🌤️
Tiranë 19°C · Kryesisht kthjellët 02 June 2026
S&P 500 7,600 ▲0.26%
DOW 51,079 ▲0.09%
NASDAQ 27,087 ▲0.42%
NAFTA 91.76 ▼0.43%
ARI 4,515 ▲0.18%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075 EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075
₿ CRYPTO
BTC $71,518 ▼ -2.95% ETH $2,007 ▲ +0.01% XRP $1.2970 ▼ -2.68% SOL $81.2600 ▼ -1.31%
S&P 500 7,600 ▲0.26 % DOW 51,079 ▲0.09 % NASDAQ 27,087 ▲0.42 % NAFTA 91.76 ▼0.43 % ARI 4,515 ▲0.18 % S&P 500 7,600 ▲0.26 % DOW 51,079 ▲0.09 % NASDAQ 27,087 ▲0.42 % NAFTA 91.76 ▼0.43 % ARI 4,515 ▲0.18 %
EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075 EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075
02 Jun 2026
Breaking
Opinion

Nga Partia Socialiste te Partia e Resorteve

Nga ADRIAN THANO

Nga Partia Socialiste te Partia e Resorteve. A ka ndonjë qasje socialiste në vendimet, ligjet, lejet e ndërtimit që po jepen për Zvërnecin, Vlorën dhe mbarë bregdetin? Përgjigja shkurt është JO.

Shtylla e parë e socializmit është mbrojtja e pasurisë publike dhe garantimi që burimet natyrore t’i shërbejnë të gjithë shoqërisë. E dyta, për një qeveri socialiste, mbrojtja e mjedisit dhe qëndrueshmëria për brezat e ardhshëm janë prioritete po aq të mëdha sa rritja ekonomike. E treta, socializmi, në frymë, kërkon konsultim dhe llogaridhënie, jo “e di unë çfarë është e mira, ju të tjerët duartrokisni”.

Në fakt, Edi Rama nuk ka ushqyer kurrë ndonjë afinitet për doktrinat apo dogmat e së majtës tradicionale. Nëse për një kohë të gjatë u përpoq ta maskonte këtë distancë ideologjike, sot ka dalë hapur dhe pa doreza. Sipas qasjes së tij, Shqipëria nuk e ka luksin të presë rritjen organike dhe të ngadaltë që ofrojnë politikat klasike sociale. Në vend të tyre, ai ka përzgjedhur kapitalet e mëdha, megaprojektet me impakt të menjëhershëm vizual, ndërtimin e një iluzioni që e kuron vetë imtësisht për një “Shqipëri moderne” që shkëlqen nëpër ekrane me fasada stadiumesh apo resortesh luksoze.

Në këtë kuadër, logoja “Socialiste” e partisë që ai drejton është thjesht një ambalazh elektoral për të mbajtur bazën tradicionale të votuesve. Shqipëria sot voton një parti që e quan veten socialiste, por merr një qeverisje që vetëm me socializmin apo të majtën nuk ka të bëjë.

A ka qenë ndonjëherë e majtë PS-ja?

Në qershor 91, Partisë së Punës i duhej të mbijetonte dhe të ndryshonte lëkurë. Nën drejtimin e një grupimi me profesorë, shkrimtarë, ekonomistë, ajo e bëri një reformim ideologjik. Në këtë periudhë, PS ishte e majtë në kuptimin tradicional, kishte ndjeshmëri përgjithësisht ndaj atyre që u goditën nga tranzicioni i viteve ’90.

Veç kësaj ishte parti me demokraci të brendshme. Kishte fraksione, debate të hapura, një strukturë kolegjiale ku kryetari mund të sfidohej. Dhe sfidohej shpesh.

Kur Edi Rama mori drejtimin e PS-së në vitin 2005, ai solli me vete modelin Blair, një farë “partneriteti” mes shtetit e privatit, megjithëse në dukje, ruajti dhe premtoi kauza të së majtës, si taksimi progresiv, shëndetësia falas, etj.

