Në ruajtjen e hapësirës detare shqipare
Sigurimi dhe ruajtja e sovranitetit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me strukturat e tjera të Forcave të Armatosura, zbatimi i ushtrimit të ligjshmërisë në det në bashkëveprim me institucionet shtetërore me interesa në hapësirën detare, është misioni i Forcës Detare. Ajo përgatit dhe vë në dispozicion kapacitetet e saj për përmbushjen e misionit kushtetues, nëpërmjet prezencës në det dhe kryerjes së operacioneve të sigurisë detare, të cilat i kryen më vete, në bashkëpunim me strukturat e FA, aleatët dhe me institucionet e zbatimit të ligjit që kanë interesa në det. Intervistën që po sjellim më poshtë për revistën “Mbrojtja” e realizuam me komandantin e Forcës Detare, gjeneralbrigade Ylber Dogjani.
Zoti gjeneral, Ju tashmë jeni në krye të detyrës së komandantit të Forcës Detare. Kush janë disa nga problemet me të cilat jeni përballur kur morrët detyrën? A e keni gjetur veten këtu në dhe çfar prioritetesh keni pasur kur erdhët në drejtim të Forcës Detare?
Të them të vërtetën për periudhën që shërbej në Komandën e Forcës Detare, nuk jam ndeshur me probleme dhe shqetësime serioze. Kjo falë punës së kryer nga paraardhësit e mi, të cilët kanë drejtuar me profesionalizëm këtë strukturë. Gjatë kësaj periudhe, prioritet i punës sime ka qenë njohja me punën dhe arritjet e KFD-së, ndjekja dhe zbatimi i projekteve të parashikuara, si dhe hartimi i një planëzimi sa më real në interes të rritjes së kapaciteteve operacionale të FD-së. Falë dashurisë dhe mikpritjes së treguar nga efektivi i FD-së e kam gjetur veten dhe ndjehem mjaft mirë në ushtrimin e funksionit tim kushtetues në këtë strukturë.
Jemi futur në muajt e parë të vitit 2016. Mendoni se keni përmbyllur me sukses vitin paraardhës 2015? Cilat kanë qenë disa nga realizimet të efektivit të Forcës Detare në përmbushjen e misionit kushtetues nën drejtimin tuaj?
Për periudhën 1-vjeçare, Komanda e Forcës Detare, ka mjaft arritje ku ndër më të kryesoret mund të veçoja:
Sigurimi dhe ruajtja e sovranitetit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë si dhe zbatimi i ligjshmërisë në det, në bashkëveprim me institucionet shtetërore me interesa në hapësirën detare. Zbatimi i detyrave të parashikuara për Forcën Detare, në Direktivën e Mbrojtjes 2015. Ndjekja e planeve të implementimit të Objektivave të Kapaciteteve, përmbushja e objektivave dhe detyrimeve të parashikuara për integrim, si dhe aplikimi i procedurave standarde të Aleancës në spektrin e fushës së detarisë. Realizimi në kohë i planeve të arsimimit dhe trajnimit të personelit të FD-së. Pjesëmarrja me anije dhe drejtimi me staf të Stërvitjes Rajonale “ADRION LIVEX-15”. Zhvillimi i Stërvitjes Rajonale “ADRION CAX 2015”, nën drejtimin e Forcës Detare, për herë të parë në Qendrën e Simulimit te FA-së. Zbatimi i planit të modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve kryesore të FD-së. Sigurimi i mbështetjes logjistike të efektivave për krijimin e kushteve sa më optimale për punë, jetesë dhe stërvitje.
Planifikimi i burimeve njerëzore, financiare dhe materiale të FD, me qëlliim sigurimin e kapaciteteve të nevojshme operacionale për përmbushjen e misionit kushtëtues.
Dhenie kontributi, pranë grupit ndërinstitucional të ngritur me urdhër të Kryeministrit, për hartimin e kuadrit rregullues për përmirësimin dhe lehtësimin e procedurave të lundrimit të anijeve turistike/jahteve për gjatë sezonit turistik në ujrat teritoriale shqiptare.
Zbatimi i ligjshmerisë detare dhe operacionet SAR janë detyrat kryesore të FD-së. A zotërojnë strukturat e FD-së kapacitetet e nevojshme për planëzimin, organizimin e këtyre operacioneve?
Forcat Detare disponojnë kapacitetet e nevojshme operacionale për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe të zbatimit të ligjshmërisë në det. Për përballimin e operacioneve SAR,Forca Detare ka hartuar plane konkrete reagimi me njësitënë vartësi tësaj, si dhe plane bashkëpunimi me strukturat e tjera të FA-së.
