Ekonomia

Nis puna për sezonin turistik veror, Ekonomi takim me përfaqësues të njësive vendore

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nis punën për koordinimin e punës me njësitë e qeverisjes vendore për masat në kuadër të sezonit të ri turistik.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ministrja Milva Ekonomi zhvilloi një takim pune me krerë dhe përfaqësues të bashkive bregdetare për masat që duhet të merren për sezonin turistik, duke bërë edhe një analizë të problematikave që seicili prej të pranishmëve prezantoi në këtë takim të rëndësishëm për fillimin e sezonit turistik veror.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin drejtues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, të cilët ofruan tezat e tyre ndihmuese në lidhje me problematikën që has sezoni i ri turistik në vend si dhe diskutuan problematikat që sollën Bashkia e Lezhës, Pogradecit, Divjakës, Himarës, Fierit etj.

Por, ajo që u theksua në këtë mbledhje nga ministrja Ekonomi, ishin dy prioritetet që ka ministria në këtë moment, konkretisht, plotësimi i akteve nënligjore për ligjin e turizmit dhe plani i zhvillimit të turizmit.
Sipas ministres Ekonomi, tani është momenti i një organizimi të detajuar në lidhje me planin e masave për sezonin turistik veror duke nisur së pari nga pastrimi i mbetjeve urbane, dezinfektimi i insekteve, garantimi i jetës së pushuesve, lufta ndaj informalitetit e deri tek marrja e masave serioze në lidhje me statistikat dhe materialet promovuese të turizmit.

Ministrja Ekonomi informoi se do të ngrihet një njësi në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me Njësitë e Qeverisjes Vendore për të monitoruar dhe njëkohësisht mbështetur këto të fundit në lidhje me çdo problematikë që mund të ketë sezoni turistik dhe jo vetëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button