Amerika

Ndihmësi i Kongresit arrestohet ndërsa po largohej drejt Pakistanit

Një ndër ndihmësit kryesorë të ligjvënësve demokratë për teknologjinë u arrestua të hënën në një aeroport të Uashingtonit, ndërsa po përpiqej të largohej drejt Pakistanit.

Imran Awan, kishte punuar më parë si ndihmës i teknologjisë së informacionit për ish-Kryetaren e Komitetit Kombëtar Demokrat, ligjvënësen Debbie Wasserman Schultz, si dhe ka punuar gjithashtu për disa anëtarë të tjerë demokratë të Kongresit. Ai u arrestua mbi akuza mashtrimi në lidhje me një kredi për shtëpi.

Zoti Awan dhe bashkëshortja, Hina Alvi, e cila gjithashtu ka punuar si ndihmëse teknike për demokratët, morën një kredi për shtëpi nga Banka e Kredive Federale të Kongresit (CFCU), për të blerë banesën e tyre. Çifti nuk jetoi në shtëpinë e blerë, siç parashikohej në kontratë, por e dha me qera.

Në më pak se një javë pasi mori kredinë, më 12 janar 2017, zonja Alvi kërkoi të bënte një transfertë nga banka e ndodhur brenda ndërtesës së Kongresit, prej 283 mijë dollarësh që do të përfitoheshin nga dy individë në Faisalabad, Pakistan.

Siç tregohet në urdhër arrest, një përfaqësues i bankës i telefonoi zonjës Alvi më 18 janar 2017, për të konfirmuar qëllimin e transfertës.

“Personi që iu përgjigj telefonatës ishte një mashkull, që bëri sikur ishte zonja Alvi”, thuhet në urdhër arrest.

Ndërsa po zhvillohej biseda telefonike, pyetjes së përfaqësuesit të bankës për qëllimin e transfertës bankare, bashkëbiseduesi iu përgjigj se do të shërbente “për shërbime funerale”. Përfaqësuesi i bankës e informoi kjo nuk do të kualifikohej si një arsye e pranueshme për të bërë një transfertë bankare.

“Pas një pauze të gjatë, bashkëbiseduesi tha se qëllimi i transfertës ishte për të blerë prona”, thuhet në urdhër arrest, dhe në vazhdim përfaqësuesi i bankës e pranoi motivacionin e ri për të dërguar paratë në Pakistan.

Të dhënat bankare treguan se 165 mijë dollarë prej shumës 283 mijë dollarë të dërguar në Pakistan, ishte marrë nga kredia e përfituar në mënyrë të paligjshme.

Vetëm një muaj pasi dërguan paratë në Pakistan, zonja Alvi dhe tre fëmijët e saj i hipën avionit drejt Pakistanit dhe nuk u kthyen më në SHBA.

Sipas urdhër arrestit, fëmijët “u hoqën në mënyrë të befasishme nga shkolla pa njoftuar” mësuesit. Hetuesit “nuk besojnë se zonja Alvi ka ndonjë synim për t’u rikthyer në Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Awan bleu një biletë avioni për të udhëtuar nga Uashingtoni drejt Pakistanit mbrëmjen e së hënës, por u arrestua në aeroport nga agjentët federalë përpara se të hipte në bord.

Gjatë një seance paraprake ku iu lexua aktpadia, zoti Awan u vetëdeklarua i pafajshëm për akuzën e mashtrimit bankar. Ai u lirua me kusht, por iu desh të dorëzonte paraprakisht të gjitha pasaportat që disponon, si dhe i duhet mbajë në këmbë një paisje që monitoron vendndodhjen e tij nëpërmjet GPS-it.

Avokati i tij, Chris Gowen, i tha revistës Politico se arrestimi “është qartësisht i nxitur nga një prokurori e djathtë që kërkon të akuzojë të punësuarit myslimanë”. Avokati shtoi se nga një shqyrtim i shpejtë i materialeve që paraqiti në gjykatë prokuroria, duket se i mungojnë provat ndaj klientit të tij.

Në muajin mars, një grup ligjvënësish demokratë shkarkuan nga puna zotin Awan dhe zonjën Alvi pasi u aludua se kishin vjedhur paisje teknologjike nga anëtarët e Kongresit, dhe se mund të kenë nxjerrë në internet informacione për Dhomën e Përfaqësuesve. Që nga fillimi i muajit shkurt, çiftit i ishte ndaluar qasja në rrjetin kompjuterik të Dhomës së Përfaqësuesve.

Dy të afërm të zotit Awan, Abid Awan dhe Jamal Awan, gjithashtu patën punuar si ndihmësa teknikë për demokratët, dhe janë gjithashtu të përfshirë në hetimet.

Megjithë hetimet dhe ndalimin e hyrjes në rrjetin kompjuterik të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësja Wasserman Schultz, vazhdoi ta paguante zotin Awan deri ditën e martë, kur ai u shkarkua.

Zonja Wasserman Schultz u detyrua të tërhiqej vjet nga posti i kryetares së Komitetit Kombëtar Demokrat, kur në disa email-e të nxjerra në faqen Wikileaks dukej se organizata po punonte për të mbështetur padrejtësisht zonjën Hillary Clinton përballë kandidatit tjetër demokrat Bernie Sanders gjatë zgjedhjeve paraprake në parti.

Zoti Awan dhe të afërmit e tij filluan të punojnë për demokratët rreth një dekadë më parë, dhe sipas të dhënave ai ka përfituar rreth 2 milionë dollarë që kur filloi punë në sektorin teknologjik të Kongresit, në vitin 2004. Bashkëshortja e tij, Alvi, që filloi të punonte për demokratët në vitin 2007, fitoi mbi 1.3 milionë dollarë që nga ajo periudhë.

Të dy konsideroheshin punonjës të përbashkët, që mund të punonin njëkohësisht për disa ligjvënës demokratë, dhe paga e tyre nuk paguhej nga vetëm një ligjvënës i caktuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button