Sa efektiv ka qenë kontrolli i hapësirës detare gjatë vitit të kaluar nga personeli i FD-së? A ka pasur vështirësi dhe si janë tejkaluar ato?
Kontrolli i hapësirës detare gjatë vitit 2015 ka qenë mjaft efektiv. Gjatë këtij viti nuk kemi asnjë ngjarje në det. Forca Detare në çdo rast ka qenë në gatishmëri dhe ka ndihmuar subjektet e ndryshme për përballimin e emergjencave të krijuara si rezultat i motit të keq.
Si ka bashkëvepruar FD me strukturat e tjera për zbatimin e legjislacionit kombëtar e ndërkombëtar në hapësirën detare?
Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë i mirë, por mendoj se duhet rritur në shkallë më të lartë bashkëveprimi me institucionet shtetërore me interesa në hapësirën detare, siç është Policia Kufitare, Kapiteneria, Inspektoriati i Peshkimit, etj.
Forca Detare është organizuar e funksionon sipas konceptit “Një Forcë Dy Misione”. Cfarë nënkupton kjo?
Koncepti “Një Forcë Dy Misione” është një koncept që e ka zanafillën e tij në vitin 2002 me krijimin e Rojes Bregdetare dhe dhënien e kësaj detyre Forcës Detare. Pra do të thotë një strukturë që kryen dy misione, atë të Forcës Detare, ruajtjen e sovranitetit të hapsirës detare të Republikës së Shqipërisë, si dhe atë të Rojes Bregdetare, të zbatimit të gjishmërisë në det. Vendi ynë duke qenë një vend i vogël nuk mund të mbajë dy flota të ndara, atë të Forcës Detare dhe atë të Rojes Bregdetare. Kështu që, duke qenë se Forca Detare disponon kapacitetet e nevojshme operacionale (mjetet lundruese, bazat dhe personelin e përgatitur profesionalish), u vendos që asaj ti ngarkohej edhe detyra e Rojes Bregdetare.
Si është gjendja e gatishmërisë teknike të mjeteve dhe sistemeve që përdor Forca Detare për realizimin e detyrave të përditëshme dhe përballimin e emergjencave detare?
Aktualisht gjendja e gatishmërisë teknike në Forcën Detare është në nivele të kënaqshme. Forca Detare tashme zotëron nje flotë me anije relativisht të reja, gjë që ka ndikuar pozitivisht në gatishmërinë teknike. Por edhe përsa i përket anijeve më të vjetra, janë marrë të gjitha masat që të kryhen shërbimet e nevojshme të mirëmbajtjes dhe të dokimit të tyre. Mjetet lundruese të Forcës Detare kanë qenë të gatshme nga ana teknike që të përballojnë të gjitha sfidat e ngarkuara. Përveç mjeteve detare Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) është një system i rëndësishëm që ndikon në realizimin e detyrave të përditshme të Forcës Detare. Ai është në gatishmëri dhe i shërben jo vetëm Forcës Detare, por edhe institucioneve të tjera që kanë interesa në det dhe që janë të përfaqësuara në QNOD.
Çfarë pune bëhet për përgatitjen e aftësimin e personelit të Forcës Detare në zbatimin e detyrave funksionale?
Forca Detare ka disa platforma për përgatitjen profesionale të personelit të saj. Njëra prej tyre është Programi vjetor i stërvitjes i cili është i ndarë në dy faza. Faza e parë është përgatitja individuale e efektivave të anijeve sipas specialiteteve dhe faza e dytë është stërvitja në nivel çift dhe grup anijesh. Gjithashtu gjatë vitit stërvitor në fazën e dytë janë të parashikuara stërvitje edhe në bashkëpunim me strukturat e tjera të FA-së si, Forcën Ajrore, Batalionin e Forcave Speciale, si dhe me institucionet e tjera që kanë interesa në det siç janë Policia Kufitare dhe Antikontrabanda.
Një tjetër platformë për përgatitjen e personelit në FD janë edhe kurset e trajnimet e zhvilluara në Qendrën Stërvitore gjatë gjithë vitit. Në qendër zhvillohen kurse si për personelin oficer ashtu edhe për personelin nënoficer e detar. Forca Detare përveç trajnimeve të përmendura më sipër trajnon personelin e saj edhe në trajnimet e kurset e organizuara në kuadër të planeve të bashkëpunimit dy palësh me vendet aleate.
Lexuesit dhe opinioni publik janë të interesuar për të ardhmen e FD-së, kapacitetet operacionale, modernizimin. Cilat janë disa nga planet e projektet kryesore të zhvillimit të Forcës Detare?
