Nëna Liza si anatomia e një proteste që kërkon t’ia nisim prapë nga e para
Nga Mero Baze
Nëna Liza u shfaq në tribunën e protestës dhe premtoi se do t’i “hante darkën Edi Ramës”. Për ata që ndoshta s’e dinë kuptimin e kësaj fjale, është që do marrë pjesë në funeralin e tij. Duke llogaritur që “Nëna Liza” është më e madhe se Rama, ajo shpreson, me sa duket, te një vdekje e dhunshme e tij në emër të protestës. Pastaj vjen dhe kënaqësia e “darkës” së tij.
Kjo vetëm për të shpjeguar protestën paqësore, se nga goja e Nëna Lizës nuk të gjen gjë.
Nëse e keni harruar historinë e Nëna Lizës, po ua freskoj. “Nëna Liza” është një malësore që tranzicioni e ka përplasur në Tiranë, bashkë me fisin e saj. Ka zaptuar një tokë me pronarë të ligjshëm në afërsi të kompleksit 5 Maji në Tiranë. Kur e ka zaptuar, toka i ishte kthyer ndërkohë pronarit, por fisi i Nëna Lizës me kallash në dorë e zaptuan atë dhe ndërtuan shtëpitë e tyre.
https://www.gazetatema.net/2022/02/12/perse-ne-nuk-e-njohim-pronarin-e-tokes-qe-ka-zaptuar-nene-liza
Pastaj u bë simbol i rezistencës për të mos i prishur ato shtëpi për t’u rindërtuar zona që pati një kualifikim të ri urban. Me atë u bënë të gjithë. PD e Berishës dhe e Bashës, policët që e toleronin të bënte sikur do vdiste mbi rrënoja dhe pronarja e tokës, që në fakt goditi të ishte deputete socialiste dhe e thërriste për dëgjesa në Parlament t’i qante hallet. Në fund fitoi Nëna Liza. E mori shpërblimin për zaptimin në ndërtimet e reja që bëri shteti.
Tani është shfaqur në tribunën e rralluar të protestave. Në fakt, ndryshe nga shumica që janë me probleme mendore, Nëna Liza duket si akademike para tyre. Është e qartë, e vendosur dhe e di çfarë do. “T’i hajë darkën Edi Ramës” dhe të zhdukë “këta që e kanë vjedhur 35 vjet”. Nuk është antikomuniste, nga ata që e urrejnë Edi Ramën si përfaqësues të paraardhësve të Partisë së Punës. Ajo ngjan më shumë si një ish-brigadiere e komunizmit, që do një shans të ri në territorin që ka zaptuar.
Ajo është anatomia më e mirë e kësaj proteste, pasi ajo mendon se po të mos ishte kjo klasë politike, ajo do kishte zaptuar dhe më shumë tokë dhe do kishte dhe më shumë sipërfaqe në dispozicion, edhe pse pronarja e tokës së saj, që në fakt është dhe në pushtet, nuk ka mundur të marrë dot pronën e saj. Në vend që ajo të protestojë dhe Nëna Liza të mos ekzistojë, jemi në pozicion të përmbysur.
Jemi në kushtet kur protesta flet në emër të zaptuesve kundër pronarëve, flet në emër të një publiku që e quan dështim faktin që politika u duket më e korruptuar se publiku, që flet kundër shkeljes së ligjit, duke qenë të pakënaqur që nuk e kanë shkelur mjaftueshëm, që flet për një pushtet “injorant”, duke nxjerrë në tribunë njerëz me dije nën nivelin parashkollor, që flet për liri, duke linçuar kundërshtarët, që flet për demokraci duke premtuar përmbysje përmes institucioneve të protestës, që flet për liri shtypi, duke linçuar çdo kënd që nuk është dakord me ta, që flet për liri politike duke tentuar të dhunojnë çdo politikan që mendojnë se e kanë kundër, dhe që flet për kthimin e ligjit dhe pronave duke menduar se mund të zaptonin më shumë se sa kanë zaptuar.
Me këtë logjikë protesta po përpiqet të flasë në emër të një publiku të korruptuar, i cili mendon se nuk ka konkurrencë të drejtë me politikën për korrupsion, pasi ajo ia ka kaluar. Dhe për këtë duhet përmbysur gjithë sistemi, që të kemi mundësi dhe një herë t’ia nisim nga e para. Pastaj e dinë vetë si e bëjnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.