviatorin Mersin Mixha

E ndjeja si një detyrim moral të ulesha e të shkruaja këto radhë për një veteran të nderuar si Mersin Mixha. Më mundonte prej gati një viti dhe ja, po shkruaj për të.
Biografia e ish-partizanit Mersin Mixha nga Plesati i Gjirkastrës, është nga më interesantet e më të bukurat, që mbahet lehtësisht mend dhe mund të shkruhet gjatë dhe me dashuri. Biografi e shkruar me gjak dhe sakrifica, me devocion e përkushtim mbresëlënës, si në luftën antifashiste për çlirimin e vendit, ashtu dhe në përpjekjet vetmohuese për rindërtimin thuajse nga hiçi të Shqipërisë. Në datat historike dhe në ngjarje të shënuara gjaksi i tij zbukurohej me shumë dekorata, ndërsa ai parakalonte me ballin lart dhe krenar sidomos në përvjetorët e çlirimit, i bindur se i kishte kryer me nder dhe dinjitet detyrat dhe misionin e tij ndaj vendit dhe popullit të tij.
Dekoratat janë lavdi dhe histori. Më shumë se kudo ato shkëlqejnë dhe rrezatojnë në gjokset e fitimtarëve. Të mundurit nuk mbajnë dekorata. Fitimtarët po. Mersin Mixha i përkiste një gjenerate të papërsëritshme fitimtarësh. Dhe ajo gjeneratë është një madhështi dhe krenari kombëtare.
Lavdia u përket fitimtarëve. Jo humbësve.
Brezit të nderuar të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i përkiste Mersin Mixha, i cili ishte një nga pjesëtarët e armatës së lavdishme të 70 mijë partizanëve që morën pjesë në atë luftë. Ai u nda nga jeta një vit më parë në moshën 95-vjeçare. Ishte padyshim një nga pjesëmarrësit më të rinj të asaj lufte. Në moshën 13 vjeçare ai hodhi pushkën në krah dhe u rendit në formacionet partizane, fillimisht në ato territoriale të Gjirokastrës dhe mandej në Brigadën e Gjashtë Sulmuese, Heroinë e Popullit. Si partizan i kësaj brigade ai luftoi edhe jashtë kufijve shtetërorë, kryesisht në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, prandaj dhe këmbëngulte se brigadat tona partizane ishin jo vetëm nacionalçirimtare, por edhe internacionaliste. Ai ishte plagosur dy herë në beteja dhe fare lehtë mund të kishte rënë dëshmor si Met Hasa dhe mijërat që dhanë jetën për liri.
– Ajo luftë na dha nder dhe lavdi, – na tregonte shpesh Mersini, sa herë diskutohej e flitej për luftën antifashiste. Pastaj vazhdonte: -Ca budallenj, ballistë e pinjollët e tyre duan ta injorojnë e po të munden ta fshijnë fare nga historia. Më shumë se budallenj, ata janë të poshtër e antikombëtarë. Sepse pa atë luftë nuk do të kishte Shqipëri. Dhe falë asaj lufte Shqipëria, jo vetëm u bë, por edhe lulëzoi e radhit më dinjitet me kombet e tjerë të qytetëruar. Por i marrin të keqen asaj lufte të lavdishme. Sa më shumë kalojnë kohët aq më shumë shkëlqen masdhështia e saj, pasi ka në themel gjakun e 28 mijë dëshmorëve.
Ai përlotej sa herë fliste me pasion për luftën dhe dëshmorët e atdheut.
Po me shumë krenari ai fliste dhe për pasluftën. Pas çlirimit ai shkoi në ish-Bashkimin Sovjetik ku u diplomua si aviator, me Niko Hoxhën dhe gjithë atë plejadë aviatorësh që u bënë parzmore e mbrojtjes së hapësirave tona ajrore. Si aviator ai la gjurmë të pashlyeshme, pasi ai ishte dhe mbeti në histori si një nga themeluesit e aviacionit luftarak shqiptar, ndërsa na tregonte episode të mrekullueshme nga jeta dhe heroizmat e kolegëve të tij pilotë, disa prej të cilëve kanë rënë dëshmorë. Ai mallëngjehej për kohën që shërbeu si aviator, ndërsa i dhembte shpirti kur pa në vitin 1997 keqpërdorimin dhe shkatërrimin e flotës sonë ajrore, ashtu si të ushtrisë shqiptare.
– Turpi i mbuloftë ata antishqiptarë që i sollën këtë dëm të pallogaritshëm, jo vetëm ushtrisë, por edhe vendit dhe kombit! Populli i di se cilët janë ata që i sollën këto fatkeqësi dhe kobe popullit shqiptar. Historia nuk harron dhe, pavarësisht se gjykatat nuk i kanë dënuar e ndëshkuar, koha ua ka vendosur vulën e turpit në ballë, – thoshte ai me një bindje të madhe, thuajse absolute.
Ishte një rastësi e habitshme, por edhe fatlume, që aviatori Mersin Mixha u nda nga jeta në moshën 95 vjeçare pikërisht në datën 24 prill 2025, në Ditën e Aviacionit Luftarak Shqiptar. Ikja e tij i ngjau një fluturimi drejt hapësirave të përjetësisë dhe mbase kjo ka qenë ëndrra dhe dëshira e tij e përjetshme dhe e fundit. Sepse atë do ta kujtojnë në një ditë të tillë, jo vetëm miqtë dhe shokët dhe të afërmit e tij, por dhe kolegët e rinj aviatorë. Nderim dhe lavdi për një veteran, aviator dhe një njeri me kaq shumë vlera!




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.