Në 7-8 vitet e fundit Forca Detare ka pësuar një ndryshim rënjësor duke futur në inventarin e saj 11 anije të reja dhe duke ndërtuar Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të hapësirës Detare. Sigurisht modernizimi i Forcës Detare do të vazhdojë. Prioritet kryesor për FD-në është ruajtja e këtyre kapaciteteve operacionale si dhe përmirësimi i tyre. Në planin afatshkurtër të zhvillimit të Forcës Detare është parashikuar kompletimi me pajisje dhe armatim modern të Grupit të Bordingut. Për informacionin tuaj Grupi i Bordingut kryen detyrat e inspektimit te mjeteve detare, mbi zbatimin e ligjit të detit. Një tjetër projekt modernizimi është pajisja e anijeve të klasit “ILIRIA” me Sistemin e Identifikimit Automatik Ushtarak (Ë-AIS). Kjo gjë do të rrisë ndërveprueshmërinëe anijeve tona me anijet e vendeve aleate. Në planin afatmesëm Forca Detare ka planifikuar pajisjen e anijeve të klasit “ILIRIA” me sistem armatimi modern dhe zëvendësimin e disa anijeve që do të dalin jashtë përdorimit me anije të reja me qëllim ruajtjen e gatishmërisë operacionale të saj. Ndërsa në planin afatgjatë Forca Detare ka si ambicjen e saj rritjen e kapaciteteve luftarake duke u pajisur me dy anije patrulluese të mëdha. Kjo edhe për të rritur kapacitetet e saj të reagimit në kushtë të vështira të motit, por edhe me qëllim dhënien e kontributit në sigurinë rajonale në detet Adriatik dhe Jon.
Tashmë Forca Detare merr pjesë aktive e bashkëpunon ngushtësisht me Flotat partnere të NATO-s. Ku përqendrohet ky bashkëpunim në të ardhmen?
Forca Detare çdo vit zhvillon stërvitje të planifikuara me Flotat partnere rajonale dhe ato të NATO-s. Një ndër stërvitjet më të rëndësishme detare rajonale është stërvitja “ADRION”. Siç e përmenda edhe më sipër, kjo stërvitje vjet u zhvillua në vendin tonë dhe u drejtua nga Shtabi i Forcës Detare. Në skenarët e stërvitjes zhvillohen të gjitha llojet e stërvitjeve, që nga manovrimi taktik në grup, embargo detare, kërkim-shpëtim (SAR), bordim e komunikim detar. Forca Detare gjithshtu çdo vit zhvillon stërvitje me anijet e Grupeve të Gatshme Patrulluese të NATO-s, SNMG2 dhe SNMCMG2. Një tjetër partner i rëndësishëm me të cilën stërvitet Forca Detare është edhe Flota e VI-të Amerikane. Përveç stërvitjeve të mësipërme, anijet e Forcës Detare zhvillojnë stërvitje edhe me anijet e Flotave aleate gjatë vizitave portuale të tyre ne portet e vendit tonë.
Forca Detare nuk ka bashkëpunim vetëm në aspektin stërvitor me Flotat partnere të NATO-s, por dhe në drejtim të shkëmbimit të informacionit detar. Ne kontribojmë në Operacionin “Active Endeavor” të NATO-s duke dhënë informacion mbi anijet që lundrojnë në ujërat tona dhe që futen në portët shqiptare. Gjithashtu një tjetër iniciativë rajonale dhe transrajonale ku Forca Detare shqiptare është anëtare dhe kontribon, është Iniciativa “Virtual – Regional Maritime Traffic Centre” (V-RMTC) dhe “Trans-Regional Maritime Netëork” (T-RMN). Të gjithë vendet anëtare të kësaj iniciative shkëmbejnë informacionin detar për të krijuar një tablo sa më të qartë të njohjes së situatës detare.
Pra siç e shikoni Forca Detare është mjaft aktive dhe bashkëpunon ngushtë me Flotat partnere. Ky bashkëpunim nuk do të ngelet vetëm në këtë stad. Në të ardhmen Forca Detare do të shtojë aktivitetet e bashkëpunimit duke qenë akoma më aktive. Një ndër projektet më konkrete dhe që do të fillojë që nga ky vit është ngritja e “Grupit të Gatshëm në Thirrje” në kuadër të Iniciativës ADRION. Ky grup në fillim do fillojë patrullimet në detin Adriatik dhe Jon, me qëllim stërvitor dhë më pas do të konsolidohet që të jetë i gatshëm të aktivizohet në çdo rast emergjence që do të ketë një nga vendet e Adrionit.