Kur mori pushtetin në 2013, Rama tentoi ta fshinte nga fjalori politik emrin e Partisë Socialiste. Në vend të saj lindi “Rilindja”, një lëvizje që, ndërsa ngrihej në pushtet, zhvishej me shpejtësi nga çdo ngjyrim apo ideal i së majtës. Sapo fasada e Rilindjes u godit rëndë nga korrupsioni, arkitekti i saj bëri hapa pas. U rikthye në strehën e vjetër, duke shfrytëzuar fuqinë e logos dhe strukturës së PS-së si mburojë ndaj abuzimit me pushtetin dhe konsumit politik.

Por në terren ndërkohë, shërbime jetike si shëndetësia apo infrastruktura, kishin kaluar te privati përmes PPP-ve. Më pas mbërritën “investitorët strategjikë”. Nëpërmjet tyre është vënë në darë pasuria më e madhe kombëtare që ka mbetur, bregdeti. Janë qepur ligje që favorizojnë një grusht individësh, për të marrë pronat publike dhe për t’u pajisur me leje shtetërore mbi prona pa status të qartë. Kjo po bëhet me zero transparencë dhe pa asnjë balancë sociale.

A po ndjek Edi Rama në këto që bën një bindje të pastër pragmatiste (edhe pse të gabuar) apo po i shërben një skeme të pastër korrupsioni e pastrimi parash?

Në realitet, këto dy dimensione nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Ato bashkëjetojnë në marrëdhënie simbiotike. Nuk kemi të bëjmë me një dilemë ose-ose. Kemi një sistem ku ideologjia e shartuar shërben si ambalazh për interesat financiare dhe korrupsioni shërben si motor për të realizuar “vizionin”.

Rama është një lloj misionari i fasadës. Nuk është hajduti klasik që synon të mbushë thasët me para. Ai udhëhiqet nga një lloj estetizmi politik dhe ka një ego të madhe historike. Dëshiron të lërë gjurmë fizike, kulla të larta, resorte luksoze, qendra urbane të kopsitura që duken mirë në revistat ndërkombëtare të arkitekturës.

Për të realizuar këtë “mision”, ai ka krijuar bindjen cinike se Shqipëria nuk bëhet me kapital të vogël apo me bujqësi e fabrika vendase. Madje nuk bëhet as me shqiptarë. Shqipëria bëhet duke u kthyer në njëfarë Monako-je të Ballkanit apo diçka e tillë.

Ligji, transparenca, procedurat kritika, janë bërë tashmë pengesa të bezdisura që i kanë zënë rrugën vizionit të tij estetik.

Duhet patur parasysh që ky vizion nuk mund të ndërtohet në vakum. Ai kërkon miliarda euro. Nga vijnë këto para në një nga vendet që në letra figuron nga më të varfrit e Europës?

Këtu roli i korrupsionit dhe i pastrimit të parave me burime të dyshimta, përfshirë ato të narkotrafikut apo kapitaleve offshore bëhet i pashmangshëm dhe vendimtar. Modeli ka nevojë për një rrjet apo kartel investitorësh që janë gati të hedhin miliarda në këmbim të ligjeve të qepura me porosi, plazheve falas, taksave zero, etj.

Sot Edi Rama ofron për këta licencën politike, ligjore dhe estetike. Ata bëjnë pjesën tjetër përfshirë “zgjidhjet” për  konfliktet që po ndodhin dhe do shtohen në terren. Sigurisht që kriminalizimi i shoqërisë do rritet. Simbioza prodhon ndërkohë edhe financimin e makinerisë elektorale që Rama mendon se i garanton pushtetin e përjetshëm.

Pra është naive t’i thuash vetëm mashtrues ideologjik, sepse kjo injoron miliardat që ndërrojnë duar në dëm të interesit publik.

Por edhe të thuash që është i korruptuari ordiner është sërish e paplotë. Ai e beson realisht që ky shkatërrim “estetik” është rruga e vetme për ta futur Shqipërinë në hartën e botës.

Është një pragmatist i cekët që po e përdor korrupsionin si mjetin kryesor për të ndërtuar pushtetin dhe vizionin e tij personal.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.