Ndryshime në strukturat e Prokurorisë, shkrihet Drejtoria e Dënimeve Penale
Më urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla janë bërë disa ndryshime në strukturat e Prokurorisë së Shqipërisë, ku një nga ndryshimet kryesore është edhe shkrirja e Drejtorisë Gjyqësore dhe e Ekzekutimeve të Dënimeve Penale, stafi i së cilës do të integrohet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale.
Në përfundim të analizave vjetore të vitit 2015, Prokuroria Shqiptare bën me dije se do të rifreskojë kuadrin drejtues në disa njësi strukturore në të tre nivelet, me qëllim rritjen e cilësisë në ndjekjen penale.
Më poshtë ndryshimet në strukturat e Prokurorisë
Në Prokurorinë e Përgjithshme
Drejtoria Gjyqësore dhe e Ekzekutimeve të Dënimeve Penale shkrihet dhe stafi i saj integrohet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Drejtoria e riformatuar do të vijojë të drejtohet nga Adnan Xholi dhe tashmë do të përbëhet nga 6 prokurorë.
Në nivelin e Prokurorisë së Apelit
– Kleanthi Zeka, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlorë, komandohet drejtues i saj, duke zëvendësuar drejtuesin e deritanishëm, Henrik Haxhiraj, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet e prokurorit të thjeshtë në Apelin e Vlorës.
Në nivelin e Prokurorisë së shkallës së parë
(Pozicioni drejtues)
– Besim Hajdarmataj, aktualisht zv.drejtues në Prokurorinë për Krime të Rënda, komandohet drejtues në këtë strukturë, duke zëvendësuar Blerim Tominaj, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë kësaj prokurorie.
– Zeqir Hoda, aktualisht drejtues në Prokurorinë e Kurbinit, komandohet drejtues në Prokurorinë e Lezhës, duke zëvendësuar, Përparim Vukaj, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë asaj prokurorie.
– Hysni Vata, aktualisht prokuror në Dibër, komandohet drejtues i Prokurorisë së Kurbinit, duke zëvendësuar Zeqir Hoda, i cili është komanduar në drejtimin e Prokurorisë Lezhë.
– Arjan Muçaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjrokastër, komandohet drejtues në Prokurorinë e Rrethit Përmet, duke zëvendësuar Silvana Pani, e cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë prokurori.
– Artur Ismailukaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë, komandohet drejtues në këtë Prokurori, duke zëvendësuar Artan Shtrungza, i cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë njësi strukturore.
– Urim Buci, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, komandohet drejtues në këtë Prokurori, duke zëvendësuar Esmeralda Cami, e cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë njësi strukturore.
(Pozicioni zv.drejtues)
– Në Prokurorinë e Korçës komandohet zv.drejtues prokurore Dhorina Theodhori, e cila zëvendëson në këtë detyrë prokuroren Ollga Visi
– Në Prokurorinë e Vlorës komandohet zv.drejtues prokurore Flora Çela, e cila zëvendëson në këtë detyrë prokurorin Alfred Saliu
– Në Prokurorinë e Elbasanit largohen nga funksioni i zv.drejtuesit dy prokurorët, Alfred Shehu dhe Ridvan Suka. Gjithashtu shkurtohet një pozicion zv.drejtuesi, duke u reduktuar në një post, në të cilin komandohet prokurorja Enkelejda Millonai
Ndërkohë, po shqyrtohen mundësitë e ndryshimeve të tjera, me synim përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit institucional.