Ngjarjet në vend, PD: Po terrorizohet Shqipëria, shteti sfidohet hapur nga krimi
Përmes një deklarate për mediat Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për situatën e rëndë kriminale në të cilën është përfshirë vendi.
Ajo i është referuar vrasjes në Shkodër, përplasjeve me armë në Orikum dhe plagosjes në Korçë, ngjarje të cilat sipas PD-së, tregojnë se kjo nuk është një ditë normale në një vend të sigurt.
Në deklaratën e saj PD thekson se “kjo është fotografia e një shteti, autoriteti i të cilit po sfidohet hapur nga krimi”.
“Brenda pak orësh, Shqipëria është terrorizuar nga tri ngjarje të rënda kriminale, nga Mirdita në Orikum dhe Korçë. Në Ndërfushaz të Mirditës, 65-vjeçari Viktor Bardhi u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm. Në Orikum, ndërkohë, pronari i një resorti ka denoncuar se është kërcënuar nga persona të armatosur.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të paktën tetë automjete që mbërrijnë përpara kompleksit, bllokojnë zonën dhe prej tyre zbresin disa persona. Pas ndërhyrjes së policisë, një prej automjeteve të dyshuara është aksidentuar gjatë largimit. Brenda tij, sipas informacioneve të raportuara, janë gjetur tre persona dhe një armë zjarri. Në Korçë, po brenda së njëjtës ditë, armët kanë folur përsëri.
Të shtëna në unazën e qytetit kanë lënë një person të plagosur, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Një qytetar vritet në pritë. Një biznes rrethohet nga një grup që lëviz me tetë automjete. Një tjetër qytetar plagoset me armë në qytet. Të gjitha brenda pak orësh. Kjo nuk është një ditë normale në një vend të sigurt. Kjo është fotografia e një shteti, autoriteti i të cilit po sfidohet hapur nga krimi”, thekson PD në deklaratën e saj.
Sipas PD-së në këtë rast “nuk kemi të bëjmë me një demonstrim force dhe me bindjen e botës së krimit se mund të veprojë në territorin e Republikës pa iu trembur shtetit”
Teksa PD kërkon zbardhjen e këtyre ngjarje, partia më e madhe opozitare shtron pyetjen se “pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama dhe qeveria e tij duhet t’u përgjigjen shqiptarëve: si është e mundur që grupe të organizuara të lëvizin me tetë automjete për të rrethuar një biznes, ndërsa armët shkrepen dhe njerëzit vriten apo plagosen në rrugët e vendit?”
“Problemi nuk është vetëm krimi që shohim. Problemi është pandëshkueshmëria dhe dobësimi i autoritetit të shtetit që i kanë dhënë krimit kurajën të dalë hapur në rrugë. Tre ngjarje të rënda brenda një dite nuk mund të fshihen pas propagandës së “Rilindja 2.0”. Shqiptarëve nuk u duhet një version i ri i propagandës së vjetër. U duhet një shtet që kontrollon territorin, mbron jetën dhe pronën dhe që nuk negocion autoritetin e tij me të fortët dhe botën e krimit”, theksohet më tej në deklaratë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.