Nigeri, vajzat e rrëmbyera shfaqen në video
Grupi islamik Boko Haram ka publikuar një video ku pretendon se shfaqen disa prej vajzave të rrëmbyera 2 vite më parë në qytetin e Çibokut. 15 vajza të veshura me të zeza e identifikojnë veten si nxënëse të rrëmbyera nga shkolla, në videon që duket të jetë xhiruar në muajin dhjetor e që i është dërguar qeverisë nigeriane. Disa prej tyre janë identifikuar nga prindërit.
Kjo është hera e parë që publikohen pamje të vajzave që prej majit të vitit 2014. Rrëmbimi i 276 nxënësve nxiti një fushatë globale në rrjetet sociale me hashtagun “Ktheni vajzat tona”, pjesë e së cilës u bënë një sërë personalitetesh të botës së spektaklit e gjithashtu zonja e parë Michelle Obama. Por, pavarësisht përpjekjeve të tyre, shumica e vajzave rezultojnë ende të zhdukura.
Militantët e Boko Haramit sulmuan një shkollë në shtetin e Bornos në 14 prill të vitit 2014, duke rrëmbyer vajzat që po prisnin t’i nënshtroheshin provimeve. Menjëherë më pas, grupi ekstremist publikoi një video të tyre duke kërkuar shkëmbim të të burgosurve. Lideri i Boko Haramit, Abubakar Shekau tha se vajzat ishin konvertuar në myslimane dhe kërcënoi t’i martonte me forcë me luftëtarët e grupit ose t’i shfrytëzonte si skllave. Me kalimin e muajve, rreth 57 nxënëse arritën të arratiseshin, por të paktën 219 vazhdojnë të jenë të zhdukura.
Videoja e fundit, që siç pretendohet është xhiruar në ditën e Krishtlindjeve të vitit 2015, tregon vajzat teksa i luten qeverisë nigeriane të bashkëpunojë me militantët për lirimin e tyre. Ato thonë se po trajtohen mirë, por duan të bashkohen me familjet e tyre.
Organizata për te drejtat e njeriut Amnisty International denoncon se rreth 2 mijë fëmijë janë rrëmbyer nga Boko Haram që prej vitit 2014. Shumë prej tyre shfrytëzohen si skllevër seksualë, luftëtarë dhe si kamikazë. Qindra prindër pritet të manifestojnë në kryeqytetin nigerian Abuja, për t’i kërkuar qeverisë të bëjë më shumë për gjetjen e vajzave të tyre. Ata fajësojnë qeverinë paraardhëse se nuk ka bërë asgjë, ndërsa ekzekutivi aktual akuzohet se nuk ka mobilizuar mjete të mjaftueshme në kërkime.