Bota

Nis hakmarrja franceze kundër ISIS-it

Franca kundërpërgjigjet pas sulmeve në Paris, ku humbën jetën të paktën 132 persona. Ministria e Mbrojtjes franceze konfirmoi dje se avionët e saj kanë sulmuar një nga bazat më të mëdha të ISIS-it në Siri, Raqqa-n. Sipas informacioneve nga Ministria e Mbrojtjes franceze, citojnë mediat ndërkombëtare, nga ky sulm është mundur të shkatërrohet një kamp trajnimi i ISIS-it. Sulmi i Francës ishte paralajmëruar më herët nga presidenti Fransua Hollande. Në aksion kanë qenë 10 avionë që kanë hedhur të paktën 20 bomba në objektiva të rëndësishme të Shtetit Islamik.

Sipas raportimeve, mbrëmjen e djeshme janë goditur qendra komande dhe komunikimi, kampe trajnimi, si dhe depo me armatim. Ky është ndër aksionet më të mëdha ushtrake të Francës në Siri, që pritet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, në koordinim edhe me aleatët e tjerë perëndimorë. Krahas kundërsulmit, kanë vijuar dhe hetimet për të dyshuarit e tragjedisë. Policia franceze publikoi dje foton e njërit prej të dyshuarve të larguar, pas sulmeve të së premtes në Paris. I dyshuari është identifikuar si Salah Abdeslam, një 26-vjeçar i lindur në Bruksel. Në njoftim bëhet thirrje të njoftohet për çdo lloj informacion për të dyshuarin e tetë, i cili është larguar dhe konsiderohet i rrezikshëm. Prokurori i Parisit, Francois Molins njoftoi gjithashtu se janë identifikuar dy të tjerë, nga shtatë sulmuesit e vrarë. Ata janë shtetas francezë, të cilët jetonin në Belgjikë.

Hetimet

Policia është vënë në kërkim të 26-vjeçarit Abdeslam, i cili akuzohet se ka marrë me qira një makinë “Volkswagen Polo”, që është përdorur nga terroristët, të cilët u vetëvranë, duke shkaktuar edhe 89 viktima në teatrin “Bataklan”. Vëllai i tij Ibrahim, 31 vjeç, hodhi veten në erë në një sulm jashtë kafesë “Comptoir Voltaire”, pasi kishte marrë me qira një “Seat” të zezë, që është gjendur dje e braktisur. Në automjet janë gjetur tri kallashnikovë dhe municione. Ndërsa vëllai i tretë, i paidentifikuar, është arrestuar në kryeqytetin belg. Besohet se grupi i përbërë nga 8 persona ishte mbledhur në një zonë periferike të quajtur “Kryeqyteti Xhihadit të Europës”, për të grumbulluar kallashnikovë dhe jelekët me municione.

Grupi i vrasësve ku bënin pjesë një francez që jetonte në Belgjikë, dy të tjerë që ishin pajisur me pasaporta siriane për t’u maskuar si emigrantë që vinin në Evropë, por edhe një bashkëpunëtore femër, besohet se kanë udhëtuar së bashku nga Brukseli në Paris, në makina me qira. Sipas identifikimit të bërë, personi që ka gjuajtur i fundit është identifikuar si belgu Bilal Hadfi, 20 vjeç, i cili kishte luftuar me ISIS-in në Siri, para se të kthehej në Evropë dhe të vriste veten me jelekun me eksploziv, në stadiumin “Stade de France”. Ndërsa mediat ndërkombëtare shkruajnë se 25-vjeçari Ahmed Almuhamed, pasaporta siriane e të cilit është gjetur në një nga trupat e vetëvrarë, besohet se ka hedhur veten në erë në sallën e koncerteve në “Bataklan”. Dy sulmuesit e tjerë thuhet se mbanin pasaporta të rreme turke. Ndërkohë dje policia franceze mori në pyetje të afërm të Omar Ismail Mostefait, i cili ishte terroristi i parë që u identifikua.

