Nga Llalla te Raunig, pa të dënuar në mes
Skënder Minxhozi
Më 15 maj të këtij viti, shumë shqiptarë mbetën të habitur nga deklarata surprizë e kryeprokurorit të Republikës, Adriatik Llalla, e cila thoshte pak a shumë kështu: “Kemi shumë çështje nën hetim, disa prej tyre të një shkalle të tillë që, nëse do të rezultojnë sipas parashikimeve, mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit”.
Kjo frazë “bombë” artikulohej në prani të ministrit të Brendshëm Tahiri, në një takim të krerëve kryesorë të organit të akuzës. Fjalëpak, siç është shfaqur rëndom nëpër ekrane dhe podiume, por edhe siç ia kërkon posti që mban, kujtuam se Llalla po na jepte mesazhin se diçka e madhe po gatuhej në brendësi të godinës misterioze të Prokurorisë së Përgjithshme.
Prej shumë kohësh, pritej një gjest i fortë i organit të akuzës, për të goditur një herë më në fund aty ku duhej: në katet e larta të politikës dhe shtetit. Të atij të vjetrit ose këtij të riut, pak rëndësi ka.
Nga ai moment “zgjimi” i prokurorit, kanë kaluar jo pak, por plot shtatë muaj. Gjatë kësaj kohe, Adriatik Llallën e kemi parë të bëjë sherr me kolegët, të kundërshtojë planet e qeverisë për të reformuar sistemin e drejtësisë, të deklarojë edhe se është duke hetuar një anëtar të kabinetit, por vetëm kaq. Ai dhe institucioni që drejton kanë qenë në faqet e shtypit thuajse ekskluzivisht për mbylljen që u kanë bërë padive ndaj ish-ministrave të PD-së sesa për ndonjë hap të guximshëm të hedhur në drejtim të dënimit të krimit të sferave të larta.
Kësisoj vazhdojmë të kemi një sistem ndëshkimi që merret me xhepistët, kultivuesit e vegjël të hashashit apo vrasësit adoleshentë nëpër klubet e Tiranës. Krimi politik vijon të jetë i perceptueshëm nga shumëkush, por i pandëshkueshëm nga askush.
Dosjet e bujshme që kanë tronditur Shqipërinë, vijojnë të flenë në sirtarët e prokurorisë, për të përdorur një shprehje të ish-kryeministrit Berisha (i cili nuk ndihet më keq që kjo po ndodh me këtë prokuror).
Ky pasivitet i skajshëm i Adriatik Llallës vijon i tillë, edhe pse ai e ka pasur prej kohësh mundësinë dhe kushtet që të hedhë dritë të paktën mbi disa prej ngjarjeve që kanë sjellë pështjellim në këtë vend.
Nëse Ina Rama u bllokua në tentativat e saj për të hetuar 21 janarin, nuk kuptohet përse këtë nuk e bën zoti Llalla. Nëse Gërdeci prodhoi aq shumë vdekje dhe tragjedi në portat e Tiranës, nuk kuptohet sërish përse vijohet me gjysmëhetime, me gjysmëgjykime dhe gjysmëdënime. Nëse sot paska zyrtarë të lartë që kanë ngjyer gishtin në korrupsion, pse nuk dalin emrat e tyre?!
Nga maji i largët në dhjetorin e ftohtë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Raunig, në një tjetër aktivitet nga ata që organizohen për luftën kundër korrupsionit, deklaronte se me gjithë rastet e shumta të raportuara, në listën e të akuzuarve nuk ka asnjë zyrtar të lartë. Pra, thoshte të kundërtën e asaj që njoftonte prokurori i përgjithshëm shumë kohë para tij. Aludimi i Raunig është më se i qartë: sa më lart të ngjitesh, aq më e pamundur bëhet të hetosh, padisësh apo qoftë larg, të dënosh!
Mes Llallës dhe Raunig nuk ka vetëm shtatë muaj distancë, por edhe një mal të tërë dallimesh konceptuale. Po marrim kreun e OSBE-së si shembull, por mund të merrej cilido zyrtar i huaj, në Tiranë, Bruksel apo Uashington, i cili sa herë flet për luftën ndaj korrupsionit në vendin tonë, rrudh buzët dhe ngrys vështrimin. Aq sa vendet perëndimore e kanë futur prej vitesh në axhendën e tyre të bashkëpunimit me Shqipërinë, konceptin e pandëshkueshmërisë.
Ajo dalje e Llallës në atë moment, e pasuar nga asgjëja e muajve në vijim, është metafora perfekte e pamundësisë, por edhe e mungesës totale të dëshirës e vullnetit, që organet e drejtësisë të hetojnë dhe dënojnë korrupsionin.
Vetëm 48 orë më parë, Presidenti i Republikës organizonte një ballo, nga ato ku shkohet i veshur me veshjen më të mirë që ke në gardërobë. Shumëkujt i ra në sy sesi kreu i shtetit kishte ftuar në sallë edhe ish-zyrtarë të lartë që sot janë të pandehur për ngjarje mjaft të rënda korruptive. Nëse ky nuk ishte një sinjal i drejtpërdrejtë i Presidentit për Llallën, është më së paku një shpërfillje e hapur për statusin publik të atyre që kreu i shtetit fton në tryezën e tij të Vitit të Ri, të cilën, me shumë gjasë, duhet ta mbajë shënim edhe prokuroria, meqë është diçka që na u servir me doreza të bardha dhe me papijon.