Ngjela: Opozita po shuhet për të mbrojtur Berishën, duhet reformim
Analiza
Po bojkotojnë se ai ka frikë se presioni i huaj për drejtësinë do të kapë prej laku
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e lidh bojkotin e pritshëm të PD-së të Parlamentit me idenë se kërkon të mbrojë Berishën nga drejtësia. “Fatkeqësisht, po vijojmë të jemi qesharakë në sytë e perëndimorëve. Asgjë normale dhe racionale nuk sheh sot në debatin politik në Shqipëri. Një opozitë që bën bojkot, sepse Berisha ka frikë se mos, presioni ndërkombëtar për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri, do të bëhet laku që do të kapë vjedhësit dhe abuzuesit e fisit të tij dhe atë vetë. Është i trembur, kuptohet. Ka nxjerrë një kryetar partie dhe vetë është “tërhequr”, por kryetari i ri ende nuk flet se Saliu ka gjetur të tjerë që nuk flasin si kryetari i partisë, por si Saliu, edhe pse në fakt kryetari i partisë nuk di të flasë…sepse ende nuk ka artikuluar asgjë politike.. asgjë. Ka shumë që thonë që s’e lë Saliu. Por ky, pse nuk i shmanget? Mund të ketë ndonjë politikan sot në botë që të dojë një të humbur tërësor me shumë se veten? Pse s’e di Saliu që s’ka me vota në Shqipëri? Sigurisht që e di. Dhe këtë e di edhe kryetari i ri… Por, atëherë, pse Saliu del në pah me unin e tij të diskredituar? Po, se do të mbrojë abuzuesit e afërt të familjes, pasi mendon se kryetari që ka vendosur nuk di ta bëjë këtë. Po, pse i la që të binin në krim të afërmit e tij me emrin e tij, kur ishte Kryeministër? Sepse edhe vetë atë ndërtim kishte…por kishte edhe një shtysë patologjike që e mbante me shpresë: ishte i sigurt se do të manipulonte zgjedhjet si përherë, sepse s’ishte i aftë të mendonte që do ta kishte thuajse të gjithë popullin kundër dhe manipulimi i zgjedhjeve do të ishte i pamundur”, shkruan Ngjela në një postim të tij në Facebook. Ndërsa shpreh domosdoshmërinë për të riformuar të djathtën shqiptare. “Kjo opozitë me konflikte të stisura që s’e prekin fare opinionin publik, jo vetëm që s’e shqetëson Ramën, por e ka forcuar; sepse siç shihen shenjat, Saliun do ta lenë radhët në Parlament. Përse ta duan? Për revolucion? Hahaha… atëherë çdo të ndodhë? Opozita duhet të rigrupohet me anë të ideve të reja, nëse nuk do që të krijojë në Shqipëri historinë e trishtë dhe të dhimbshme të një vendi që ka një opozitë që s’ekziston se nuk di të mendojë. Shumë keq! Jo për opozitën, por më shumë për historinë tonë demokratike. E djathta duhet të reformohet as ‘soon as possible’…sa më shpejt që të jetë e mundur!”, thekson Ngjela.