Ndër gjashtë personat e marrë në pyetje ishin edhe babai, vëllai dhe kunata e tij. Mostefai ishte një ndër shtatë sulmuesit, të cilët kishin veshur jelekë vetëvrasës të mbushur me eksploziv. Të shtatë u vranë gjatë sulmeve; gjashtë prej tyre hodhën veten në erë, ndërsa i shtati u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Të paktën tre prej tyre ishin shtetas francezë. Prokurori francez Francois Molins tha se Mostefai njihej prej policisë si kriminel ordiner, por “nuk ishte përfshirë më parë në hetime të ndonjë organizate terroriste”. 29-vjeçari Mostefai jetonte në Chavres, pranë Parisit. Policia franceze dhe belge po hetojnë lidhjet mes celulave ndërkombëtare dhe atyre të zonës Molenbeek të Brukselit që njihet si “çerdhja e terroristëve”. Mendohet se një punonjës i inteligjencës irakene ka paralajmëruar vendet perëndimore për një sulm të afërt, disa ditë para sulmeve të Parisit. Ndërsa zyrtarët turq pretendojnë se kanë mundur të evitojnë një komplot që do të ndodhte në Stamboll, në të njëjtën ditë që ndodhi në Paris.

Në 24 orët e fundit janë arrestuar shtatë persona të Belgjikë të cilët mendohet se kanë lidhje me sulmet në Francë. Tre të dyshuar janë ndaluar, pasi kishin me vete një faturë parkimi të makinës së marrë me qira “Volkswagen Polo”, që mendohet se është përdorur nga terroristët në Paris. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve tha dje se “ata që kanë përgatitur sulmin në Belgjikë nuk ishin të njohur për shërbimet e inteligjencës franceze”, ndërsa shtoi se “sulmi në Paris është planifikuar nga jashtë”. Shërbimet e inteligjencës franceze flasin edhe për një francez si të përfshirë direkt në sulmet e së premtes, i cili ishte ndaluar nga policia për të rihyrë në Belgjikë mëngjesin e të shtunës, por më pas është lënë i lirë, pasi nuk mendohej si i dyshuar.

Rrëfimi i të mbijetuarës

Një e mbijetuar nga masakra që u mori jetën rreth 90 personave në sallën e koncerteve “Bataklan”, rrëfen historinë e saj rrëqethëse se si shpëtoi duke u hequr si e vdekur. Vajza e diplomuar nga Afrika e Jugut e ka përshkruar në detaje të gjalla se si ajo u bë si e vdekur për më shumë se një orë pasi persona të armatosur hapën zjarr në sallën e koncerteve “Bataklan”. Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Isobel Boudery shkruan orët e tmerrit. “Nuk ishte vetëm një sulm terrorist, ishte një masakër. Dhjetëra njerëz u pushkatuan para syve të mi. Pellgje gjaku mbushën dyshemenë. Klithmat e meshkujve që po mbanin të dashurat e tyre, tashmë kufoma, përshkuan vendin ku më herët dëgjohej muzika. Në një çast pashë të ardhme të shkatërruara, familje zemërthyera”, shkruan vajza.

“E tronditur dhe vetëm, u hoqa si e vdekur për më shumë se një orë, shtrirë në mesin e njerëzve të cilët mund të shihnin të dashurit e tyre që nuk lëviznin. Mbaja frymën time, duke u përpjekur që të mos lëvizja, të mos qaja, duke mos u dhënë atyre burrave frikën që ata deshën të shohin. Unë kam qenë tepër me fat që kam mbijetuar. Por shumë vetë nuk e arritën dot. Njerëzit që ishin atje për të njëjtat arsye si unë, për të shijuar një mbrëmje të së premtes, ishin të pafajshëm”, ka vazhduar ajo rrëfimin prekës. Boudery përshkroi se si persona të armatosur kanë shtënë në turmë “pa ndonjë konsideratë për jetën e njeriut”, pas hyrjes në sallën e koncerteve, ku po performonte grupi i rrokut “Eagles of Death Metal”. Ajo fillimisht kishte ngatërruar armën e zjarrit si “pjesë e shfaqjes”, por më pas e kuptoi tmerrin e vërtetë të asaj që po ndodhte.

