Nishani kundër qeverisë: Të mos ecë me tendenca autoritare
Kreu i Shtetit flet për median austriake dhe sulmon sërish koalicionin e majtë në pushtet. Kritika edhe për reformën territoriale. Kërkon që pasuesi i tij të zgjidhet nga populli
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një intervistë për Agjencinë e lajmeve austriake “APA” u shpreh me tone optimiste se negociatat për anëtarësim në BE tashmë pritet të nisin vitit e ardhshëm ose brenda dy vitesh. “Kjo varet nga ne, Shqipëria”, tha Nishani për APA-n. Ndërsa për konfliktin në Ukrainë, Nishani tha se Rusia po tregon “të gjitha muskujt e saj”. “Shqetësimi i Evropës Lindore për çështjen e Moskës është realist, sepse ne shohim veprime konkrete të ushtrisë ruse”, u shpreh Nishani. Presidenti gjatë bisedimit me APA-n përgjatë Forumit “Alpbach”, përshëndeti marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE në fund të qershorit, duke e quajtur si një “arritje shumë të rëndësishëm dhe një sinjal të fortë të BE-së”. Pranimi në BE pritet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Reforma e gjyqësorit dhe ekonomisë konsiderohet nga Presidenti i Shqipërisë në përputhje normat e BE-së. “Austria do të mund të na ofrojë asistencë për reformën gjyqësore”, tha Nishani. Sipas tij, që prej vitit 2008 Austria na ka dhënë mbështetje “të shkëlqyer” për regjistrimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë në mënyrë elektronike në një kohë që Shqipëria nuk ishte në gjendje të lëshonte pasaporta të sigurta dhe të parandalonte mashtrimin në listat e zgjedhësve. Gjithashtu Nishani u shpreh se për menaxhimin e fondeve publike janë përdorur metoda të dixhitalizuara elektronike për të shmangur abuzimet. “Unë nuk mendoj se mund të manipulohen. Në luftën kundër korrupsionit duhet të forcohet edhe Gjykata Penale. BE-ja për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, krimit të organizuar ka rezerva për bashkimin me shtetet ballkanike. Por me fillimin e negociatave aktuale të ndërmarra ndër vite, Austria do të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve nga Evropa Jugore.
Përmirësimi i administratës publike, e cila duhet të ketë interesa të pavarura nuk është e lehtë për t’u arritur”, deklaroi Presidenti Nishani për APA-n. Sipas tij palët duhet të ushqejnë interesa të përbashkëta, nuk ka “standarde të dyfishta”. Nishani kërkon nga opozita “standardet më të larta”, ndërsa nga partia në pushtet kërkon të mos ecë me tendenca autoritare. “Ne duhet të luftojmë për konsolidimin e institucioneve të pavarura”, – ka pohuar ai. Marrëdhëniet mes kampeve politike në Shqipëri janë të tensionuara. Opozita dhe blloku qeverisës, sipas ekspertëve duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët në reformat e ndërmarra nga qeveria. Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri. Propozimi i reformës administrativoterritoriale nga njësitë administrative është hedhur poshtë nga Presidenti i Republikës me motivacionin se asnjë diskutim publik nuk u zhvillua për këtë reformë . “Ndryshimet e kërkuara nga mazhoranca pa diskutim nuk janë të përshtatshme. Ju duhet të përqendroheni në decentralizimin e pushtetit”, -tha Nishani. Edhe sistemi aktual i zgjedhjes së Presidentit sipas Nishanit nuk është i duhuri, ai kërkon që zgjedhja e Presidentit të bëhet nga populli sepse sipas tij, në këtë mënyrë zgjedhja bëhet më demokratike. Zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli do të ishin “shumë më mirë”, por do t’i bëjë edhe më të ashpra “sulmet mes kandidatëve”. Në qershor 2012, Kuvendi i Shqipërisë me votat e demokratëve në pushtet (PD) emëroi Nishanin vetëm në raundin e katërt të zgjedhjes si president të ri. Bisedimet e mëparshme për një kandidat konsensual të qeverisë dhe opozitës kishin dështuar. Rreth krizës në Ukrainë, presidenti shqiptar shprehu “shqetësim të thellë”.
Ukraina si çdo shtet tjetër kishte të drejtën për të vendosur orientimin e tij politik. “Nuk është e drejtë që ju (domethënë Rusia) duke qenë se është një nga shtetet më të mëdha, duhet të jetë i përfshirë në dhunën për të aneksuar territorin e një vendi tjetër. Kjo ishte një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare dhe të sovranitetit të vendeve të tilla si Ukraina. Vendi-anëtar i NATO-s Shqipëria mbështeti BE-në dhe NATOn në politikën e saj kundër Rusisë. Kjo është sjellja e Rusisë, gjithçka e bën për të nxjerrë në pah muskujt e saj. Prapa gjithë kësaj fshihen ambiciet territoriale të Rusisë”, pohoi Nishani duke shtuar se: “Nacionalizmi është një rrezik për kohën tonë. Ai nxit zhvillimet antidemokratike si në Turqi dhe Hungari”. Sipas tij, çdo vend që shmang rrugën e qytetërimit të zhvillimit, bashkëpunimit, dialogut, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, ka vendosur të mos e respektojë veten e tij, qytetarët e saj dhe të gjithë partnerët. Është përgjegjësi e qytetarëve të këtyre vendeve për t’u vendosur në rrugën e drejtë për familjet e tyre, të rinjtë dhe të ardhmen. Asnjëherë mësimet e historisë nuk duhet të harrohen. Ndërsa për zgjedhjen e pakundërshtueshme të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, Presidenti shqiptar tha se Shqipëria respekton vullnetin e popullsisë turke. Presidenti Nishani vuri theksin mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes Shqipërisë dhe Turqisë.