Kosova

Në prag të takimit të Berlinit, debate në Kosovë e Serbi

Me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, më 29 prill në Berlin do të mbahet një takim i vendeve të Ballkanit, që do të shënojë edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Organizatorët nuk kanë dhënë ndonjë hollësi rreth synimeve të takimit, ndërsa tashmë janë shtuar debatet se çfarë në fakt synon Berlini dhe çfarë peshe do të ketë ai takim për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E përditshmja austriake, Der Standard, shkroi të mërkurën se sipas diplomatëve “qëllimi i takimit është që të varroset ideja për shkëmbim territoresh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Idetë e tilla u hodhën që në verën e vitit të kaluar duke nxitur ndarje jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta mbështesnin ndryshimin e kufijve nëse palët pajtohen dhe atyre që kundërshtojnë një gjë të tillë për shkak të pasojave që mund të ketë në rajonin e Ballkanit.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Sipas Der Standard, Berlini do të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në Prishtinë, Gazeta Express shkroi duke ju referuar nje burimi të saj se “po flitet për sovranitet të dyfishtë. Kosova ta ruaj integritetin territorial, por që Serbia të gëzojë njëfarë sovraniteti mbi serbët në Kosovë dhe mbi kishat serbe”.

Në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pret që në Berlin të ndodhet nën trysni për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe që “Serbia të mos fitojë asgjë”. Ai tha se pret bisedime të vështira me përfaqësuesit shqiptarë dhe aspak të lehta me presidentin Macron dhe kancelarin Merkel, por “nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë zgjidhje për Kosovën. Aty do të flutet për tarufat dhe vazhdimin e bisedimeve, Asnjë zgjidhje nuk është në horizont. Kjo është një gënjeshtër së cilës nuk do t’i kushtoja vëmendje”, tha presidenti serb, i cili para se të udhëtojë për në Berlin, pret “të këshillohet” me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë një takimi në Kinë.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili u takua të mërkurën me shefin e diploamcisë ruse, Sergey Lavrov, tha se një gjë e tillë “është vetëm supozim” dhe nuk e di “nëse ekziston në botë ndonjë zgjidhje e tillë”. Ai tha se Serbia nuk do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e saj pa ndihmën e Rusisë, shkruan Rel.

Ministri i jashtëm rus, tha ndërkaq se Moska do të mbështesë cfarëdo zgjidhjeje që është e pranueshme për Serbinë.

Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se “takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin”.

Por, ai theksoi se “bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi. Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se nuk ka informata për një propozim që mund të shfaqet në takimin e Berlinit, të cilin e vlerësoi të rëndësishëm, ndërsa nënvizoi se nuk është “i mandatuar me negociue marrëveshje me Serbinë sepse Parlamenti ka mandatu delegacionin shtetëror, platformën. Pra nuk e shoh rolin tim si negociues në tavolinë” tha ai.

Të dyja palët shkojnë në Berlin nën hijen e tensioneve të larta mes tyre që çuan në pezullimin e bisedimeve që nga nëntori i vitit të kaluar.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi pesë muaj më parë për t’ju kundërvënë fushatës së Serbisë kundër pavarësisë së saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button