Arrin në 132 numri i viktimave

Numri i viktimave pas sulmeve të Parisit, sa vjen e shtohet. Autoritetet kanë njoftuar se edhe tre të tjerë kanë vdekur, pasi nuk arritën të përballojnë plagët që kishin marrë natën e së premtes. Deri më tani, numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur jetën në këto sulme ka shkuar në 132. Por, shumë të plagosur të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë, prandaj pritet që numri i të vdekurve rritet akoma. Sidoqoftë, hetuesia franceze dhe bashkëpunëtorët po punojnë intensivisht për zbardhjen e sulmeve të rënda që tronditën Parisin mbrëmjen e të premtes.

Tre nga 8 terroristët e grupit që shkaktoi tragjedinë e Parisit, ishin shtetas francezë, madje sikurse raporton agjencia franceze e lajmeve, të tre ata ishin vëllezër. Shtatë terroristë vdiqën, ndërsa i teti është në kërkim. Presidenti i Francës, Fransua Hollande, ka njoftuar ndërkohë se do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme në Francë për tre muaj. Pas sulmeve në Paris, Hollande shpalli 12 ditë gjendje të jashtëzakonshme dhe, sipas AFP-së, kjo do të kërkohet të zgjatet deri në tre muaj. Çdo zgjatje e gjendjes së jashtëzakonshme më shumë se 12 ditë kërkon aprovimin në parlament.

Sërish panik në Memorialin e Parisit

Parisi ka kaluar sërish dje disa momente paniku. Mijëra persona u evakuuar nga sheshi “Republika” në kryeqytetin francez, jo shumë larg vendit ku ndodhën sulmet e së premtes, ndërsa po zhvillonin homazhe në nder të viktimave. Policia blindoi zonën, ndërsa njerëzit u strehuan në shtëpi dhe hotele. Fillimisht disa dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar të shtëna, por më pas policia njoftoi se bëhej fjalë për një alarm fals. Mësohet se shkak për panikun e turmës u bë zhurma e disa fishekzjarrëve. Paniku u përhap në zonën pranë restorantit kamboxhian dhe një bari, që të premten u bënë skenë krimi, pas sulmit terrorist. Ndërkohë, katedralja e “Notre Dam-it” u hap rreth orës 6:30 të pasdites për një shërbim special, ku morën pjesë fëmijë, familjarë dhe banorë të mbledhur në shesh para një meshe të mbajtur nga kardinali i Parisit, Andre Vingt-Trois. Gjatë meshës që zgjati 80 minuta, ai u bëri thirrje francezëve të “mos provokojnë agresion”, por të përkujtojnë viktimat, pavarësisht sulmit barbar ndaj vendit të tyre. “Ne lutemi për shpresë, jo për urrejtje. Qëllimi kryesor i mbledhjes tonë këtu është të lutemi për të vdekurit, familjarët e tyre, të plagosurit dhe vendin tonë”, tha ai. Mesha nisi me kambanat e katedrales së famshme, të cilat shënuan hapjen e homazheve për viktimat.

Sulmet në Paris, BE mban takim emergjent

Luksemburgu, që kryeson Presidencën aktuale të Bashkimit Evropian, ka bërë thirrje për një takim emergjent të ministrave të Drejtësisë më 20 nëntor, bazuar mbi kërkesën e Francës për të diskutuar përgjigjen e Evropës kundrejt sulmeve terroriste në Paris. Lajmi është mësuar përmes një deklarate të lëshuar nga vetë shteti kryesues i Presidencës së BE-së, gjatë ditës së djeshme. “Përballë barbarizmit dhe terrorizmit Evropa qëndron e bashkuar me Francën.

Pas ngjarjeve tragjike në Paris, kjo mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve të Brendshme do të forcojë përgjigjen evropiane, ndërkohë që do të garantojë edhe ndjekjen e masave që do të merren”, -thuhet në njoftim. Sulmet terroriste të mbrëmjes së të premtes në Paris kanë marrë të paktën 132 jetë njerëzish të pafajshëm, ndërsa lanë të plagosur rreth 352 të tjerë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Presidenti francez, Francois Hollande e cilësoi si një “akt lufte” të ISIS-it kundrejt Francës, ndaj dhe ka premtuar se do të përgjigjet pa mëshirë ndaj xhihadistëve, që morën përsipër autorësinë e ngjarjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button